Adoleshenti 17-vjeçar, Nahel, u qëllua për vdekje nga policia mëngjesin e së martës gjatë një ndalimi trafiku në periferi të Parisit, Nanterre, ngjarje e cila ka rindezur protestat e dhunshme në disa zona të vendit.
Tragjedia ka ngjallur revoltën e kahershme për policinë dhe profilizimin racor në periferitë me të ardhura të ulëta dhe multietnike të Francës. Videot e takimit të Nahelit me policinë kanë përforcuar protestat pasi dëshmitarët okularë dhe videoja e kamerave të sigurisë kundërshtuan narrativën zyrtare, shkruajnë mediat e huaja.
Oficeri që qëlloi ndaj Nehal do të hetohet për vrasje me dashje. Oficeri i akuzuar, megjithatë, pohon se ai ka qëlluar me armë nga frika se djali do të përplaste dikë me veturë.
Familja e adoleshentit nuk e ka bërë të ditur mbiemrin e tij. Nahel punonte si shofer transporti. Për tre vitet e fundit, ai kishte qenë një anëtar aktiv i klubit të regbi Pirates of Nanterre dhe donte të bëhej elektriçist.
Nahel ishte fëmija i vetëm i rritur nga nëna e tij Mounia. Ajo pretendoi se djali i saj u vra sepse kishte një “fytyrë arabe”. “Oficeri pa një fytyrë arabe, një fëmijë të vogël dhe donte t’i merrte jetën,” tha ajo për mediat.
Si ndodhi ngjarja?
Nahel, 17 vjeç, u qëllua të martën në makinën e tij, pasi nuk ndaloi kur u urdhërua. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset. Adoleshenti vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës. Oficeri policor që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.
360grade.al