Kongresi amerikan ka publikuar së fundmi një raport, në të cilin ka nxjerrë faktet që vërtetojnë se, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ish-ministër dhe disa këshilltarë të kreut të qeverisë, kanë shpenzuar rreth 6 mijë dollarë në hotelin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Uashington.
Detajet specifike të shpenzimeve janë pjesë e një raporti prej 156 faqesh të titulluar: “Shtëpia e Bardhë në shitje”, i përgatitur nga anëtarët të demokratëve të Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA.
Raporti në fjalë i cilëson pagesa të tilla si përpjekje për të ndikuar mbi ish-presidentin e SHBA-ve.
Sipas raportit, në janar dhe mars të vitit 2018, tre nga këshilltarët e kryeministrit Rama, shpenzuan secili mbi 1,000 USD, ndërsa vetë Rama shpenzoi 1,158 USD gjatë një vizite në mars 2018. Gjithashtu, po sipas raportit në fjalë, Damian Gjiknuri, atëherë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzoi për një qëndrim prej 1,025 USD në qershor 2018.
Shpenzimet përkojnë me një periudhë të trazuar në politikën shqiptare që erdhi pas zgjedhjes në detyrë të presidentit Trump. Sipas raportit, përplasja politike lokale në Tiranë u transferua në një përpjekje përtej oqeanit nga PD dhe PS për të influencuar administratën Trump nëpërmjet lobimit.
360grade.al