Home KRYESORE Hedonizmi

Hedonizmi

Nga Kastriot Kotoni

Festat e shqiptarëve nga muaji në muaj, pas janarit, janë gati të pakrahasueshme me festat e popujve të tjerë. Këto festa janë një ogur i mirë për çdo njeri që planifikon se si e ku do i kalojë ato pak ditë. Sidomos për një kategori njerëzish të cilët janë në marrëdhënie pune në institucione publike e private, ku statusi i këtyre festave respektohet në mënyrë legjitime, këto ditë janë të arta.

E kështu sipas mundësive shumë  njerez u drejtohen vendeve fqinje me çmime favorizuese për të kapur oferta biletash avioni, apo trageti ose autobuzi sa më të leverdisëshme. Kjo ofertë shpesh paguhet edhe nga partnerët e partneret, meshkuj e femra të huaj, apo njohje e lidhje të reja dashurore me miq bashkëatdhetarë jashtë Shqipërisë. Ky lloj i ri turizmi hedonist i cili ka mëse 8 vjet që ka hyrë thuajse në modë në vendin tonë me pak vonesë krahasuar me vendet e tjera, është shtuar edhe për shkak të shumë faktorëve të ndryshëm me vendet e tjera.

Përparësi kanë femrat shqiptare të cilat janë, ose me formim të lartë arsimor dhe me moshë pak sa të tejshkuar për martesë rreth moshës 34-44 vjeçe, por edhe ato të cilat e zotërojnë në mënyrë të admirueshme një gjuhë të huaj si italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe njohin në perfeksion teknologjinë kompjuterike, pa dallim gjinie nga mosha 18 deri 27 vjeç. Lidhjet me internet tashmë ia kanë zvogëluar shumë hapësirën mentale shumë popujve dhe kulturave të tyre.

Në këtë kuptim mes popujve të mesdheut edhe njohjet dashurore(flirtimet) janë më të shpeshta e më efikase edhe për shkak të afërsisë gjeografike, por mbi të gjitha të mentalitetit. Shumë femra shqiptare të profesioneve nga më të ndryshmet janë sot në një lidhje me partner italian, grek, francez e belg, apo edhe gjermanfolës. Këto lidhje shpesh janë mes partnerëve me diferencë moshe, por pse jo edhe me dëshira të fshehta, për lidhje sekrete jashtë martesore, që justifikohen gjoja me transferime për punë pune ose trajnime dhe gjoja mbrojtje doktoraturash të ndryshme shkencore me variantin e masterizimit për të ngritur nivelin e kualifikimit për hir të vendit të punës.

Të shumta janë lidhjet mes partnerëve të divorcuar të cilët e shikojnë këtë jetë edonistike si një pikë psiqike për t’iu shmangur stresit dhe përgjegjësive ndaj fëmijëve që lenë pas. Është krijuar një mentalitet presioni nga gratë dhe burrat shqiptarë ndaj jetës bashkëshortore për t’i thënë lamtumirë ditëve të muajit të mjaltit dhe festave marramendëse të dasmave spektakolare, se po nuk deshe ika të lashë, se ja ku është Italia, Greqia apo Franca, pse jo dhe Anglia e sikur një vëlla ose motër a ndonjë i afërm u ka siguruar punë e strehë. Fenomeni i njohjes me internet falë komunikimit në gjuhë origjinale ose me Word Dictionary, ka një shtrirje në zonat urbane si në qytetet e mëdha të vendit Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra e Korça, Lezha dhe Elbasani e Fieri. Kryesojnë femrat me profesione të shkollimit në shkencat humane dhe nga bota e medias e spektaklit, juristë.

E kundërta e këtij fenomeni ndodh tek partnerët meshkuj shqiptarë, të cilët i kanë pretendimet edhe më modeste, për arsye se afrojnë më shumë aspektin fizik, se sa atë psikologjik në komunikime me partneret e huaja. Meshkujve shqiptar në të shumtën e rasteve u afrohen në komunikim femra më të mëdhaja në moshë e shumica nga vendet e Europës Juglindore të cilat punojnë në vendet perëndimore me mendësi që të kalojnë disa ditë pushimi në Shqipëri e me bileta gratis mundësisht në sezonin e verës së nxehtë.

Pa dyshim edhe kërkesa nga partnerë të të njëjtit seks kanë përfshirë edhe meshkujt edhe femrat shqiptare. Interesant mbetet fakti se kalimi nga një partner në tjetrin, sot po bëhet për arsye ekonomike dhe përzgjedhja e tyre fillon qysh me blerjen e biletave për udhëtim, po ashtu edhe të vendit ku do të akomodohet çifti e më pas fillojnë kërkesat për makina Smart e deri tek X5, pse jo edhe të ndonjë oferte për shtëpi, ose pagesë për doktoraturë e deri tek pagesa për shkollimin e fëmijëve në Shqipëri.

Dikur zonjat dhe zotërinjtë e shekullit XIX e gjenin justifikimin për të bërë ndonjë flirtim në emër të artit, sikur do të shkonin në Vjenë, Paris, Venecia e Londër për të ndjekur një shfaqe në Opera apo Teatër, për të parë ndonjë ekspozitë pikturash të piktorëve më të mëdhenj të kohës. Në të njëjtën kohë kishin dërguar me postier në një adresë të shpikur si tezja a halla e vogël apo e madhe (Romani “Zambaku i kuq” i Anatoli Franc). Shekulli që sapo lamë pas ishte komunikim veç për gjysmën e botës e ndarë në dy gjysma të tjera, e flirtet ishin sa ideologjike në politikë aq edhe mes vendeve e qytetarëve të tyre. Të përjashtuar nga ky komunikim ishin veç filatelistët.

Në fillim vitet 1992-2013 përtypëm me uri rubrika si tek gazeta Intervista (Djemtë kërkojnë Vajza e Vajzat kërkojnë Djemtë). Shkuan edhe më tej kur kërkonin partner Gay dhe Lesbike brenda vendit. Libri “Vetmi në rrjet“, që doli andej nga viti 2009, u përpi nga lexuesi shqiptar si një lloj i ri dashurie falë internetit. Por nëse ky libër është lexuar keq apo është keqkuptuar nga lexuesi shqiptar këtë e tregon edhe ky fenomen i ri allashqiptar.

Aftësia për tu humogjenizuar kulturalisht në një botë kaq të vogël me hyrjen e internetit dhe hapjen ndaj integrimeve euroatllantike e ka përballur qytetarin shqiptar, femër apo mashkull me shumë fenomene të botës perëndimore, çështja shtrohet sa do jetë ai shqiptar, ajo shqiptare e aftë të tregojë diçka nga vetitë më të mira të kulturës e moralit shqiptar dhe të mos jetë thjesht një qëllim edonist për tu mbushur boshllëqet shpirtërore e fizike të qytetarëve perëndimorë, ndoshta më të pasur ekonomikisht dhe me standart jetese më të lartë.

Kohët për popujt e vegjël si Shqipëria kanë ndryshuar për mirë në shumë aspekte të jetës edhe asaj shpirtërore edhe pse ka (Luke) si tek tregimet e Migjenit si në çdo kohë e vend evropian, por kur shpirti i shqiptarit është nën trysninë edoniste me fabulën (jeta është qejf) dhe të arriturit të gjërave me një mëndjelehtësi të atillë, kur ky fenomen është përhapur si një epidemi tek njerëz që punojnë në institucionet më të larta të shtetit shqiptar, pyetja shtrohet se QUOVADIS femra e mashkulli shqiptar, kush do jetë e ardhmja e modelit të një prindi të ardhshëm.

Mijera faje e gabime të cilat u ka bërë politika këtij populli me këtë tranzicion të tejzgjatur e shumë fenomene që kanë mbërritur në portat e mendjes shqiptare nuk ka pse jua shtojmë vetë ne me pavetëdijen e një shoqërie indiferente pa filtrat e instiktet e një populli të formuar kulturalisht e moralisht. Dikush shkruan me lehtësi për lidhjen e shqiptarit me mafien ndërkombëtare, ushtrimin e prostitucionit dhe transportimin e drogës.

Harrojnë se kanë modeluar njeriun e suksesshëm të fortin e territorit e sponsorin e Partisë dhe modelin se ky njeri ka lindur sikur të ish njeriu më i aftë për të bërë investime e qejfe e shkuar qejfit si Mesia ( i dërguari i zotit) pa ju dridhur qerpiku nga drejtësia e forca e shtetit, ndaj dhe pjesa tjetër e popullsisë e cila nuk e përballon këtë presion psikologjik kërkon fate dhe hapësira shpirtërore e materiale krejt jashtë karakterit e dinjitetit moral të shqiptarit.

Share: