Home KRYESORE 3 pr/ligje të Bashës që presin të miratohen! Kryedemokrati duhet të “bindë”...

3 pr/ligje të Bashës që presin të miratohen! Kryedemokrati duhet të “bindë” edhe PS-në, edhe Rithemelimin për votat

Është projektligji i fundit, mes disa nismave ligjore të depozituara nga Lulzim Basha në Kuvend, kur kolegët e tij opozitarë vijonin aksionin bllokues të punimeve parlamentare: ndryshimi në rregulloren e Kuvendit, që lidhet me dorëzimin vullnetar të imunitetit.

Ky projekt-ligj, që kërkon shumicë të thjeshtë votash, erdhi në një kohë kur Kuvendi diskutonte imunitetin e Sali Berishës dhe kërkon që deputetët të nënshkruajnë në fillim të legjislaturës së re, një deklaratë, përmes së cilës heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti, në çdo rast që SPAK i dërgon një kërkesë Kuvendit.

Një tjetër projekt-ligj i depozituar nga Lulzim Basha është ai për ndryshimin e kodit penal, që kërkon 84 vota. Pas përplasjes me Gazment Bardhin për kullat në seancën e 5 tetorit, 2 muaj më pas Basha kërkoi ashpërsim të kodit penal për shpifjen, duke kërkuar 2 vite burg, kur shpifja bëhet nga foltorja e Kuvendit.

Paketa me të cilën Basha sfidon ligjvënësit e tjerë është vetting në politikë dhe ndryshimet për reformën zgjedhore: votë të emigrantëve dhe Shqipëria një zonë zgjedhore, të ri-depozituar në Kuvend këtë nëntor. Këto propozime duken të vështira për të siguruar numrin e votave, por po kaq të vështirë, për shkak të ndarjes së thellë të opozitës edhe në parlament, dhe krizës mes saj dhe maxhorancës e kanë dritën jeshile edhe një sërë nismash të tjera të mbetura pezull në Kuvend, si Avokati i Popullit, rritja e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses, apo amnistia penale, që këtë vit u zvarrit në kërkim të 84 votave.

360grade.al

Share: