Home Gjeo-Ekonomia Dodik i bllokoi hyrjen Schmidt në Republikën Srpska, reagon Gjermania: Nuk e...

Dodik i bllokoi hyrjen Schmidt në Republikën Srpska, reagon Gjermania: Nuk e lejojmë diçka të tillë

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha në Sarajevë se Gjermania nuk do të lejojë që Republika Srpska t’ia ndalojë hyrjen e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në territorin e atij entiteti të Bosnje-Hercegovinës.

“Kjo nuk është e drejtë, ne e kundërshtojmë dhe nuk do ta lejojmë”, theksoi Sarrazin, duke komentuar deklaratën e presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik se do të miratojë një dekret për t’ia ndaluar hyrjen Schmidt në atë entitet dhe se policia do ta arrestojë, nëse do të përpiqet të hyjë, shkruan N1.

Zyrtari gjerman tha se Dodik “sillet në mënyrë jokonstruktive dhe të papërgjegjshme ndaj funksionit të përfaqësuesit të lartë” dhe se deklarata “flet më shumë për Dodikun dhe një mënyrë e tillë e të folurit nuk të dërgon askund”.

Duke folur për vendimin e qeverisë gjermane për pezullimin e financimit të katër projekteve në Republika Srpska, Sarrazin tha se shkak për këtë ishin njoftimet për pavarësi dhe masat e miratuara nga Dodik.

360grade.al

Share: