Të hapura për t’u dhënë brenda 90 ditëve zgjidhje qytetarëve që padisin shtetin, gjykatat administrative tanimë janë kthyer në utopi.
Të treja gjykatat administrative janë bllokuar nga stoku i gjykimeve dhe në këto kushte, Gjykata e Apelit Administrativ, Ministria e Drejtësisë së bashku me KLGJ, shikon si shpëtim nga backlog vetëm ndërhyrjet në ligj. Një projektligj i shpërndarë palëve propozon ndryshim të ligjit për gjykatat administrative, si një formulë që do të ulë numrin e çështjeve të prapambetura në këto tre gjykata.
Ky projektligj vjen në të njëjtën kohë kur gjykata kushtetuese gjatë dhjetorit 2023 nisur nga padia e një qytetareje I kërkoi parlamentit të ndërhyjë në ligj për të shmangur zvarritjet, por projektligji nuk ka lidhje me kërkesën e kushtetueses. Burimet i thanë TCH se gjykata administrative kërkon ndërhyrjen e parë që është shpërbërja e trupave me tre anëtarë. Drafti i dorëzuar në kuvend propozon zhvillimin e disa proceseve administrative me vetëm një gjyqtar për gjykime si urdhrat e ekzekutimit dhe paditë e pensionit. Nga përllogaritjet konsiderohet se kjo ndërhyrje në ligj do të ndikojë në 20 përqind të volumit.
Momentalisht në Gjykatën Administrative të Apelit po gjykohen ende paditë e 2017, thënë ndryshe drejtësia në Shqipëri në këtë gjykatë është shtatë vjet me vonesë në dëm të qytetarëve. Stoku i dosjeve në këtë gjykatë ka shkuar në 24 mijë të tilla dhe po shqyrtohen nga 11 gjyqtarë, nga 13 që duhet të ishin në detyrë.
Burimet i bënë me dije TCH se në kushtet e stokut që ka prekur të gjitha gjykatat pranë KLGJ është ngritur një grup i posaçëm që po shqyrton mundësi të tjera të ndërhyrjeve në ligj. Një nga idetë më të diskutuara është opsioni i shtimit të numrit të gjyqtarëve në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese i ka tërhequr vëmendjen qeverisë një muaj më parë duke theksuar se sjellja e autoriteteve shtetërore, në veçanti e atyre që miratojnë politikat e sistemit të drejtësisë, nuk është në nivelin e duhur. Për kushtetuesen kjo gjendje vazhdon prej vitesh dhe mekanizmat e parashikuar i shërbejnë një kohe normale dhe jo situatës së jashtëzakonshme. Pas Gjykatës së Lartë e cila vuante nga backlogu përpara reformës së nisur në 2016, administrativja po përballet me të njëjtën krizë
Gjyqtarët administrativë dhanë alarmin “Sos” dhe kërkojnë ndihmë me ndërhyrje ligjore. Është çështje kohe që përmes KLGJ të njëjtën ndihmë ta kërkojnë edhe gjyqtarët e gjykatave të tjera.
Top Channel