Home KRYESORE Meritokracia dhe një refleksion!

Meritokracia dhe një refleksion!

Nga Artur Beu

Lexova diku rreth meritokracisë dhe vlerave dhe m’u kujtua një shkrim imi i para disa kohëve. Po e përmbledh në disa rreshta.

Thuhet se kur nuk të vlerësojnë duhet të largohesh nga grupi shoqëror i përkatësisë. Kjo, jo vetëm për të shpëtuar nga devianca sociale, por edhe për të gjetur vetveten në një grup tjetër që të vlerëson. Ka plot raste personash që janë bërë të rëndësishëm apo shkencëtarë të njohur, të cilëve i është dashur të lëvizin nga vendet e tyre ku nuk i kanë vlerësuar fillimisht dhe kanë emigruar e kanë bërë arritje apo shpikje që kanë dhënë kontribut në vende të tjera. (Nuk po përmendim emra sepse ka shumë të tillë.)

Në fakt, a nuk bie ndesh kjo me logjikën njerëzore?! Nëse nuk i identifikojnë këtë kategori vlerash (e kjo barrë bie mbi ata që mbajnë peshën e fuqisë së shtetit e shoqërisë), do duhej të largoheshin ata që nuk i vlerësojnë, pasi nëse dikush ka vlera i bie që nuk i kanë ata. Rastet që shfaqen janë dy. Në rastin e parë ata që janë në poste drejtuese nuk kanë kapacitete dhe nuk njohin talentin dhe profesionistin e meritat. Në rastin e dytë ata që kanë postet drejtuese nuk duan të promovojnë meritat, sepse rrezikojnë veten. Implikimet janë të shumta e dëmet gjithashtu.

Nuk po i futemi rasteve në veçanti, por ndjekim logjikën në përgjithësi. Ata që drejtojnë, me logjikë përfaqësojnë vullnetin e shumicës së njerëzve të asaj apo kësaj shoqërie dhe patjetër që kanë ndjekur ato rregulla apo ç’rregulla të asaj shoqërie. Në një farë mënyre ata thjesht ndjekin logjikën e tyre. Por, a mundet të largohen ata që janë më shumë? Ka patur edhe raste të tilla në histori edhe pse shumë rrallë. Organizimet sociale e shoqërore prandaj edhe janë të ndryshme. Vështirë të identifikojmë më të mirin.

Dekarti rreth kësaj çeshtjeje ka shkruar shumë e në fund është dorëzuar duke thënë se nëse ti nuk e ndryshon dot shoqërinë, bën mirë të ndryshosh veten. Nuk e di a jam dakord apo jo!?

Duket se, të dy versionet e shpjeguara më lart, janë të vërteta në realitet. Logjika shpjegon se ndër organizimet sociale kryesore peshorja anon shpesh në anën e kujt përbën shumicë. Pra duke përdorur të njejtin metër, grupet njerëzore, ashtu si çdo grup tjetër i gjallesave të këtij planeti, funksionojnë bazuar në parimin e shumicës. Me këtë logjikë, popujt e mëdhenj sundojnë më të vegjëlit e kështu me radhë. Nëse ne pranojmë se grupet udhëhiqen bazuar në këtë parim, atëherë vlera në grup mbetet shumica. Pra mjafton të jesh shumicë dhe fuqia jote është e përcaktuar. Sërish kemi një problem logjik edhe këtu!
Nëse i kthehemi gjallesave në tërësi, grupet përbëhen nga gjahtarë e prehë sipas zinxhirit ushqyes. Jo domosdoshmërisht grupet e gjahtarëve janë më të mëdhenj në numër, madje me logjikë duhet të jenë më të vegjël, për shkak të konkurencës mes tyre dhe të mbijetesës. E në fakt ashtu janë, më të vegjël. Hegjemonia e tyre varet kryesisht dhe vetëm nga natyra e tyre e egër. Sa më i egër dhe i fuqishëm aq më lart qëndron.

Nga ana tjetër, njeriu ka bërë gjithnjë diferencën me gjallesat e tjera, sepse ka ndikuar evolucionin e species së vet në mënyrë të drejtëpërdrejtë duke prishur ekuilibrat natyrorë. Njeriu është përpjekur që të thyej përpjestimin e të ndryshojë natyrën e egër duke zgjedhur logjikën kundër agresivitetit. Edhe kjo kërkon shumë debat. Për mua agresiviteti njerëzor kurrë nuk ka shteruar dhe do shterojnë ndonjëherë. Për fat të keq, ky evolucion vihet gjithnjë në pikëpyetje sa herë që prishen ekuilibrat e ngritur gjatë evolucionit bazuar në rregullat shoqërore. Përballemi shpesh me elementë të cilët mesa duket i përkasin rasteve të përshkruara më lart e si opsion të vetëm kanë agresivitetin natyral. Ky agresivitet shfaqet rëndomtë në ato shoqëri që janë të sëmura e vlerat janë antivlera.

Këtu po e mbyll se u zgjata më duket. 😀 Sa më shumë flasim, aq më shumë shtohen diskutimet…

Share: