Nga Alma Lleshi.
Mund te flitet çdo ditë për Kadarenë!
Mos nguroni!
I lejojmë vetes përditshmërisht të na bllokojnë trurin banalitetet e rrjetit, dhe madje i komentojme e i bëjmë VIP-a të rutinës sonë të rëndomtë.
Çdokush e ka diçka për të thënë. Unë shumë.
Unë dhe shumë miq të mi ia kemi “përpirë” rreshtat e vargjet me një etje zhuritëse. Etje ndaj te padukshmes, të paimagjinueshmes, të pathënës e të paqenës.
Ja kështu pluskonim të tërë mes madhështisë së shkrimit. Kështu humbja, teksa shkruaja edhe në një konkurs, i cili shenjoi dijet e mia më pas.
Pyetja se ku qëndron gjenialiteti i veprës së Kadaresë u bë çelësi magjik për të fituar të drejtën e studimeve universitare. Sepse kam shkruar aq shumë, saqë nuk doja të mbaroja. E nuk po kuptoja, a po shkruaja ato që gjeniu kish shkruar, apo çfarë unë bluaja vetë në mendje! Pëzierje e çuditshme fantazish. Por që ia dola.
Përdora çoroditjen emocionale dhe frazat e tij përtej jetësores sonë të vogël.
E nuk e besoja që kisha fituar të drejten e studimeve. Shkova dy herë në sekretari, ndërkohë që profesor Shezaiu më tregonte emrin tim dhe pikët.
Të shkoje në shkollë të lartë atëherë, qoftë edhe për të studiuar Kadarenë, ishte një fat i madh.
Si të mposhtje një ëndërr mashtruese. Të triumfoje mbi pamundësinë që ta kishin parashkruar të tjerët padrejtësisht.
“E kishte ditur që zbrastësia kishte një forcë katastrofike. Retë rrinin të ngrira dhe zogjtë, si të nderonin një pakt, s’dukeshin askund. Kështu duhej të kishte qenë ai fund apo fillim stine, kur Zotat, ashtu siç dyshohej prej kohësh, e kishin braktisur përfundimisht rruzullin tokësor.
Qielli ndahej pambarim, i shqyer nga trishtimi, i patënzonë, pas asaj ikjeje, shkakun dhe drejtimin e së cilës nëpër gjithësi s’e dinte askush…”
Zgjodha të të përcjell me rreshtat e tu, që më erdhën si një lule e ftohtë në mesin e verës.
Ndriçofsh në përjetësi!