Home KRYESORE Ajo ndante me të ëndrrat, gëzimin, por jo dhimbjen!

Ajo ndante me të ëndrrat, gëzimin, por jo dhimbjen!

Tregim nga Gerta Bilali

Një të djelë janari një grua e re me barkun e saj të stërmadh lëvizte me vështirësi nëpër rrethinat e shtëpisë së saj. Një shtëpi e lyer me të bardhë, me dritare druri, me çati të kuqe. E rrethuar nga një gardh i ulët thuprash, të lejonte të shihje shtrirjen e pafund në horizont. Një rrugicë e shtruar me ca mozaikë të vegjël mermeri shumëformësh dhe shumëngjyrësh ishte shoqëruese e këndshme e shëtitjes së pasdites. Dhomat ishin të mëdha plot hapësirë e dritë, me mobilje të rënda ahu, me mure të porsalyer që kishin akoma aromën e bojës së freskët. Era e mobiljeve të kujtonte pyllin dhe mështenkat lozonjare. Zjarri i ndezur në oxhakun e tejdukshëm digjte pa mëshirë oksigjenin brenda.
Gruaja lëvizte sa andej këtej. Herë ngrohej pranë zjarrit ku dridhej së ftohti, e herë freskohej jashtë nga vapa. Merrte frymë me vështirësi dhe dihaste rëndë. Herë pas herë shtrëngonte grushtat dhe fytyra i shtrëmbërohej. Çdo herë që ndodhte kjo, kthente kokën andej nga ai s’mund ta shihte. I shoqi ndiqte i shqetësuar ecejaket e saj. Nuk dinte ç’të bënte. Në fakt, ç’mund të bënte?! Përvec ndonjë masazhi të lehtë në kurriz dhe fjalëve të ëmbla, nga ai s’pritej asgjë tjetër. Por ajo nuk i kërkonte asgjë. Ai e njihte. E dinte që ajo vuante, po si gjithmonë vuante pa u ndjerë. Dhimbjen e saj, ai e shihte te sytë e përflakur, që lëviznin të shqetësuar pa gjetur asnjë pikë referimi. Gjithmonë kështu kish qenë. Ajo ndante me të ëndrrat, gëzimin, por jo dhimbjen. Pas një momenti, gruaja e re vijonte të lëvizte prapë, pa u ankuar. Ktheu kokën nga ai dhe i dhuroi një bëzëqeshje. Pastaj i tha: -Do ikim tani?
Ai vrapoi i tmerruar dhe mori valixhen që kishte disa javë që priste këtë moment. Ajo i tha, gati duke pëshpëritur: – Mos u shqetëso, jam shumë mirë.
I shoqi me një frymë, i doli përpara bashkë me valixhen. Çfarë s’kishte aty brenda! Rroba erëmira të vogla si për kukulla. Kapuçë të vegjël për bebushin. Çorape të vogla që të bënin për të qeshur. Edhe dorashka pa gishta që t’i mbanin bebushit duart ngrohtë. Ata i kishin palosur bashkë me një renditje që të habiste. Rrobat e gruas poshtë, të bebushit sipër. I kishin palosur atëherë kur përpara një fotografie ekoje, ëndërronin për tiparet e bebushit. Për syçkat e vogla, për faqet e mbushura, për krahët me lëkurë të lëmuar, për flokët e dendur që do t’i mbulonin kokën e bukur, për mënyrën se si do ta rrisnin, për librat që do i lexonin, për përrallat që do t’i rrëfenin, për buzët luleshtrydhe që do thoshin fjalën e parë. Për hapat e parë që do hidhte në rrugicën e mermertë. Për qeshjen e parë të fëmijës që do t’i zbukuronte sytë e tyre. Për gjithçka kishin menduar. Për këtë moment, jo. Gruaja e re, e kishte shmangur gjithmonë këtë bisedë. Me lezet, ajo e kishte bërë të besonte se nuk e vriste mendjen fare. Se ajo ishte si gjithë të tjerat. Si çdo grua e këtij planeti, që sakrifikonte për një qenie të re e të brishtë. Si çdo grua që sillte jetën nga jeta. Trupin nga trupi. Frymën nga fryma. Si nëna e saj, si nëna e tij.
Po, për burrin, ajo nuk ishte si të gjithë të tjerat. Ishte vajza që ia bënte zemrën të butë. Vajza për të cilën ishte përlotur. Vajza për të cilën kishte ndjerë. Vajza për të cilën kishte ëndërruar. Ajo për të, nuk ishte gruaja e lodhur nga shtatzania e gjatë. Ai nuk e shihte barkun e saj të rëndë që i kish prishur trupin e hajthëm. Ai e shihte si atëherë, kur e kishte takuar për herë të parë. Kur ajo i kishte dhuruar shikimin e parë depërtues. Kur ajo e kishte prekur lehtë në shpatullat e tij të gjera dhe i kishte thënë:- Mos më shih më ashtu, më vë në siklet.
Përgjigja e tij:- pse si të shoh unë?
Ajo ja ktheu duke buzëqeshur- Sikur do të më përpish të tëën.
Ai:- po sikur të të thosha që kjo është e vërtetë…
Ajo:- atëherë do mendoja që je vërtet i paturpshëm!
Ai:- nëse turpi është ashtu siç unë e mendoj, atëhërë po, unë jam i paturpshëm.
Ajo: – Si ti e mendon…
Ai:- po, ç’është turpi në fund të fundit, një ndjenjë trishtimi dhe keqardhje që lind ngaqë mendon se mund të jesh sjellë keq! Unë s’kam asnjë keqardhje! Nuk mendoj se u solla keq. Po, do më pëlqente të të përpija të gjithën, me sy edhe me trup. Të të gllabëroja të gjithën, me krahët e mi, t’u merrja erë flokëve të tu të gjatë, të të puthja pa fund!
Ajo: -Ti qenke jo vetëm i paturpshëm, por edhe i pacipë! Mirëmbetsh!
Dhe e la aty. Ai qeshi nën buzë dhe e ndoqi me sy tek largohej. E pa kur hipi në makinën e saj të vogël vishnjë, kur lëvizi në sedilje për të rregulluar palat e fustanit, kur ndezi motorin, kur ndërroi marshin dhe i dha gazit me forcë. E vështroi makinën e saj që kish ca fenerë që dukeshin si sy aziatikësh, derisa u bë një pikë e vogël në horizont.
Çudi e madhe! S’kishte menduar ndonjëherë se mund të sillej ashtu. Se mund të thoshte atë që mendonte pa iu dridhur qerpiku. E kishin mësuar të ishte ndryshe. E kishin mësuar t’i ndrydhte ndjenjat, të devijonte mendimet që i kalonin nëpër tru. E kishin detyruar të lexonte libra pa fund, por të mos kishte imagjinatë të çmendur si në libra. E kishin lodhur duke i përsëritur vazhdimisht të ishte i sjellshëm edhe me të pasjellshmit. Të respektonte të rritur e të vegjël, kushërinj e kushërira, vetëm sepse me ta e lidhte një rastësi gjenetike. Të ishte i pari kudo, por të mos kishte shpirt konkurrence. Të ishte i zoti i vetes, por të mos ishte egoist. I donte prindërit e tij, por s’ishte as faji i tyre. Edhe ata ishin të lexuar, të edukuar, të arsimuar por brenda ca kufijve gati qesharakë të vendosur nga një shoqëri tallëse. Nga një shoqëri me ca rregulla të cuditshme, ca norma moraliteti të frikshme, që nuk i kishte kuptuar asnjëherë. Ai donte të ishte rebel! Të rebelohej ndaj absurditetit! Të ishte i lirë në atë shoqëri meskine. Të gjente një shpirt të lirë si i tiji. Të gjente një zemër që vepronte ashtu siç e ndjente. Një vajzë të lirë nga paragjykimet. Një vajzë që nuk do e shihte me sy kritik sa herë ai bënte diçka fëminore. Një vajzë që do zbulonte fëmijën e fshehur brenda ti. Një vajzë pa idhuj.
Te dora e tij ndjeu një prekje të lehtë. Ngriti sytë dhe pa një fytyrë qortuese.
Ajo: – Do ikim apo jo?
E shtrëngoi fort dhe eci bashkë me të. I pëlqente të ecte me të. Hapi i tyre kishte të njëjtin ritëm, por kishte kohë që shpejtësia kishte ndryshuar. Gruaja ishte e rënduar. Ai e rëndonte hapin e tij. I pëlqenin bisedat e saj të vrullshme, plot jetë. Ajo kishte gjithmonë diçka të bukur për t’i thënë. Njëherë i fliste për librin që po lexonte, njëherë për filmin që kishte parë, njëherë për ndjesitë e saj. Dhe fliste e fliste duke shoqëruar çdo fjalë me lëvizjet e duarve të saj. Me ato duar që shpeshherë i rregullonin flokët e pabindur e të ashpër. Ndërsa sot ishte e heshtur. Sa do donte të futej në mendimet e saj. Të gërmonte aty brenda dhe të shihte se ku ndodhej. Ca vendi kishte lënë ajo për të?
Ai- zemër, je shumë e heshtur sot.
Ajo- edhe ndodh, shpirt… ndodh ndonjëherë që unë s’kam asgjë për të thënë. Sot jam pa fjalë.
Pas kësaj, ai pa fytyrën e saj që u rrudh nga shtrëngimi i pazëshëm.
Hipën në makinë dhe ai harroi si të ngiste makinën. Bëri lëmsh gjithçka. Një zhurmë gërryese erdhi nga makina që u drodh fort pastaj u fik. Ajo qeshi, me ate të qeshurën tipike, që i ngjante rrjedhës së vrullshme të ujëvarës kristal.
-Do që ta ngas unë?jo jo, nuk e di se ç’pata!
Dhe me forcë e ndezi sërish. Makina lëshoi një re tymi të bardhë që ngjante me retë pulpore të pranverës. Ajo ktheu kokën pas dhe buzëqeshi. – Shpirt, kur të kthehemi do jemi tre. Ti, bebushi dhe unë.
Ai: – sa bukur, do jemi familja më e lumtur në botë. Ti, bebushi dhe unë.
Rrugët dhe kthesat i linin vendin njëra tjetrës. Pamja ndryshonte. Ajo ftohte hundën e saj të vogël te xhami i dritares dhe heshtte. Herë pas here ledhatonte barkun e stërmadh që e grushtonte dhe e shqelmonte si me protestë.
Ai zuri frenat lehtë. Makina ndaloi. Zbriti dhe i dha dorën që ta ndihmonte që të zbriste. Ajo zbriti me ngadalë, duke peshuar cdo hap që bënte. Hynë brenda, aty ku aroma e medikamenteve përzihej me erën e klorit. E urrente erën e spitalit. Afroi hundën e vogël te qafa e tij dhe i tha: – Të të marr pak erë? Mori frymë thellë, mblodhi duart sikur era do mbetej aty, dhe e puthi lehtë poshtë veshit.

Mos hajde me mua. Iki vetë.

Jo, nuk të lë vetëm- i tha ai.

Ik pra, të lutem. Do të të marr në telefon më vonë. Nuk dua të rrish këtu. Të lutem! Të kam zemër.
Ai iu bind. E puthi fort dhe i pëshpëriti. – do jem këtu jashtë. Të dua shumë!
Dhe iku… u fsheh pas derës së bardhë që u mbyll pas tij. Dridhej, dridhej, ngashërehej pa zë. I dhimbte shpirti, ajo formë e pamasë, e paformë, e padukshme. U ul në gjunjë sikur donte të mbërthente shpirtin brenda trupit. Nuk donte të mendonte asgjë. Ai po mendonte, që nuk duhej të mendonte… E bindi trurin të lëvizte në boshllëk. Fiksoi shikimin te dera e bardhë që ish mbyllur pas tij. Minutat iknin pas njëra tjetrës e i linin vendin orëve, me një ngadalësi që e acaronte. Vendosi t’i numëronte. 1…2…3…4…5. U acarua më shumë. Doli që aty dhe hidhte hapat kuturu rreth e rrotull ndërtesës së nënave. I mati largësitë me hapa. Nga dera e bardhë deri tek shtylla ishin 25. Nga shtylla deri te makina e tij ishin 10. Gjithsej 35 edhe vazhdonte, vazhdonte derisa dikush e ndaloi.

urime zotëri ! U bëtë baba !

Cfarë ?! Vërtet ?!
Dhe vrapoi si i çmendur nëpër korridoret e bardha.

Zonjë, të lutem ku mund ta gjej gruan time ?- pyeti nje zonjë topolake me faqe të mbushura e të kuqe, veshur me një përparëse të bardhë, me ca shapka bezhë që i tërhiqte zvarë nëpër pllaka.

Gruan tuaj? E cila është? Se këtu vetëm gra ka…- qeshi zonja.

Është ajo që sapo solli në dritë një bebe, Luna quhet… të lutem, më thuaj ku mund ta gjej.

S’do të shohësh bebin në fillim?- e pyeti

Jo, dua të shoh Lunën time. Dua të më prezantojë ajo me bebin tonë. Të përgjërohem!
Gruaja topolake e shoqëroi nëpër korridor, duke ecur si patë që i hidhte vithet sa andej këtej, a thua se i kishte të shkëputura nga trupi i bëshëm
– Futu këtu, por s’do rrish shumë- i tha ajo.
Ai nuk e dëgjoi fare. Kapi dorezën e ftohtë të derës dhe e hapi me kujdes. Zgjati kokën dhe pa Lunën e tij. Ajo ishte shtrirë në krevat, me flokët e gjatë përhapur shkujdesur në jastëk, me duart e lidhur poshtë gjoksit mëmësor. Kishte një fytyrë të qetë, ëngjëllore. – Erdhe zemër! Nuk prite të të merrja në telefon?

Jo, s’mu durua. Si je?

Mirë, e lodhur por jam mirë. E pe bebushen?

Akoma jo.
Iu afrua dhe e puthi tek buzët e saj mishtore. E përqafoi dhe iu mbushën sytë me lot. – Më thuaj si kaloi? Më trego, të lutem. Gjithçka në rregull?

Po, po gjithçka në rregull, të tregoj më vonë.
I ra ziles afër krevatit. Infermierja topolake erdhi.

Mund të ma sjellësh pak fëmijën, të lutem.
Ajo pohoi me kokë dhe pas pak çastesh, u duk sërish. I zgjati duart Lunës dhe i la bebin në krahë.

Shikoje zemër!
Ishte një beb me fytyrë rozë, me buzë e duar të mbledhura fort, me lëkurë gati trasparente ku dukeshin damarët mavi. Krijesa i mbante sytë mbyllur dhe merrte frymë lehtë. Vuri kokën në mes të trupthit, aty ku duhej të ishte zemra e vockel. Ajo rrihte për qejf të vet.

Mirëseerdhe në botë, vogëlushja ime! – i pëshpëriti në vesh. – Faleminderit që më bëre baba, Luna ime. Ju dua fort, vajzuket e mia.
I struku të dyja, në krahët e fuqishëm mashkullorë. Ato dy krijesa, ishin lumturia e tij.

Share: