Home KRYESORE Shqipëria e famshme, Shqipëria e panjohur

Shqipëria e famshme, Shqipëria e panjohur

Nga Artur Zheji

Ermonela Jaho, këngëtarja jonë operistike, me sa duket këngëtarja shqiptare, më e madhja e të gjitha kohërave derimë tani, fitoi një Superçmim Botëror Operistik.

Pas triumfeve në Metropolitan Opera të New York-ut, në Operan Shtetërore të Berlinit, në Operan e Parisit apo në Operan Mbretërore të Madridit, ky Yll shqiptar, është sot, sunduesja e skenave më fisnike të Botës. Të tilla ambiente pra, ku nuk mund të afrohesh dot kollaj as si pastruese dhe as si spektator, e jo më si një mbretëreshë me skeptër suksesi.

E tillë si Ermonela Jaho!

Në çdo vend normal të botës, kur një Yll i tillë, me shkëlqim të tillë, që buron në të vërtetë, nga një krijesë modeste dhe gjak prej gjakut tonë, fiton një vlerësim të tillë botëror, do të bëhej një pothujase festë mediatike, popullore apo shtetërore!

Trasversale! Përtej të Majtës dhe të Djathtës, apo të Djathtës e të Majtës, dasi kjo, që ua plasi shpirtin shqiptarëve. Të cilët më së shumti, ndjehen thjesht shqiptarë, të pa interesuar për luftën 25 vjeçare politike.

Sepse ky vlerësim është më shumë se sa një gol! i shënuar, edhe kundër Barcelonës, edhe kundër Realit apo Bajernit, të marrë njëherësh!

Sepse ky vlerësim, prodhon perceptim pozitiv për Shqipërinë, më shumë se sa të investonte shteti ynë, në spote publicitare në CNN, me vlerë qindra milionë euro!

Për të dëshmuar me mund dhe me qindra milionë të derdhura, që nuk jemi një vend që prodhojmë veç Cannabis sattiva të cilësisë së lartë. Apo vrasës me pagesë fantastikë, të pashpirt dhe ta pagabueshëm!

Apo për të dëshmuar se nuk jemi Atdheu i një klase politike, gërryer në mënyrë të pashërueshme nga korrupsioni, nga mosdashuria e thellë për popullin e vet, nga paaftësia për të vënë në punë energjinë e më të mirëve, që të bëhen realisht sa më mirë, punët e thjeshta të këtij vendi që shkojnë mbrapsht!

Sepse i tillë është egocentrizmi, egoizmi, perceptimi gati i sëmurë nga vetëkënaqësia, që shumëkush që na drejton, ka për veten.

Ermonela trupvogël, e brishtë, e ndrojtur, e fisme, ashtu si kohë më parë Nënë Tereza, një tjetër ikonë e një tjetër dimensioni, janë ndër të paktat “marka” apo “brand” – e të Mëdha, që Shqipëria e vogël, ka pjellë dhe ka lëshuar si dëshmimtare të egzistencës së saj.

Dhe si misionare, që provojnë se nuk jemi aspak prej një fare apo rrace inferiore, si edhe vetë trajtohemi në më të shumtën e rasteve. Në atë që bëjmë dhe në atë prodhojmë keq e mos më keq, ditë pas dite!

Egsiston pra, një Shqipëri e famshme, që në vetë Shqipërinë tonë të përditshme, mbetet pothuajse e panjohur, ose e pa vlerësuar!

Shumë kush thotë me këtë rast, sa mirë që nuk jetoi në Shqipëri, Ermonela Jaho, se do të kish përfunduar koriste dhe do të blinte ushqimet me listë, te dyqanxhiu nopran, i dyqanit plot zhul të lagjes.

Dhe do të mendohej mirë kur të blinte një robë të mirë për të veshur, në outletet shqiptare të dorës së tretë. Sepse nuk do të mundte dot, të blinte canta apo këpucë, apo ruaza perlash, që hijeshojnë gratë tona politikane apo drejtoresha. Apo gratë dhe dashnoret e bossave tanë, të drogës apo politikës.

Dhe nuk do ti dilnin dot paratë për të paguar qetësisht, dritat dhe ujin.

Nuk do të shkonte dot të krihte bukur e me formë, flokët përpara një koncerti të sponsorizuar nga ndonjë mafioz lagjeje me shumë lekë, nuk do kish dot një studio ku të bënte prova dhe do ti duhej të hypte në autobuzat e pjerdhur urbanë, të kryeqytetit tonë, ditëve me shi.

Dhe kështu, nëse nuk do të largohej nga sytë këmbët në Neë York, për të filluar prej andej, pushtimin e Botës Operistike, Ermonela Jaho, do të vërtitej e pashpresë, për të dalë, kundrejt pagesës nën dorë, në ndonjë cep televizioni, për të belbëzuar ndonjë fjalë dhe për të promovuar ndonjë këngë, gjithësesi, sigurisht të kënduar mjeshtërisht, port ë pavlerësuar nga askush!

Ndërkohë që ne shqiptarët, do të ishim edhe në atë rast, të pavëmendshëm ndaj saj, sepse për natyrën që ka, Ermonela nuk mund të rrihet përshembull me grushte, edhe po të jetonte në Shqipëri, me dashnoren e dashnorit, fakt që mund ta bënte të famshme në Fshatin tonë.

Share: