Home KRYESORE Rikthimi i eugjenikës

Rikthimi i eugjenikës

Fraser Nelson, The Spectator

“E vetmja mënyrë për pakësimin e rrjedhës së vazhdueshme të idiotëve, të mangëtëve dhe personave mendërisht të brishtë, të cilët ndihmojnë në mbushjen e burgjeve, shkollave të riedikumit, dhe azileve, është të mos i lejojmë të prodhojnë ata që njihen si të sëmurë mendorë. Padyshim mënyra më e mirë për ta bërë këtë është t’i vendosim këta të sëmurë nën kontroll. Edhe nëse kjo është vuajtje për individin, do të ishte e nevojshme për hir të mbrojtjes së racës.”

— The Spectator, 25 May 1912

Është e lehtë të mendosh tani për eugjenikën si një e keqe që buroi nga errësira në zemrat e nazistëve. Ne e njohim argumentin: disa njerëz lindin të fortë, disa të dobët, dhe të dyja palët ua përcjellin fëmijëve cilësitë e tyre. Kështu që për të përmirësuar shoqërinë, sipas kësaj logjike, ne duhet të inkurajojmë më të mirët e tyre të lindin dhe të bëjmë çfarë të  mundemi të mos lejojmë budallenjtë, të sëmurët dhe të këqijtë, t’u përcjellin fëmijëve gjenet e tyre me cen. Kjo u çua në ekstrem gjenocidi nga Hitleri, por themelet intelektuale u hodhën në Angli. Dhe kjo ide po rikthehet fuqishëm.

Njëqind vjet më parë misioni i eugjenikës bëhej me pak instrumente të vrazhda: dhënia rryshfet njerëzve “të duhur” të krijonin familje të mëdha, sterilizimi i më të dobëtëve. Përparimet marramendëse në shkencë tani kanë krijuar mundësi që eugjenistët vetëm mund t’i ëndërronin. Teknologjia e IVF sot na lejon të shohim embrionet e sëmundjeve të trashëgueshme si fibroza cistike. Por shpejt prindërit do të jenë në gjendje të bëjnë kontroll për të gjitha tiparet, nga ngjyra e flokëve te karakteri, dhe do të zgjedhin fëmijën prefekt.

Epoka e bebeve të projektuara, e portretizuar prej kohësh nga novelistët dystopianë dhe skenaristët, po mbërrin me shpejtësi. Sipas Hank Greely, profesor i ligjit dhe bio-shkencës, dhe dy brezat të tjerë mund pranojnë të lindin duke shpresuar te fati. Një sjellje e tillë, shton ai, shumë shpejt mund të shihet si sjellje e papërgjegjshme. Në librin e tij për botim, The End Of Sex[Fundi i seksit], ai shpjegon një botë të guximshme ku nënave do t’iu jepet një meny me mundësi biologjike të ndryshme. Por edhe ai i bën bisht botës që e përkufizon të gjithë këtë. Për profesor Greely-n dhe thuajse të gjithë ata në fushën e shkencave biologjike, eugjenike nuk përmendet fare, si për të shmangur që historia ka bërë një cikël të plotë.

Fjala “eugjenikë” u krijua më 1883 nga Francis Galton, një poliedrik që shpiku teknikën e gjurmëve të gishtave dhe shumë teknika të tjera të kërkimit statistik modern. Ai e nisi me një parandjenjë: kaq shumë njerëz të mëdhenj rrjedhin nga të njëjtat familje sepse gjeni është i trashëgueshëm. I mrekulluar nga argumentet evolucioniste të kushëririt të tij Charles Darwin, ai pyeti veten nëse mos përparimi në kujdesin shëndetësor dhe sigurimet shoqërore kishin prishur gjenet kombëtare sepse ato i lejonin të sëmurët dhe sakatët jo vetëm të mbijetonin, por të bënin jetë familjare normale. Ai nisi të mblidhte të dhëna dhe kështu krijoi teorinë e tij të eugjenikës.

Kjo u prit jo si një teori, por si zbulim – një shkencë e re për jetën njerëzore, me ligje po aq të pakundërshtueshme sa të Njutonit. Kështu mund të krijohet një racë njerëzish të talentuar, tha ai, “me aq siguri sa ne mund të krijojmë idiotë duke çiftuar budallenj.”

Disa nga emrat më të respektuar në historinë britanike e mbështetën këtë. Sekretari i Punëve të Brendshme, Çurçilli, i shkroi kryeministrit dhe i lutej të bënte diçka më shumë për të ndaluar “shumimin e të njerëzve me të meta.” Edhe vetë Darwin-in e kapi frika se “nëse të urtët nuk martohen ndërsa të pashpirtët martohen, anëtarët inferiorë ishin të prirë të furnizonin shoqërinë me numrin më të madh të anëtarëve.”

Më 1908, Komisioni Mbretëror përcolli lajmin e rëndë se në Britani ishin 150 000 njerëz “mendje brishtë”. Çfarë të bëhej me ta? Siç u shpreh një reformator: “Ata duhet të pranohen në varësi të shtetit… por me humbjen e plotë dhe të përhershme të të drejtave civile – jo vetëm të drejtën e sipërmarrjes por dhe lirinë civile dhe të drejtën për t’u bërë prindër.” Ky ishte William Beveridge, themelues i shtetit social.

Një raport në gazetën The Times e përcolli të qëruar substancën e një leksioni të mbajtur në Shoqërinë e Eugenics pas një sondazhi të bërë me banorët e Devon-it nga dr. Grunby.Sa i përket njerëzve me të meta mendore, ai tha se kishte vetëm një gjë për të bërë: të eliminoheshin sa të zbuloheshin. Ai e bëri këtë sugjerim bazuar në arsye krejtësisht humane.

Eugjenika përfaqësonte modernizmin: besimi në të do të thoshte të deklaroje besimin tënd te shkenca dhe racionalizmi, të çliroheshe nga parimet fetare. Disa nga emrat nga emrat më të respektuar në historinë angleze e mbështetën këtë. Peshkopi i Birmingamit bëri thirrje për sterilizim. Bertrand Russell e priste me padurim të ardhmen e frymëzuar nga eugjenika, jo feja. “Mund të imagjinojmë që, nëse njerëzit bëhen më pak supersticiozë, qeverisë do t’i jepet e drejta të sterilizojë ata që nuk pëlqehen të bëhen prindër,” shpreh ai më 1924.

Kur një projektligj për smerilimin u çua në parlament më 1931 kishte mbështetjen e punonjësve të shërbimit social, një duzinë autoritetesh lokale dhe establishmentin mjekësor dhe shkencor. Nuk u miratua dhe agjenda vazhdoi. Gjyqi u Nurembergut përcaktoi që nazistët (që e përdorën vonë këtë) kryen 400 000 sterilizime të detyruara – një shifër kaq e tmerrshme sa i eklipsoi 60 000 në Suedi dhe një shifër të njëjtë në SHBA. Ideja e ndarjes biologjike  në të shëndetshëm dhe jo të shëndetshëm nuk ishte shpikje naziste. Ajo ishte ide e pranuar në botën e zhvilluar.

Dhe ky është problemi. Për shkak se ne kemi harruar sa keq Britania u dha pas eugjenikës, ne nuk shikojmë argumentet bazë të eugjenikës kur na shfaqen – të cilat por rikthen tashmë me një rregullsi të mahnitshme.

Adam Perkins, lektor në King’s College të Londrës, ka botuar një studim të ngjashëm me përpjekjen e Komisionit Mbretëror për të numëruar personat e konsideruar mendje brishtë. Grupi që ai synon të studiojë janë  “personat që nuk punojnë”: ata që jetojnë me përkrahje sociale për shkak të kushteve gjenetike dhe që janë rritur në shtëpi ku s’punohet. Ai vlerëson me saktësi që 98 040 persona “ekstra” janë krijuar shteti social gjatë 15 viteve për shkak të rritjes në shpenzimet e përkrahjes sociale. Ata përbëjnë një “barrë gjithnjë e më të madhe për qytetarët funksionalë”.

Më 1938, gjermanët përdorën një poster me një sakat që shprehte zemërim për koston e kujdesit ndaj këtij personi (60 000 marka). Dr. Perkins përdor një version më të butë të kësaj ideje, llogarit një kosto vjetore 12 000 sterlina për person – jo vetëm përkrahje sociale, por dhe krimet që ndoshta ata do të kryejnë. Ilaçi që ai jep? Qeveria e Cameron-it të pakësojë përkrahjen sociale, që ata të kenë më pak fëmijë. Një zgjidhje eugjenike e përsosur.

Nuk ka asgjë monstruoze në lidhje me Dr Perkins, i cili ka jetuar me përkrahje sociale dikur, dhe asnjë origjinale në librin e tij. Ai thjesht bashkon pikat e studimeve akademike të fundit dhe artikulon ato që të tjerët nuk i thonë.

Në institucionet akademike, fjala “eugenics” mund të jetë problematike, por ideja jo. për profesor Julian Savulescu, kryeredaktor i revistës Journal of Medical Ethics, aftësia për të zbatuar “dizajnin racional” për njerëzit, duke redaktuar gjenet, ofron një mundësi për përmirësimin e racës – një foshnjë çdo radhë. “Kur bëhet fjalë për skanuar defekte personalitetit si alkoolizmi potencial, psikopatia dhe prirja për dhunë,” tha ai para ca kohësh, “mund të thuhet që njerëzit kanë detyrim moral të zgjedhin etnikisht fëmijë më të mirë.”

Ndërkohë, procesi shkencor për “fëmijë etnikisht më të mirë” po përparon me shpejtësi. Qysh kur Louise Brown u ngjiz në laborator 38 vjet më parë – fëmija i parë IVF në botë – ky trajtim ushtrohet gjerësisht, i kërkuar nga 100 gra në ditë në Britani. Zhvillimet në IVF do të thotë që, sot, disa embrionë mund të fertilizohen dhe  skanohen për sëmundje, dhe fituesi mbillet në uterus. Hapi tjetër u hodh vitin e kaluar, kur shkencëtarët kinezë arritën të modifikonin gjenet e një embrioni të fertilizuar. Ishte diçka problematike: ata u përpoqën të trajtonin 86 embrione të paafta për të mbijetuar dhe dështuan në shumicën e rasteve. Kështu që ata hoqën nga eksperimenti, duke thënë se në trajtimin e jetës së njerëzve duhej garanci për sukses 10 për qind.

Ky – modifikimi gjenetik i embrioneve njerëzore – është shqetësues. Por këtu, dhe në çdo pikë të eugjenikës së re, mund të thuhet: ku është problemi moral? Nuk ka vdekje, sterilizim, abortime: veç ngjizje shkencore e orientuar. Shmangia e sëmundjeve të mundshme, për përmirësimin e njerëzimit. Kështu që kush do të ankohet?

Një përgjigje erdhi katër muaj më parë, kur 150 shkencëtarë dhe studiues bënë thirrje për ndalimin e plotë të përmirësimit të gjeneve njerëzore. Ata mendojnë se teknologjia mund “ti hapë derën një epoke konsumimi të teknologjisë së lartë në eugjenikë”; prindërit do të zgjedhin cilësitë më të mira dhe do të krijojë një formë të re të njerëzve të modifikuar gjenetikisht.

Shqetësime të tilla nuk dëgjohen nga qeveria britanike, e cila kohët e fundit ndihmoi në krijimin e Institutit Francis Crick, një qendër e re nervore për kërkime bio-mjekësore. Pak javë më parë, institutit iu dha autorizimi të nisë një teknikë të re të kundërshtueshme për përzgjedhjen e gjeneve e njohur si CRISPR-Cas9. Për mbështetësit, kjo është dëshmi e pozicionit të Britanisë në krye të kërkimeve të reja. Për kritikët, kjo është dëshmi që Britania (një nga të paktat vendet që nuk e ndalon përdorimin e embrioneve njerëzore të fertiziluara në eksperimente) po zhytet sërish në shkencën e eugjenikës pa debat.

Në rastet e pakta që çështja është ngritur në Parlament, ministrat thonë që nuk e  mbështesin eugjenikën. Por, siç tha Chris Patten në Dhomën e Lordëve, kjo nuk ka ndonjë kuptim nëse nuk bëhen përpjekje për ta përkufizuar termin. Për David Galton, që ka shkruar për këtë temë shumë se çdo studiues britanik, përkufizimi është i thjeshtë. Nëse përdoret shkenca për të transmetuar te brezi tjetër gjenet më të mira, kjo është eugjenikë. “Fshehja e termit ose veshja e tij me një emër tjetër thjesht fsheh abuzimet e tmerrshme që janë shfaqur në të kaluarën dhe mund t’i joshë njerëzit me një lloj ndjenje sigurie.”

Ideja e eugjenikës së konsumit nuk është fantazi futuriste. Tashmë bankat e spermës mburren me skanimin për gjithçka, nga autizimi te flokët e kuq. Me 12 000 sterlina ju mund të zgjidhni se cilin embrion mund të mbillni. Dhe me 400 sterlina mund të blini llojin e spermës, që të lindni djalë (ose vajzë). E madje dhe në periferitë e Indisë, gratë e dëshpëruara për djem do të paguanin skanim para lindjes për të identifikuar – dhe abortuar – vajzat.

Instituti Francis Crick thotë se studimi për përzgjedhjen e gjeneve nuk ka asgjë të bëjë me eugjenikën; madje ligji britanik i ndalon shtatzënitë me embrionet nga gjene të përzgjedhura. Por nëse ia bën kërkime për përmirësimin e teknologjisë së përzgjedhjes së gjeneve, më shumë njerëz do ta përdorin atë. Kjo është arsyeja pse studiues si Robert Pollack, profesor në Universitetin e Columbia-s, kërkojnë moratorium për gjithë procesin e modifikimit të gjeneve njerëzore. “Unë imagjinoj, që shumë vit më pas, do të ketë vetëm dy lloje njerëzish: ata që mbartin trashëgiminë e përzier të paraardhësve të tyre, dhe ata që paraardhësit e tyre kishin burimet financiare për të pastruar qelizat e tyre para IVF”. E kështu do të arrihet në dy lloje njerëzish: në njerëzit e pastër gjenetikisht dhe gjithë të tjerët.

Zhvillimi i eksperimentit në Londër është shqetësues, thotë ai, pikërisht pse britanikët kanë shkallë të lartë suksesi. “Nuk është dështimi, po suksesi, që më shqetëson,” thotë profesor Pollack.

Rreth 130 vjet pasi Britania i dha botës idenë e përmirësimit të njerëzimit, ne jemi sërish buzë përparimit të kësaj shkence. Për mirë apo për keq, eugjenika është kthyer.

Share: