Nga Fadil Maloku
Gjykojë që ka shumë arsye dhe motive, që ata që ne i kemi identifikuar e trajtuar si:
a) “bashkësi ndërkombëtare” (një vetëemërim i qendrave të vendimmarrjes, ku hyjnë një konglomerat; vendesh shtetesh, e kontinentesh!), si,
b) “qendra vendimmarrëse”, (sepse, farkohen fatet e kombeve dhe shteteve), dhe si,
c) “miq tanë” (një eufemizëm që aludon te zyra amerikane, por, që më pastaj u zgjerua edhe në atë; gjermane, angleze, franceze, e besa kohëve të fundit…edhe izraelite(!), pa e anashkaluar edhe Brukselin), të kenë interesa vitale dhe nga më të ndryshme në këtë Kosovën tonë të vogël…!
1. Arsyeja e parë, dhe kryesore është se këto “qendra.., marrëveshjet dhe negociatat”, apo edhe “kontratat”, e para kontraktuare (pasi që më parë; i studiuan, përpunuan, analizuan, etj.) i lidhë përmes agjensioneve të tyre profesionale…,duke i pajisur me “karta identiteti”, të besueshmërisë, lojalitetit dhe benifiteve tjera, njerëz dhe grupe nga më të ndryshme të rajonit, në mënyrë që në fazat e mëvonshme “emancipuese”, t’i shndërrojnë në; heronj, lider autoritar, e prototipa autokrat…, siç janë sot!
2. Arsyeja e dytë, është se; ky soj heronjsh, liderësh dhe autokratësh të tanishëm u bënë aq të shkathët në profesionin e ri…, sa që arritën të mësojnë me shpejtësi meteoritësh leksionin e parë elementar, atë: të futjes në vesh të “asaj” që “qendrat vendimmarrëse” kishin dëshirë gjithnjë të dëgjonin (mbajtjen e premtimit për detyrimet e marra) nga soji i heronjve dhe autokratëve të ardhshëm… Këta heronj dhe lider, në vendet e tyre (me të mbaruar proceset e filluara…) filluan silleshin me aq arrogance, indolencë dhe autoritarizëm klasik, sa që “padronët” e fituan bindjen, se vetëm të njëjtit mund t’i qojnë përpara agjendat e tyre për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit!
3. Arsyeja e tretë, ka të bëjë me vënien e monopolit të plotë të kësaj kaste politike, apo liderësh, heronjsh, e autokratësh, mbi shtyllat e; parlamenteve, gjyqësive, policive, etj. Si edhe varfërimin sistematik të qytetarisë… përmes bankrotimit total të ish kompanive shoqërore e shtetërore, që prodhuan me shpejtësi rritje enorme të papunësisë…pra, varfërisë masovike dhe varësisë socio-ekonomike nga punëdhënësit e rinj (pra, oligarkët shtetëror!) me origjine dhe fuqi kryekëput politike. Pra, politikanët kapitalistë të ndërlidhur edhe me mafinë edhe nëntokën bankaro-financiare…
4. Arsyeja e katërt, ka të bëjë më fuqizimin e raporteve dhe rinegocimin e interesave klanore, klienteliste të këtyre autokratëve nga pozicionet e fuqisë politike, me nëntokën tjetër oligarkike, prej nga zhvatej ish pasuria shtetërore dhe ajo e cilësuar si shoqërore. Duke krijuar kështu një skemë zinxhirore; politikan, sekserë dhe oligarkë të fuqishëm ekonomik!
5. Arsyeja e pestë, qëndron në lojën brilante të këtyre grupeve mafioze politike, për ta vënë në “gjumë” të thellë masën e gjerë të qytetarisë… Kurse, në ndërkohë duke korruptuar, shantazhuar, mashtruar, ngarkuar (me detyra e obligime; partiake, patriotike, e ikonografi tjetër…), kërcënuar e blerë krerët e bajraqeve nëpër gjitha rajonet e Kosovës, të cilët u pasuruan brenda nate nga pushteti dhe shteti i ri “demokratik”.
6. Arsyeja e gjashtë, është se këto “qendra vendimmarrëse”… më shumë e kishin, dhe akoma e kanë hallin e qetësisë dhe stabilitetit të rajonit (midis tjerash; interesave gjeostrategjike, politike, ekonomike, ushtarake, e kulturore), se sa të demokratizimit dhe demaskimit të krimit dhe korrupsionit…Që ndryshe, nënkupton një kalkulim për tolerim dhe mosndëshkim të mëtejshëm të lidershipit tashmë edhe të kriminalizuar….
7. Arsyeja e shtatë, ka të bëjë padyshim me nivelin e vlerësimit të kohës dhe momentit për t’i pensionuar… të njëjtit: lider, heronj, e tipa autokratësh që i kishte katapultuar “momenti historik” (vala e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi nga zgjedha serbe në Kosovë), në mënyrë që të hapet mundësia për gardën e re teknokratësh…Të cilët, do jenë shumë më shumë kompatibil me proceset dhe rrethanat e reja: sociale, politike, ekonomike, e kulturore te rajonit.
P.S. Me siguri ka edhe arsye tjera…)