Home Gjeo-Ekonomia Kërkesë për mbështetje për shtetasit shqiptarë emigrantë në Suedi!

Kërkesë për mbështetje për shtetasit shqiptarë emigrantë në Suedi!

Kryeministrit të Shqipërisë: z Edi Rama,

Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme: znj Olta Xhacka,

Komisionit të Politikës së Jashtme,

Nënkomisionit Parlamentar për Diasporën.

Për dijeni: Presidentit të Republikës së Shqiperisë,
Ambasadës së Republikës së Shqiperisë Suedi.

Kjo kërkesë do të dorëzohet në gjuhën suedeze Ministrisë së Migracionit Suedi, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë dhe për dijeni Ambasadës së Republikës së Suedisë Shqipëri. Gjithashtu Zyrës Qëndrore të Bashkimit Europian organizatës United Nations.

Objekti: Kërkesë për mbështetje për shtetasit shqiptarë emigrantë në Suedi!

Të nderuar,

Në Suedi ka një numër përherë e më të shtuar shtetasish shqiptarë të cilët kanë emigruar e vazhdojnë të emigrojnë për arsye të ndryshme. Këta shtetas pavarësisht statusit apo prejardhjes ndjejnë përherë e më shumë presionin e procedurave të tejzgjatura dhe shpesh penalizuese për të rregulluar marrëdhëniet e tyre te integrimit me tregun e punës, nevojave jetike dhe të të drejtave në Suedi.

Suedia po bëhet një ndër vendet me ligje jo të lehta për emigracionin në krahasim me vendet e tjera të BE-së.

Ne mendojmë se Shqipëria si një vend që ka hapur negociatat me BE-në dhe po afrohet çdo ditë e më shumë me familjen Europiane, mund të kujdeset e të kërkojë në raport ndërshtetëror me qeverinë dhe institucionet në Suedi, një lehtësim të këtyre procedurave, për sa mund të jetë e mundur.

Emigrantët shqiptarë në Suedi, mbi të gjitha ata që kanë ardhur vitet e fundit, janë një pjesë e madhe e arsimuar dhe profesionistë. Politikat kufizuese të emigracionit suedez detyrojnë këta individë të punojnë të pasiguruar dhe të mbahen jashtë sistemit ligjor të shtetit. Kjo sjell pasoja edhe për shtetin suedez, për bizneset private e vështirësi jetike për këta shtetas shqiptarë, ku përgjithësisht janë dhe familjarë.

Ne besojmë se këto problematika nëse ndërhyhet dhe kthehen çështje diskutimi në nivel ndërshtetëror midis qeverisë Shqiptare dhe asaj Suedeze mund të ketë efekte lehtësuese e përmirësuese për jetën, punën, të drejtat e dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë në Suedi.
Për këtë me besimin në mirëkuptimin tuaj kërkojmë ndërmjetësim për përmirësimin dhe lehtësimin e proçedurave për emigracionin në këto fusha specifike:

  1. Ligji per emigrimin e punëtorëve të kualifikuar (Kushdo që ka një kualifikim në vendin e origjinës dhe gjen një kontratë pune të mund t’i jepet e drejta me aplikim të përshpejtuar dhe jo pritje 18 muaj apo më shumë). Të kenë të drejtë të fillojnë punën gjatë proçesit të pritjes.
  2. Ndalimi i vënies së ekspulsit në sistemin SIS në shtetet BE për ata të cilët bashkëpunojnë me migracionin në rast kur duhet të lënë shtetin suedez, por që nuk përfshijnë çështjet penale.
  3. Njohja e pensioneve në vendet respektive.
  4. Lehtësi në ndërrimin e punës dhe punëmarrësit nëse krijohen mundësi më të mira punësimi duke mos e kushtëzuar të drejtën e punës patjetër me të njëjtin punëdhënës.
  5. Njohja e patentave shqiptare si në shumë vende të BE-së.
  6. Lehtësim të proçedurave penalizuese për ata që kanë punuar në Suedi duke mos i penalizuar për shkak të:

• Falimentimi i kompanisë
• Mospagimi i taksave nga punëdhënësi
• Mospagesa e pushimeve
• Veprime të tjera të qëllimshme, apo jo të qellimshme nga kompanitë apo autoritetet

Ne mbetemi me shpresë dhe besim se do të mirëkuptoni këto kërkesa që në fakt janë një nevojë për ndihmë e mbrojtje nga shteti shqiptarë dhe institucionet e tij.

Mirëkuptojmë se trajtimi i këtyre kërkesave si çështje dypalëshe midis qeverisë shqiptare dhe asaj suedeze kërkon angazhim të gjatë dhe të vazhdueshëm, por po ashtu kërkojmë të mirëkuptoni pritshmërinë dhe nevojat tona si shtetas të Republikës së Shqipërisë që presim nga vendi ynë e institucionet e tij të mos na harrojë e të ndikojë sadopak në lehtësimin e jetës tonë të përditshme larg atdheut.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se paraqitja e këtyre problematikave nuk mund të jetë shteruese në një letër, mbetemi të gatshëm, (nëse Ju e vlerësoni të nevojshme) të paraqesim një raport më të zgjeruar në një takim pune me Ju, kurdoherë që Ju ta vlerësoni të mundshme dhe të dobishme.

Ju falënderoj me respekt e mirënjohje për punën tuaj të deritanishme!

Suedi, 16 Janar 2023

Share: