Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi para’ për blerjen e hotel Dajtit,...

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi para’ për blerjen e hotel Dajtit, ndihmoi Halilin të shmangë taksat, Sejko 165 mijë euro për të blerë Range Rover

Një projekt-raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i sigluar konfidencial, hedh dyshime se Banka Qendrore është përfshirë në shkelje të shumta ligjore, duke shpenzuar për mallra luksi si dhe emetimin e parave për të investuar në pasuri të patundshme.

Shtatë vjet pas nisjes së punimeve për rikonstruksion dhe afro 1 dekadë e gjysmë pas blerjes së godinës ikonike të hotelit të famshëm “Dajti” në bulevardin qendror të Tiranës, Banka e Shqipërisë hapi dyert për të pritur punonjësit e saj në një ceremoni që kishte në fokus promovimin e turizimit.

“Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti,” tha guvernatori Gent Sejko, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama gjatë përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar.

“Ky monument kulture, i cili i është kthyer tashmë thesarit të trashëgimisë tonë kulturore, u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës,” shtoi Sejko, ndërsa pranoi se “projekti i rijetëzimit ishte sa impenjativ aq dhe shpërblyes”.

Vetë kryeministri Edi Rama e falënderoi guvernatorin që zhvilloi një takim me fokus turizmin si aktivitetin e parë në godinën e rikonstruktuar.

“Faleminderit guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë për këtë aktivitet, që me sa kuptoj është i pari në mjediset e këtij institucioni, që përveçse institucion qendror i Republikës është monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, tanimë i rikthyer në identitet por me një funksion tjetër,” tha Rama.

Vetëkënaqësia e shprehur nga dy zyrtarët e lartë të shtetit për rikonstruksionin e ndërtesës mund të jetë e kuptueshme, duke llogaritur kohën e gjatë që projekti ka marrë.

Por një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2017, i siguruar nga BIRN, tregon se falenderimet e dy zyrtarëve duhet t’u drejtoheshin qytetarëve, pasi ata kanë dhënë kontributin kryesor për blerjen dhe rikonstruksionin e godinës.

KLSH ka konstatuar në auditin e saj se Banka Qendrore ka printuar kartëmonedha për të blerë me 4 miliardë lekë [30 milion euro me kursin e kohës] në vitin 2010, godinën e rrënuar të hotelit dhe truallin përreth.

Raporti sugjeron se dhe financimi i shpenzimeve për rikonstruksionin e godinës qendrore në sheshin “Skënderbej” është bazuar në emetimin e parave, pasi rezervat në llogari për këtë qëllim nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se i emetimi i parave nga Banka e Shqipërisë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët nëpërmjet rritjes së inflacionit.

“Në momentin që merret vendimi për printimin e parave dhe efekteve që prodhon ky vendim, rritet niveli i inflacionit sepse vendimi përkthehet në ofertë monetare të shtuar dhe çmime më të larta, veprim të cilin e pësojnë në kurriz qytetarët,” tha Pano Soko, ekspert i ekonomisë dhe anëtar i Nismës Thurje.

Printimi i parave për investime në pasuri të patundshme nuk është i vetmi problem i identifikuar nga KLSH. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë në një rast dyshohet se ka ndihmuar një kompani private të shmangë pagesën e detyrimeve tatimore dhe kredisë bankare.

Raporti i auditit të KLSH-së shtrihet si në periudhën kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ashtu edhe gjatë periudhës së drejtuar nga guvernatori aktual, Gent Sejko. Emetimi i parasë i filluar gjatë periudhës që Fullani drejtonte bankën për blerjen e hotel Dajtit, dyshohet se mund të jetë vazhduar nga pasardhësi i tij Sejko për të financuar rikonstruksionin e godinës.

Sejko gjithashtu akuzohet nga grupi i auditit i KLSH-së se pas marrjes së drejtimit të institucionit më të lartë financiar të vendit, u përfshi në një procedurë të dyshimtë prokurimi për blerjen e një makine luksoze ‘Range Rover’.

Banka e Shqipërisë tha në një përgjigje për BIRN se gjetjet e audituesve që sugjerojnë shkelje janë pjesë e raportit paraprak, por jo përfundimtar, që sipas Bankës u rishikua pas vënies në dispozicion të dokumenteve.

“Nuk ka patur gjetje dhe asnjë rekomandim në raportin e KLSH, por pjesë e raportit paraprak, i cili, sikurse parashikon procesi, u rishikua nga ana e auditorëve si rrjedhojë e paraqitjes të dokumentacionit përkatës dhe bazës ligjore relevante nga ana e palës së audituar,” tha BSH.

“Emetimi i monedhës, sikurse parashikohet në ligj, bëhet në funksion të plotësimit të nevojave të ekonomisë me para, dhe në asnjë moment për të financuar shpenzimet e vetë institucionit”, shtoi Banka Qendrore.

Ish-kreu i KLSH për vitet 2011-2020, Bujar Leskaj i tha BIRN se vendimi i tij për ta klasifikuar raportin si konfidencial merrte parasysh specifikat e Bankës Qendrore.

“Duhet të jetë shpjeguar në Vendimin e Kryetarit, mbështetur në specifikën e subjektit që auditohet dhe sensibilitetin e çështjeve të trajtuara dhe se i është përcjellë Këshillit Mbikëqyrës të BSH,” tha Leskaj, duke shtuar se gjetjet kryesore janë edhe në Raportin për Zbatimin e Buxhetit dhe Raportin e Performancës së KLSH, që i janë përcjellë Kuvendit dhe Komisionit të Ekonomisë.

Ish-guvernatori Ardian Fullani nuk i’u përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN deri në publikim e këij shkrimi.

Blerja e “Dajtit” me emetim parash

Banka e Shqipërisë është institucion kushtetues i ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atë financiar, dhe organi i vetëm që siguron prerjen e tërheqjen nga tregu të monedhave dhe kartëmonedhave. Bankës Qendrore i lejohet procesi i prerjes dhe asgjësimit të parave në bazë të rregulloreve rigoroze, në mënyrë që të shmanget ndikimi në ekonomi me ulje apo rritje të ofertës monetare.

Për të siguruar pavarësinë në vetëfinancimin e saj, Banka e Shqipërisë realizon të ardhura nga operacionet e kredive njëditore, komisionet e obligacioneve dhe interesat në investimin e rezervës valutore dhe letrave me vlerë shqiptare.

Ligji e lejon Bankën që nga të ardhurat e saj të zbresë shpenzimet vjetore dhe të mbajë 25% të tyre si rezervë të përgjithshme, derisa fondi të arrijë 37.5 miliardë lekë, pjesa tjetër duhet të transferohet në buxhetin e shtetit.

Hotel “Dajti” u ndërtua gjatë periudhës së pushtimit fashist të Tiranës mes viteve 1939-1942 dhe njihet si pjesë e monumenteve të kulturës të trashëguara nga ansambli i arkitektit fiorentinas, Gherardio Bosio, i cili ka dizenjuar edhe stadiumin “Qemal Stafa” apo Teatrin Kombëtar, godinë që fatkeqësisht nuk ekzistojnë më.

Hoteli mbeti i hapur si një nga destinacionet kryesore të kryeqytetit gjatë regjimit komunist, duke pritur vizitorët e rrallë që vinin në Shqipëri, ndërsa mbylli dyert në mesin e viteve 2000 për shkak të degradimit dhe mungesës së investimeve.

Nga viti 2007 deri në vitin 2010, vit në të cilin u krye transakasioni për blerjen e ish-Hotel Dajtit, Banka Qendrore ka transferuar 24.5 miliardë lekë [181 milionë euro me kursin e kohës] fitime në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe nuk janë lënë rezerva për të financuar investimet kapitale, çka për Kontrollin e Lartë të Shtetit është krijuar bindja se paratë për blerjen e hotel Dajtit janë printuar dhe kanë ndihmuar qeverinë e kohës me likuiditet.

“Si rezultat i veprimeve të mësipërme nga viti 2010 rezervat për investime kapitale të kryera dhe parashikuara janë më të vogla se vlera e investimeve kapitale,” shkruan KLSH, ndërsa shton se “trendi i hendekut është paraqitur negativ nga viti 2010 duke kapur një vlerë prej rreth 7 miliard lekë në vitin 2014, ulur në rreth 6.37 miliardë lekë në vitin 2016 si rrjedhojë e amortizimit”.

“Nga sa më sipër rezulton se shpenzimet kapitale të Bankës së Shqipërisë të kryera në periudhën 2010-2014 janë financuar me emetim/rritje të ofertës monetare,” shton KLSH në projekt-raport.

Eduart Gjokutaj, ekspert financiar dhe drejtues i qendrës Altax, i tha BIRN se emetimi i parasë është i lidhur me plotësimin e nevojave të ekonomisë për para të gatshme dhe të përshtatshme për qarkullim, por gjithmonë duke u bazuar te monitorimi dhe analiza e tregut monetar.

“Nëse e analizojmë emetimin e parasë të lidhur thjesht me nevojat për një transaksion që duhet të kryente qeveria, kuptohet që këtu ka një konflikt të pastër me strategjinë e BSH, por edhe një cedim të integritetit të saj duke ju nënshtruar nevojave të qeverisë dhe jo të ekonomisë”, theksoi ai.

Dyshimet se qeveria “Berisha” u ndihmua me para nga Banka Qendrore u denoncuan edhe nga socialistët në opozitë në vitin 2010.

“Një operacion i pastër që nuk justifikon blerjen e këtij objekti nga ana e Bankës së Shqipërisë, por që dëshmon qartësisht dhënien e parave nga ana e Bankës së Shqipërisë, për arkat bosh të qeverisë së Sali Berishës” do të deklaronte atë vit deputeti Erion Braçe.

Por me të ardhur në pushtet, socialistët duket se ulën dalëngadalë tonet jo vetëm për çështjen e Hotel Dajtit por dhe për shpenzimet e luksit në Bankën Qendrore të denoncuara shpesh nga ata, ndërsa votuan emërimin si anëtar të Këshillit Drejtues, Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave që e akuzuan për këtë aferë.

KLSH deklaron se praktika e printimit të parave ka vazhduar dhe në vitet e tjera për rikonstruksionin e godinës qëndrore në Sheshi Skënderbej, ndërsa hedh dyshime se edhe paratë për rikonstruksionin e Hotel Dajtit gjatë kohës që në krye të bankës u emërua Gent Sejko, nuk kanë qënë në llogari.

“KLSH vëren, bazuar në të dhënat e paraqitura, që aktivet fikse në bilancin e Bankës së Shqipërisë për një vit do rriten me 700 milionë lekë (1.4 miliardë investime minus 700 milionë lekë amortizim) ndërkohë rezerva e cituar, e cila ka kundërparti, nuk do të ndryshonte,” shkruhet në projekt-raportin e auditit.

“Pra vlera prej 700 milionë lekësh rritje neto e investimeve në bilanc në vit për vitet 2016-2018, nëse nuk do mbahen rezerva të reja nga fitimet, nuk mund të mbulohet nga rezervat aktuale dhe rrjedhimisht do financohet me emetim/rritje të ofertës monetare në vitin e investimit”, shtoi KLSH.

Sipas Eduard Gjokutajt, ky operacion duhet të ishte miratuar fillimisht nga Këshilli Mbikëqyrës.

“Në lidhje me financimin e shpenzimeve për krijim/rritje të aktiveve, natyrisht që mungesa e rezervës ligjore duhet të ishte marrë një vendim më së pari nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, për mbulimin e humbjeve dhe më tej të mendohej për vendime që lidhen me aktivet,” tha ai.

“Me hedhjen e parave të reja në ekonomi pa disponuar një analizë specifike apo edhe periodike, duke ju nënshtruar edhe kriterit të transparencës dhe llogaridhënies (mbajtje konfidenciale e veprimit të emetimit) krijon në vetvete një ndryshim të ekuilibrit të sasisë (ofertës) së parasë vendase në qarkullim,” shtoi Gjokutaj, ndërsa theksoi se rasti në fjalë “ka një ndikim mjaft të kufizuar dhe nuk ka efekte direkte në treg.”

Gjithsesi, ekspertët theksojnë se rritja e ofertës monetare në treg ka një kosto për qytetarët dhe ata që e kanë marrë këtë vendim duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Nga pikëpamja e përgjegjësisë se kush mban përgjegjësi për rëndimin e jetës së qytetarëve dhe në atë pasojë që mund të ketë sjellë kjo shifër që ka ndikuar në rritjen e ofertës monetare, përgjegjësia është e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,” deklaroi Pano Soko.

“Justifikimet që janë nxjerrë për të marrë këtë vendim, janë ato që duhet të hetohen,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “nëse qëllimi ka qenë ndryshe nga justifikimi aty kemi një diskordancë.”

KLSH dyshon gjithashtu se jo vetëm që janë emetuar para, por vlera e blerjes së godinës së Hotel Dajtit dhe truallit të saj ka qënë më e lartë se tregu, çka është vërtetuar dhe në vlerësimin që Banka Qëndrore i ka bërë asetit në janar të vitit 2015.

Sipas vlerësusve, godina e Hotel Dajtit bashkë me truallin nuk kushton më shumë se 2.4 miliardë lekë, ndërsa banka ia bleu qeverisë për vlerën 4 miliardë lekë, 70% më shumë, duke rezultuar me 1.6 miliardë lekë dëm ekonomik.

BSH dyshohet se ndihmoi kompaninë Halili të shmangë taksat

Për vite me radhë, një pjesë e stafit të Bankës së Shqipërisë u akomodua në një godinë në afërsi të zonës së Selvisë në kryeqytet, që njihet si kompleksi “Halili”. Godina zotërohet nga kompania e presidentit të Klubit të Futbollit Tirana, Refik Halili – i dërguar së fundmi në gjyq me akuzën e fshehjes së të ardhurave nga Prokuroria e Tiranës.

Por sipas projekt-raportit të auditimit të KLSH-së, Klubi i Futbollit Tirana nuk është subjekti i vetëm që nuk ka përmbushur detyrimet fiskale. Edhe kompania tjetër e tij, “Halili” shpk ka rezultuar debitore për pagesën e sigurimeve shoqërore në periudhën e marrë në vlerësim. Ky subjekt ka patur të lidhur një kontratë qiraje me Bankën Qendrore, procedurë ku KLSH ka gjetur shkelje të njëpasnjëshme.

Dokumentacioni i audituar nga KLSH tregon se në momentin që është hapur procedura e drejtpërdrejtë “Marrje me qira e ambienteve të reja në Kompleksin Halili, për një periudhë 3-vjeçare” në vitin 2016, kompania Halili rezultonte debitore ndaj shtetit shqiptar, konkretisht Drejtorisë së Tatimeve, për pagesën e sigurimeve shoqërore ndaj punonjësve. Në të dhënat publike, firma Halili rezultonte në atë kohë në regjistrin e debitorëve të tatimeve, ndërsa në ekstraktin e saj kishte një vendim të autoriteteve tatimore për bllokimin e llogarive.

Pavarësisht kësaj situate, komisioni i prokurimit ka vijuar negocimin e kontratës me shoqërinë “Halili” shpk, duke hequr si kriter depozitimin e vërtetimit se subjekti nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara, kusht i cili përcaktohet si thelbësor në rregulloren e prokurimit të bankës. KLSH dyshon se kërkesa vetëm e ekstraktit të kompanisë si person juridik, “krijon hijen e dyshimit se qasja e tillë është e menduar për të favorizuar këtë subjekt për sa kohë që vendimarrja është e paracaktuar”.

Kjo tezë përforcohet pasi në fund të procedurës me fond limit 790 mijë euro për 3 vjet, është konstatuar se derdhja e pagesave të qirasë për vitin e audituar 2016 në vlerë 32.6 milionë lekë [240 mijë euro me kursin e kohës] është bërë në llogarinë e administratores së kompanisë, Xhakonda Halili dhe jo në llogaritë e shoqërisë. KLSH konstaton se përmes këtij veprimi, institucioni i Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar subjektin që të shmangë përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke shkaktuar efekte negative në buxhetin e shtetit.

“Nga konstatimi i kryer, KLSH kërkoi të investigonte kohëzgjatjen e kësaj dukurie, llogaritë e përdorura dhe vlerat përkatëse të transferuara, por ky informacion nuk është paraqitur prej subjektit të audituar,” thuhet në raport.

KLSH ka mbajtur të njëjtin qëndrim dhe pas kundërshtive që ka bërë Banka Qendrore.

“Ligji dhe udhëzimi për procedurat tatimore, ndryshe nga sa pretendohet nga Banka, njeh si llogari për kryerjen e pagesave “llogarinë e tatimpaguesit”, në këtë rast llogarinë e subjektit Halili shpk, dhe në asnjë rast nuk parashikon pagesa në llogari personale të administratorëve” sqaron KLSH.

BIRN ka gjetur se llogaritë e firmës Halili kanë rezultuar në këtë periudhë të bllokuara dhe nga një shoqëri përmbarimore për llogari të bankës BKT. Zyra “Ardael” ka urdhëruar sekuestro mbi kuotat e shoqërisë më datë 27 maj 2015 për një kredi të pashlyer dhe e ka hequr sekuestron në vitin 2018, pas shlyerjes së detyrimeve.

Pronari i kompanisë ‘Halili’, Refik Halili, nuk iu përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN, ndërsa Banka Qendrore sqaroi se detyrimet tatimore dhe debitore të shitësit të shërbimit nuk ishin përgjegjësi e saj.

“Banka e Shqipërisë ka detyrim që të kryejë pagesën sipas të dhënave të faturës tatimore të lëshuar nga shitësi dhe këtë pagesë ta kryejë në llogarinë bankare të kërkuar dhe të vetëdeklaruar po nga shitësi”, tha BSH në një përgjigje me shkrim

“Detyrimet debitore ndaj subjekteve të ndryshme ndiqen sipas procedurave përmbarimore nëpërmjet llogarive rrjedhëse në bankat tregtare,” shtoi BSH.

Blerja e Range Rover për guvernatorin e ri

Në nisje të detyrës së tij si guvernator i Bankës së Shqipërisë në shkurt të vitit 2015, Gent Sejko trashëgoi një automjet të markës BMW Seria 7, të cilën e kishte përdorur më parë paraardhësi i tij, Ardian Fullani.

Disa muaj më pas, duket se makina nuk konsiderohej tërësisht e përshtatshme për postin e drejtuesit të Bankës Qendrore, ndaj në projekt-buxhetin e vitit 2016, guvernatori i propozon Këshillit Mbikëqyrës që të miratojë një fond me vlerë 450 mijë euro (kursi i asaj periudhe) për të mundësuar blerjen e 10 automjeteve.

Kërkesa bazohej në një dokument që kishte hartuar administrata e bankës, ku argumentohej se flota ishte e vjetër, makinat kishin kosto të lartë për riparime dhe shpenzime karburanti.

Pavarësisht këtyre sqarimeve, Këshilli Mbikëqyrës refuzon të miratojë të gjithë fondin menjëherë, duke e ndarë atë në dy vite buxhetore: për 2016-n do të financohej blerja e 5 makinave dhe 5 të tjera do të merreshin vitin pasardhës. Administrata tashmë kishte në dispozicion 344 mijë euro për të kontraktuar mjete të reja për 5 administratorët e Bankës, mes të cilëve dhe guvernatori Sejko.

Sipas projekt-auditit të KLSH, procedura përfundoi në fund me blerjen e 4 automjeteve, ku afro gjysma e fondit, 165 mijë euro, u përdor për t’i blerë guvernatorit Sejko një fuoristradë të re të markës ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë. Vlera e blerjes e rendit mjetin në listën e makinave më të shtrenjta që përdorin krerët e shteteve dhe institucioneve – jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon dhe në Evropë.

Pjesa e procedurës së blerjes së makinave është hequr nga raporti përfundimtar i KLSH-së për Bankën e Shqipërisë.

Një burim pranë KLSH-së i tha BIRN se “ndërhyrjet gjatë periudhës së auditimit në Bankën Qendrore ishin të shumta dhe se në raportin final, disa pjesë të rëndësishme u hoqën, përfshirë këtu dhe blerja e mjetit Range Rover”

“Në KLSH dihej se projekt-raporti është mendimi i grupit të punës dhe përfundimtari i kryetarit Leskaj”, shtoi i njëjti burim.

Sipas audituesve, si propozimi për rinovimin e flotës së automjeteve, ashtu edhe procedura e blerjes së tyre është bërë në shkelje. Grupi i punës thotë se nuk ka patur një shpjegim që të justifikojë gjendjen e makinave që duhet të ndryshoheshin dhe amortizimin e secilës prej tyre. Projekt-raporti konstaton se përgjegjësi i parkut të automjeteve fillimisht ka kërkuar shtimin me 10 makina, por kur është hapur procedura për blerjen e 4 makinave në maj të vitit 2016, ka miratuar ndarjen e fondit “duke marrë vendime kontradiktore”.

“Në shkresat e sipërcituara, argumentet janë zëvendësuar nga një përshkrim i përgjithshëm, pa arritur të justifikohet nevoja për automjete nëpërmjet një analize të qartë dhe teknike, por edhe nominale për secilin automjet që nuk e kryen më funksionin e tij.” thuhet në projekt-raportin e auditimit të siguruar nga BIRN.

Ndarja e fondit që mundësoi blerjen e fuoristradës luksoze u bë në fshehtësi, duke anashkaluar vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës, i cili kishte dhënë miratimin për të blerë 5 makina dhe pa bërë diferencime në vlerën dhe llojin e tyre.

“Ndarja e fondit limit për blerjen e një automjeti tip fuoristradë me vlerë 22.400.000 lekë dhe të tre automjeteve tip autoveturë me vlerë 23.949.000 Lekë është realizuar jashtë planifikimit të buxhetit vjetor të miratuar prej Këshillit Mbikëqyrës, megjithëse relacionet drejtuar Këshillit nuk përcaktojnë diferencime në llojet e automjeteve të cilët nevojiten për t’u bërë pjesë e parkut” konstatoi grupi i audituesëve të KLSH-së.

Sipas Pano Sokos, ky prokurim ngre dyshime se nuk është ndjekur rrjedha ligjore.

“Problemi ligjor është se në momentin që vjen drejtuesi i ri, jo domosdoshmërish çdo dëshirë e tyre duhet të bëhet realitet dhe administrata duhet të zbatojë vendimet e bordit dhe buxhetin e miratuar prej tij”, tha ai.

“Dalja nga këto detyrime që erdhi kur u zgjodh kreu i ri i bankës duke shpërfillur kuadrin ligjor është një vepër penale dhe që duhet hetuar,” shtoi Pano Soko.

Procedura për blerjen e 4 makinave gjatë vitit 2016 u zhvillua përmes një tenderi sekret, duke i dhënë të drejtë autoritetit kontraktor që të përzgjedhë ofertuesit, në shkelje të hapur me rregulloren e prokurimit në Bankën e Shqipërisë.

Rregullorja lejon zhvillimin e procedurave të kufizuara vetëm në rastet kur fondi limit nuk kalon vlerën 90 mijë euro në rastet e mallrave, ose kur kandidatët që i ofrojnë ato janë një numër i kufizuar operatorësh në treg.

“Mallrat e kërkuar nuk janë të kufizuar vetëm nga operatorët ekonomik të ftuar dhe vlera e fondit limit për mallrat e prokuruar është disa herë më e madhe se kufiri i përcaktuar për kufizimin e tij,” konstatohet në projekt-raportin e KLSH.

“Në kryerjen e prokurimeve, vetë rregullorja e Bankës së Shqipërisë përcakton qartë dhe tavanet e shumave që tenderohen në tenderat e hapur dhe të kufizuar. Shuma që përmendet e tejkalon këtë tavan me të paktën 2.5 herë,” thotë Gjokutaj.

Kandidatët që Banka Qendrorë ftoi për të marrë pjesë në garë ishin Autostar Albania, Hari Lena Group, Classic, Tirana Auto dhe Porche Albania. Në qershor të vitit 2016 janë kualifikuar si kandidatë për të dhënë oferta kompanitë Autostar Albania dhe Tirana Auto.

Edhe klasifikimi i këtyre kandidatëve është bërë në kundërshtim me rregulloren e prokurimit kanë konstatuar audituesit e KLSH, pasi kompania Tirana Auto ishte palë në një proces gjyqësor me objekt “detyrim përmbushje kontrate”, çka në kuptim të rregullores së prokurimit, duhet të ishte kriter për ta përjashtuar nga gara.

Në fund të procedures, Banka Qëndrore bleu një fuoristradë ‘Range Rover’ për 165 mijë euro nga kompania Tirana Auto e cila reklamon ekskluzivitetin e markës Land Rover dhe 3 autovetura me fond total 176 mijë euro nga Autostar Albania që ofron eksluzivitetin e markës ‘Mercedes-Benz’.

“Nga pikëpamja morale, problemi është më i thellë, ku harrohet se jemi në vendin më të varfër dhe paga mesatare është e tillë që nuk përballon dot një makinë që kushton 2 mijë euro,” tha Soko.

Banka e Shqipërisë pretendoi në një përgjigje me shkrim se për prokurimin e automjeteve, shpenzimet ishin bërë sipas buxhetit të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës.

“Në rastin në fjalë janë respektuar fondet vjetore të parashikuara për zërin “Automjete” sipas buxhetit të Bankës së Shqipërisë të miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës,” tha BSH.

Rregulloret e BSH për transparencën në shpenzime nuk ndryshuan

Largimi i guvernatorit Ardian Fullani nga Banka e Shqipërisë mund t’i lihet rastësisë po aq sa dhe keqmenaxhimit, por thuajse një dekadë më pas, zotimet e ndërmarra nga pasardhësi i tij, Gent Sejko në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nuk duket se janë përmbushur.

I ardhur nga sektori bankar, Sejko u duk si një kandidat i përshtatshëm për të ndryshuar fytyrën e institucionit të Bankës Qendrore në kohën që ishte përfshirë në skandalin e madh të zhdukjes së 713 milionë lekëve, ndërsa pati një konsensus politik për postin e tij nga të gjitha forcat kryesore parlamentare.

Gent Sejko është sot në mandatin e dytë dhe në vitin e dhjetë të drejtimit të Bankës së Shqipërisë, por ende mund të konsiderohen të mbajtura premtimet e tij për zbardhjen administrative dhe rikuperimin e shumës së parave të vjedhura në thesar, rishikimin e rregulloreve që lidhen me transparencën e institucionit dhe uljen e shpenzimeve të larta për paga dhe shërbime që konsiderohen si një luks i tepruar për institucionet publike.

Fondi i pagave në Bankën e Shqipërisë është rritur me 32% më shumë se një dekadë më parë, ndërsa shpenzimet administrative janë 6-fishuar.

Debatet për shpenzimet e luksit të Bankës Qëndrore janë ngritur me shqetësim për vite me radhë nga deputetë të Kuvendit, e sidomos nga socialistët gjatë periudhës kur ishin në opozitë. Deri më tani, ligjvënësit nuk kanë marrë asnjë nismë për të ndryshuar ligjin bazë të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës ka vijuar të mbajë në fuqi të njëjtat rregullore prokurimi duke bërë që Banka Qendrore të jetë i vetmi institucion ku tenderat zhvillohen me zarf.

Rekomandimet për ndryshime i ka lënë disa vite rresht dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në raportin e vitit 2017 kërkon rishikim të menjëhershme pas ka rregullore “ku baza e tyre ligjore është e shfuqizuar prej vitesh.” KLSH ka konstatuar se për disa rregullore për të cilat janë lënë rekomandime ndër vite, janë përmirësuar dhe ndryshuar.

BSH i tha BIRN se rregullorja e prokurimit është përditësuar vazhdimisht dhe se pavarësisht faktit se tenderat zhvillohen me zarf, procedurat e prokurimit zhvillohen në prani të palëve që marrin pjesë.

KLSH ‘fshehu’ raportin

Raporti i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit u kundërshtua nga Banka e Shqipërisë në disa observacione, por pas diskutimeve, grupi i auditimit vendosi që gjetjet lidhur me emetimin e parave të qëndronin edhe në raportin përfundimtar, i cili nuk u publikua kurrë.

Ekzistenca e tij duket se dihej vetëm nga një grup i vogël i deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë, Banka e Shqipërisë dhe KLSH. Për herë të pare, raporti përmendet në rezolutën e miratuar në vitin 2018 nga Kuvendi për veprimtarinë gjatë vitit 2017 të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nxit Kontrollin e Lartë të Shtetit të thellojë më tej hetimin e blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e financimit me emetim të monedhës, pavarësisht faktit se të ardhurat mund të ishin të mjaftueshme për të bërë një blerje të tillë,” deklaroi gjatë leximit të rezolutës së KLSH-së deputetja socialiste, Blerina Gjylameti.

Por çështja e emetimit të parave është hequr nga rezoluta përfundimtare e miratuar dhe publikuar në Fletoren Zyrtare.

“(KLSH) të thellojë dhe të përshpejtojë procedurat e auditimit mbi privatizimin e hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë, për të rritur transparencën e këtij procesi dhe për të forcuar përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit,” thuhet në rezolutën e publikuar.

Në një përgjigje për BIRN, kreu i KLSH-së në atë periudhë, Bujar Leskaj tha se në vitin 2019, ‘nuk kemi patur mundësi të auditonim kërkesën në fjalë.”

‘Besoj duhet të jetë kryer në vitet në vijim”, theksoi ai.

Dhe pse kanë kaluar 7 vjet nga përfundimi i raportit të auditimit, KLSH nuk e ka publikuar atë, ndërsa refuzoi dhënien e tij pas një kërkese të drejtuar nga BIRN me arsyetimin se “raporti konsiderohet konfidencial për shkak të informacioneve që përmban” duke iu referuar nenit 27 të ligjit “Për organizimin e dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

BIRN dërgoi një ankesë pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, duke argumentuar se ligji bazë i KLSH-së nuk i jep tagrin të klasifikojë dokumente dhe raportet mund të kufizohen vetëm nëse grupi i auditimit ndeshet në informacione të klasifikuara dhe pajiset me çertifikata sigurie, çka nuk ka ndodhur në këtë rast. Zyra e Komisionerit ndodhet në proces të shqyrtimit të ankesës.

“Mbajtja e raportit të auditimit konfidencial tregon frikën nga gjetjet, por dhe se fytyra e institucionit nuk ndryshoi nga drejtimi i ri,” tha Pano Soko.

“Drejtimi i ri nuk shkoi për të mbrojtur të mirën publike,” përfundoi ai. (BIRN)

Share: