Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Cila është më e dëmshme, nikotina e duhanit apo ajo e propagandës?

Cila është më e dëmshme, nikotina e duhanit apo ajo e propagandës?

Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ i Çapajev Gjokutaj

60% e shqiptarëve nuk shkojnë dot qoftë edhe një javë me pushime. Thënë më shqip, në çdo tre veta prej nesh dyve nuk ua mba xhepi të pushojnë. Këtë e thotë Barometri i fundit i Ballkanit, një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

E megjithatë qepenat e politikës po ulen. Parlamenti i mbylli dyert. Opozita pritet që në fundjavë të bëjë shfaqjen e fundit të këtij sezoni, të zgjedhë a më saktë të rizgjedhë kryetarin e partisë së vulës. Kësaj jave mbyllen edhe emisionet e fundit politike të tipit talk show. Më eterikë seç kanë qenë pritet të bëhen edhe qeveritarët.

Arsyeja? Do shkojnë me pushime bregdeteve, maleve, vendeve klimaterike brenda e sidomos jashtë. E meritojnë, muaj e muaj të tërë u është tharë pështyma duke qarë hallet e popullit e u është këputur mesi duke u bërë temena liderëve të përjetshëm😪

Gajret! Vetëm pak javë e gjithçka do fillojë nga e para…

Madje edhe veshëve tanë u bën mirë ky pushim. Si puna e atyre duhanxhinjve që lenë duhanin për pak kohë. Sa të pastrojmë oxhakun, thonë.

Dhe s’di të thotë i ziu njeri, cila është më e dëmshme, nikotina e duhanit apo ajo e propagandës🤡

Share: