Nga Lis Bukuroca
- Njerëzit që patën guximin të luftojnë për atdheun ishin tepër pak. Njerëzit që nuk tuten për ta vjedhur atdheun duke shfrytëzuar statusin e veteranëve, janë tepër shumë!
- Burrat që miratojnë ligje kundër dhunës dhe që kanë pushtet legjislativ, ushtrojnë vetë dhunë aty ku aprovohen ligjet – në Kuvend!
- Disa gra që pretendojnë se luftojnë për të drejtat e grave, përdorin ato klishe për gratë, të cilat i përdorin edhe burrat që i urrejnë gratë!
- Njeriu që në kohën e luftës pat ikur me fustan, shpesh para lufte pat ligjëruar për trimërinë!
- Njeriu që mëson njerëzit për shpirtmirësinë, u thotë atyre: “Ata që nuk janë si ti, duhet ti urresh!”
- Ai u lëndua gjatë arratisjes nga lufta, por rreth 18 vite më vonë, u shpall invalid i luftës!
- Profesori që është shembull par excellence i mediokritetit, ligjëron për menaxhimin e mediokriteteve!
- Politikani i korruptuar premton se do ta luftojë korrupsionin!
- Njeriu që bleu diplomën e fakultetit, flet për luftimin e korrupsionit në institucionet e larta të arsimit!
- Tjetri në debat flet kundër dhunës, por vetë gjersa shprehet kundër dhunës përdor dhunë verbale!
- Para lufte iku në Perëndim,19 vite më vonë shpallet veteran i luftës në Kosovë. Nuk pati guxim të luftojë për atdheun, por ka shumë guxim për ta vjedhur atdheun!
Dhe kështu vazhdon më tej: prostitutat flasin për besnikërinë në dashuri, klerikët e pamoralshëm për moralin, tucat e luftës për trimërinë gjatë luftës, hajdutët për luftimin e hajnisë, injorantët për luftimin e injorancës, e kështu me radhë poshtë e lartë njëherë e në këtë kohë kur turma amorale kishte marrë turr drejtë pasurimit….
E rinia? Të rinjtë do të ikin në Perëndim, ku shpresojnë për më shumë drejtësi dhe më shumë fitime dhe nuk do të mund të merren shumë me politikë, sepse do të kthehen të rraskapitur nga puna dhe, nuk do të presin më shpërblime nga politika…