Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se po harton një strategji kombëtare për të luftuar islamofobinë, ndërsa Presidenti Joe Biden përballet me skepticizëm nga shumë myslimanë amerikanë lidhur me mbështetjen e tij të palëkundur për sulmin ushtarak izraelit ndaj Hamasit në Gaza, si reagim për sulmin e grupit militant ndaj Izraelit më 7 tetor.
Fillimi i përpjekjeve kundër islamofobisë është pritur prej muajsh. Në muajin maj, administrata e Presidentit Biden publikoi një strategji kombëtare kundër antisemitizmit, që gjithashtu u referohej përpjekjeve kundër urrejtjes ndaj myslimanëve.
Përpjekja mori vrull më të madh pas konfliktit vdekjeprurës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
Strategjia, një përpjekje e përbashkët e udhëhequr nga Këshilli i Politikave të Brendshme dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, synon të hartojë një plan me palët e interesuara për të mbrojtur nga diskriminimi, urrejtja, fanatizmi dhe dhuna myslimanët dhe ata që perceptohen si myslimanë për shkak të racës, origjinës dhe prejardhjes së tyre, tha Shtëpia e Bardhë.
“Njoftimi i sotëm është hapi më i fundit për të krijuar një grup ndërinstitucional për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet e qeverisë amerikane kundër islamofobisë, antisemitizmit dhe formave të ngjashme të paragjykimit dhe diskriminimit në Shtetet e Bashkuara”, tha përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
KRIMET
Në Illinoi, një burrë u arrestua nën akuzat për krimin e urrejtjes pasi theri me thikë për vdekje në djalë mysliman 6-vjeçar dhe plagosi nënën e tij. Autoritetet dhe aktivistë të të drejtave të myslimanëve thanë se sulmi ishte nxitur nga besimi fetar i viktimave dhe si reagim ndaj luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
SONDAZHET
Një anketë e opinionit publik nga Instituti Arabo-Amerikan, e publikuar të martën, tregon se për herë të parë që nga themelimi i tij në vitin 1997, shumica e arabo-amerikanëve nuk u identifikuan si demokratë.
Tridhjetë e shtatë për qind thanë se tani mbështesnin demokratët, 32 për qind thanë se ishin republikanë dhe 31 për qind të pavarur.
Dyzet për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për ish-Presidentin Donald Trump, kandidatin e mundshëm republikan në zgjedhjet e vitit 2024, një shtim i mbështetjes me 5% krahasuar me vitin 2020.
Sondazhi është prova më e fundit se fushata e zotit Biden për një mandat të dytë po humbet me shpejtësi mbështetjen e myslimanëve dhe arabo-amerikanëve për shkak të mbështetjes së tij të palëkundur ndaj Izraelit
360grade.al