NGA PETRO KARANXHA
Për një të ardhme më të mirë shqiptarët kanë emigruar nga vendi i tyre në këto 30 vite të demokracisë, në vende të ndryshme të botës. Ky largim ka sjellë lindjen e një fenomeni që mund ta quajmë kriza e identitetit shqiptar, sepse pavarësisht pasurisë kulturore të prindërve të tyre, gjenerata e dytë po e humbet lidhjen me identitetin e origjinës.
Kjo humbje e identitetit po sjell një krizë jo vetëm personale për fëmijët, por edhe një krizë familjare. Shumë prindër madje, pyesin veten pse fëmijët nuk i kuptojnë ose nuk e njohin sakrificën që të gjithë emigrantët e gjeneratës së parë kanë bërë gjatë këtyre 30 viteve të emigracionit.
Le të kujtojmë për një moment cilat ishin valët e emigrantëve në Perëndim, sidomos në Amerikën e Veriut.
Vala e parë e emigrantëve shqiptarë pas ndryshimit të sistemit nisi në fillim të viteve 1990 dhe vendosi themelet për një komunitet që përjetoi sfida të shumta. Ky mund të quhet edhe grupi i emigrantëve eksplorues, sepse ata erdhën pa asnjë mbështetje apo njohuri mbi vendin e imigracionit. Pas disa flukseve, si ato të viteve 2000 dhe më pas 2010, si dhe këto 5 vitet e fundit, kur arsyet kanë ndryshuar, vërehet se emigracioni nuk është më eksplorues dhe po bëhet gjithnjë e më shumë jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për arsye sociale. Komuniteti ka përballuar ndryshime të mëdha, sikurse dhe shumë sfida. Nga ana tjetër, me kalimin e kohës, po shihet qartë se fëmijët e emigrantëve, pavarësisht nëse janë lindur në Perëndim apo kanë ardhur këtej në një moshë të vogël, ata po ballafaqohen me një realitet të vështirë: humbjen e identitetit shqiptar.
Para se të vazhdoj shtjellimin e kësaj teme, do doja të jap një përkufizim të identitetit kombëtar të individit. Me pak fjalë, identiteti kombëtar është një ndjenjë e përbashkët e përgjegjësisë, solidaritetit dhe lidhjes emocionale të një grupi njerëzish me një komb të caktuar. Ky identitet shprehet përmes gjuhës, kulturës, historisë dhe vlerave të përbashkëta, duke ndikuar në ndjenjën dhe ndërgjegjësimin për bashkim dhe mbrojtje të trashëgimisë kombëtare. Identiteti kombëtar ndikon edhe në formimin e personalitetit individual.
Ndërkohë, ndikimi i kulturës perëndimore po e lëkund identitetin që përkufizuam më lart. Mospërputhja me normat tradicionale shqiptare apo dhe humbja e gjuhës shqipe kanë si pasojë krizën e identitetit tek brezi i dytë. Ky brez fëmijësh ndihet i ndarë midis dy botëve, me një këmbë në traditat e prindërve që nuk i kupton dhe këmbën tjetër në realitetin perëndimor, ku egoja individualiste përkëdhelet nga boshti pa vlera. Kjo kontradiktë ka filluar të shkaktojë një krizë personale dhe nxit pyetje identitare thelbësore. Shumë prindër pyesin veten pse i kanë bërë të gjitha këto sakrifica kur fëmijët nuk arrijnë të kuptojnë qëllimin e tyre, sepse sakrifica e prindërve është pjesë e traditës që lidhet me trashëgiminë, jo vetëm të familjes, por edhe të kombit.
Në qytete si New York apo Toronto, ku asimilimi dhe ndikimi i kulturës lokale është i theksuar, kjo problematikë bëhet akoma më e ndjeshme dhe fëmijët janë të detyruar të përballojnë një ngërç identitar, çka përbën një sfidë jo të lehtë për ta.
Përmes bisedave me disa prej tyre, të moshave të ndryshme, jam munduar të kuptoj se si e ndiejnë ata identitetin shqiptar. Përgjigjet ishin shumë të sinqerta, por edhe, fatkeqësisht, surprizuese. Atë që unë perceptova do ta shpreh me një parabolë: identiteti shqiptar është si një kafshë e lirë në pyll, ndërsa identiteti në Perëndim është si një kafshë në kopshtin zoologjik ose edhe në ambientin shtëpiak.
Ky konflikt mes identitetit të kafazit dhe atij të pyllit po sjell edhe humbjen e identitetit familjar. Brezi i dytë largohet nga trashëgimia kulturore, sepse ajo që është ndërtuar në shekuj i duket shumë e egër. Ky brez mund të afrohet me aspekte specifike kulturore si muzika, sporti, por jo me zakonet dhe ritet shqiptare. Rritja e tensionit mes brezave ka filluar të shkaktojë edhe një lloj krize në familje, për shkak të vështirësive të komunikimit të një pjese të prindërve në gjuhë të huaj apo vështirësive (apo mungesës) së të kuptuarit të shqipes nga fëmijët. Shpesh, prindërit ndihen të pasigurt në transmetimin e trashëgimisë së tyre tek fëmijët dhe kjo sfidë krijon tensione. Kjo më sjell ndërmend shprehjen e disa fëmijëve që thonë: “Unë kuptoj shqip, por nuk flas”. Ky “zhargon” është shumë i dëmshëm, sepse ata në të vërtetë kuptojnë disa fjalë, por jo mendimin që ato fjalë mund të transmetojnë.
Këto mendime po i shpreh për të tërhequr publikisht vëmendjen rreth këtij fenomeni por dhe për të sensibilizuar sadopak fëmijët dhe familjet mbi këtë disbalancë kulturore. Në këtë periudhë të ndjeshme, është e rëndësishme të adresohen krizat personale dhe familjare që shkaktohen nga humbja e identitetit. Komuniteti dhe familjet duhet të përqendrohen jo vetëm në nxitjen e bashkëbisedimit, por edhe në nxitjen e rikthimit të fëmijëve në rrugën e rilidhjes me identitetin e tyre shqiptar. Është i nevojshëm një angazhim i fortë me përkrahje emocionale për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë, pranojnë dhe vlerësojnë identitetin e tyre shqiptar në kontekstin e shoqërisë perëndimore. Nëse fëmijët nuk kuptojnë identitetin kombëtar shqiptar, ata nuk do kuptojnë prindërit e tyre dhe, si rrjedhojë, nuk do gjejnë as veten. Është shumë e vështirë të jesh shqiponjë në kafaz.
Nuk është e lehtë të mbash një komunitet të bashkuar, sidomos kur ke të bësh me një komunitet që luftën kryesore e ka bërë për mbijetesë dhe përpjekjet për të siguruar familjen në një vend të huaj. Shumë nga fëmijët e ardhur ose lindur këtu nuk e kuptojnë thelbin dhe ndjenjën e përgjegjësisë që prindërit kanë pasur për t’u siguruar një të ardhme më të mirë. Nuk them që fëmijët duhet të mendojnë për këtë çdo ditë, por ata duhet ndjejnë këtë si një pjesë thelbësore të identitetit të tyre.
Një iniciativë për të organizuar një qendër kulturore që ofron çdo javë aktivitete për komunitetin shqiptar mund të jetë një hap i rëndësishëm. Një kafe apo një ngjarje sociale mund të jenë të mjaftueshme për t’u treguar fëmijëve “përrallat” e emigracionit. Këto aktivitete mund të shërbejnë si hapësira ku fëmijët mund të ndajnë përvojat e tyre, të nxisin njëri-tjetrin dhe të formojnë lidhje të reja, duke krijuar kështu një atmosferë të mbështetjes dhe solidaritetit. Gjithashtu, organizimi i eventeve kulturore dhe edukative do të kontribuojnë në nxitjen e njohjes dhe ruajtjes së trashëgimisë shqiptare në mesin e brezave të rinj.
Në kërkim të identitetit të tyre, fëmijët e emigrantëve ballafaqohen me një sfidë të vërtetë personale dhe familjare, por duke përqendruar përpjekjet në ruajtjen e identitetit shqiptar, komuniteti dhe familjet mund të ndihmojnë në mbrojtjen e thelbit të trashëgimisë shqiptare në Perëndim. Kësisoj, çdo hap i ndërmarrë në këtë drejtim do të jetë një investim për brezat e ardhshëm të komunitetit.
Në mbyllje po kujtoj dy shprehje të vëllezërve Frashëri. Sami Frashëri ka thënë: “Dashuria për atdhenë lind nga dashuria për familjen”, ndërsa Naim Frashëri ka thënë: “Njeriu, po s’deshi kombin e tij, Mëmëdhenë, nuk ka pjesë nga njerëzia, s’do as vetëhenë.”
Le t’ua ngulisim në mendje këto shprehje fëmijëve tanë, që të mos humbasin identitetin personal dhe bashkë me të edhe identitetin shqiptar!
(Pedagog në Sheridan College, Toronto)
Top Channel