Ish-oficeri Emiliano Nuhu në një lidhje live ekskluzivisht për “Top Story” ka akuzuar institucionet ligjzbatuese dhe qeverinë se nuk e kanë mbrojtur përballë krimit.
Nga arratia, Nuhu ka rrëfyer se si krerët e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, Ardi Veliu dhe Fatmir Xhafa, e shpërfillën totalisht e-mailin e tij zyrtar për aktivitetin kriminal të Redian dhe Ramazan Rrahjas në 2018-ën.
Nuhu tha se gjatë kohës që punonte si agjent i infiltruar ka informuar zyrtarisht Xhafajn dhe Ardi Veliun se personat e sipërpërmendur merreshin me aktivitet kriminal, trafik droge dhe vrasje me pagesë, por nuk ka pasur asnjëlloj reagimi.
Nëse Policia e Shtetit do të kishte hapur hetim, do ta kishte parandaluar atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja dhe s’do të kishte humbur jetën shoferi i Prokurorit, Andi Maloku, tha Nuhu.
“Për ata që s’më njohin unë jam Emiliano Nuhu, ish-oficer i stacionit të Fushë Krujës, detyra ime e fundit para se të largohesha nga Policia e Shtetit në 2018-ën. Kam mbajtur edhe detyra të tjera. Kam qenë 6 vite i infiltruar në terren, ku kam kryer edhe shumë operacione të tjera në territorin e Shqipërisë si i infiltruar mes grupeve kriminale.
Dua ta nis me fjalën “parandalim” që përdori zoti Ramallari në nisje të bisedës. Policia ka për detyrë parësore parandalimin e ngjarjeve kriminale. Në 2018-ën kur unë isha oficer i policisë gjyqësore në stacionin e Policisë Fushë- Krujë, për shkak të problemit që unë e kam denoncuar, kam informuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me e-mail zyrtar për aktivitetin kriminal të Redian dhe Ramazan Rrahjas dhe persona të tjerë të fisit Rrahja. I kam informuar që këta persona merreshin me aktivitet kriminal, me trafik droge dhe vrasje me pagesë. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk mora asnjë përgjigje minimale që e kanë për detyrë të pyesin: Ku e more informacionin? Çfarë është ky informacion? Ta verifikojmë apo të mos e verifikojmë?
Edhe nga Ministri i Brendshëm asnjëlloj reagimi. Koha doli që këta persona, pra Redian Rrahja do të dënohej me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja dhe vrasjen e shoferit të tij. Edhe Ramazan Rrahja është po në akuzë. Nëse Policia e Shtetit do të kishte hapur hetim, do ta kishte parandaluar këtë ngjarje dhe s’do të kishte këto pasoja sa të humbte jetën shoferi i Prokurorit. Por Policia dhe i gjithë institucioni i Ministrisë së Brendshme u kundërvu kundër meje. Ndoshta u vijnë në kujtesë edhe deklaratat e kryeministrit që do të më ‘ndiqte këmba-këmbës’”– tha Nuhu.
Top Channel