Bankat rritën normat e interesave të kredive por jo depozitave ndaj vitin e shkuar fituan para si kurrë më parë. Në këtë përfundim ka arritur Banka e Shqipërisë teksa paralajmëron se “ditët e mbara” për sektorin bankar do të vijojnë por jo me këto ritme.
“Bankat kanë qenë më të shpejta në rritjen e normës së interesit të aktiveve se sa në rritjen e normës së interesit të detyrimeve. Megjithatë në tërësi normat e interesit gjatë kësaj periudhe kanë ardhur në rritje. Në lidhje me të ardhmen ne presim që gradualisht fitimi i sektorit bankar të kthehet pranë vlerave të mesatares afatgjatë”, tha Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH.
Dhe bashkë me rënien e fitimeve, 11 bankat tregtare në vend mund të përballen me zhvillime të cilat mund të cenojnë qëndrueshmërinë e tyre.
“Ne vlerësojmë se rreziqet janë gjithnjë të pranishme. Ju kemi kërkuar bankave që të shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të forcuar mekanizmat e kontrollit.”
Gjatë vitit të shkuar 11 bankat në vend regjistruan 28.5 miliardë lekë fitime nga 23.8 miliardë gjatë 2022-shit. Krahasuar me vitin 2018, për shkak të rritjes së normave të interesit, fitimet e bankave u zgjeruan me 3.5 herë.
360grade.al