Home KRYESORE “Kod Zgjedhor pa hile”/ Ambasada Britanike: Mirëpresim thirrjen e Presidentit për një...

“Kod Zgjedhor pa hile”/ Ambasada Britanike: Mirëpresim thirrjen e Presidentit për një parlament aktiv

Ambasada britanike ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha se SHBA, BE dhe Britania e Madhe kanë ndërhyrë për të rikthyer komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore.

Përmes një deklarate, trupa diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë thekson se mohon të ketë ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike ndërsa bën thirrje për nxitjen e dialogut. Po ashtu, ambasada mirëpret thirrjen e Presidentit Begaj për një parlament aktiv.

Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.

Ne mirëpritën thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh.

Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”- tha ambasada britanike.

Top Channel

Share: