Home Gjeo-Ekonomia Intrigat në Ballkan dhe puçi kundër Vuçiqit!

Intrigat në Ballkan dhe puçi kundër Vuçiqit!

Nga Lis Bukuroca

Në gushtin e nxehtë të këtij viti,
ndodhën zhvillime të rëndësishme në Ballkan.

Deputetja britanike Alice Kearns, pat paralajmëruar disa muaj para sulmit terrorist në Kosovë, se nëpër kisha serbe, po shpërndaheshin armë. Ajo e dinte në Londër, por jo KFOR-i dhe as policia e Kosovës. Ose, ndoshta, edhe e dinin, por nuk e parandaluan. Mund të mendohet se nuk e dinin, përndryshe do ta kishin penguar hyrjen.

Sidoqoftë ata terroristë kaluan kufirin të pakontrolluar, por të armatosur, u përfshinë në një përplasje që rezultoi me vrasjen e një polici dhe tre terroristëve, por ata u kthyen me nxitim, si kur njeriu i vonuar vrapon për ta marrë autobusin. 

Ata erdhën të armatosur, vranë një polic, lanë pas vetes tre shokë të vdekur dhe ikën të çarmatosur. Kosova e filmoi largimin e tyre. Askund në botë nuk lejohet arratisja e kriminelëve, në Kosovë u lejua dhe u dokumentua. Për atë sulm terrorist, në Serbi u mbajtën tri ditë zie. Kaq. Nuk ka aktakuzë as në Kosovë, as në Serbi, thua se jemi një shtet, mirëpo, duhet të ketë një arsye të madhe.  

Cila? Perëndimi kërkon arrestimin e Radojçiq-it, ashtu si e kërkon edhe arrestimin e vrasësve të vëllezërve Bytyqi tash e më shumë se dy dekada. Ata nuk duan të ushtrojnë shumë presion ndaj Vuçiqit, ata i luten atij.

Pse?

E para: është shumë e mundur se në grupin terrorist ka qenë edhe djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq-it. Supozimi se djali i tij mund të ishte përfshirë, bazohet në hyrjet e tij të shpeshta në Kosovë dhe provokimet që ai ka bërë, por dhe mburrja e Vuçiq-it me djalin kur ai i ekspozohej rrezikut. Mund të besohet se ´Vuçiq ishte i gatshëm për ta flijuar djalin.

Pse nuk arrestohen terroristët në Serbi? Sepse atje përjetohen si çlirimtarë. Nëse terroristët do të arrestoheshin, ata do të tregonin edhe për djalin e Vuçiqit. Duket i besueshëm ky supozim, sidomos kur merren parasysh zhvillimet e fundit. Dikush ka interes të mbrojë Vuçiqi-n në pushtet. Kush është ky dikush? Perëndimi, sepse ky është më properëndimor sesa klani tjetër pro rus i Vulinit dhe Daçiqit.

E dyta: para disa javësh Aleksandër Vulin vizitoi Moskën, ku presidenti rus Vladimir Putin e njoftoi se Perëndimi po përgatiste një grusht shtet në Serbi. Në një kohë kur Perëndimi kishte firmosur një kontratë për litiumin. Pak e besueshme, apo fare, por cila është e vërteta? Rusia ka interesat e saj dhe është e mundur që ajo të ketë planifikuar rrëzimin e Vuçiqit për të sjellë Vulin-in në krye.

Deklarata manipuluese e Putinit, publike, mund të arsyetojë edhe shfaqjen e shefit të shërbimit sekret amerikan në Ballkan. Ai fillimisht vizitoi Serbinë për të tërhequr vëmendjen se sulmi i planifikuar nga Vulin në Kosovë, ndoshta edhe me dijen e Vuçiqit, nuk do të lejohet dhe se do të ketë një përgjigje të ashpër nga NATO. 

Më pas, ai vizitoi Bosnjën dhe paralajmëroi se aventurat e Milorad Dodik-ut, një tjetër aleat i Putinit, nuk do të tolerohen dhe se çdo veprim i tij do të ketë një përgjigje konkrete. Pas kësaj Dodik tha se kurrë nuk e kishte pasur ndërmend ndarjen, edhe pse dhjetëra herë e ka përsëritur. Uli bishtin si këlysh, por dje e kishte luhatur përsëri. Bishtin e uli edhe Vuçiq-i. Domethënë Amerika po bëhej serioze, Ukraina (Perëndimi) po depërton në Rusi, Serbia po kupton sa është ora.

Me ardhjen e shefit të shërbimit sekret amerikan, duket se SHBA-ja u tregua përsëri  e vendosur dhe se e ka kuptuar se Ballkani nuk ndryshon dhe nuk bindet me lutje apo përkëdhelje. Nacionalistët e Ballkanit kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Kategorike.

Në fund, William Burn erdhi në Kosovë dhe i bëri të qartë kryeministrit Kurti se larg i lejohet të shkojë. Ndoshta në atë kontekst i është thënë Kurtit, se ka rrezik për një luftë të re, të cilën Rusia dëshiron ta nisë për të destabilizuar Ballkanin dhe Europën. Kjo është një pikëpamje që duket e saktë në këto çaste të rëndësishme për Perëndimin dhe Rusinë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se Aleksandar Vulin është shpallur “persona non grata” nga Shtetet e Bashkuara, por sot ai është zëvendëskryeministër i Serbisë. Kjo do të thotë se aleati i Putinit mban një nga pozicionet më të larta në qeverinë serbe, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar dhe duke ngritur shqetësime për ndikimin rus në Ballkan.

Për fund, unë mendoj se shefi i Shërbimit Sekret Amerikan erdhi në Ballkan për t’i treguar qeverisë serbe se Putini po përgatiste një grusht shteti kundër Vuçiqit me ndihmën e Aleksandar Vulin-it.

Mund të supozohet se atyre u janë prezantuar incizime, biseda apo fakte të tjera që kanë bërë që Serbia tani të mbushet mend, në fakt Vuçiqi. Nga ana tjetër, ata i kanë treguar Kurtit se forcat terroriste janë të përgatitura për të sulmuar Kosovën dhe se tani nuk është çasti  i duhur për të hapur një front tjetër. Kjo ka ndikuar që Kurti të mbushet mend dhe se interesat strategjike amerikane, perëndimore, janë më të rëndësishme se ato të një ure në Kosovë. Ata kanë investuar shumë në Vuçiq-in dhe duan të ndihmojnë mbijetesën e tij. Kjo është arsyeja pse vitet e fundit janë sjellë aq butë me të.

Kurti është bindur. Është bindur edhe Dodik, dhe natyrisht edhe Vuçiq-i. Çfarë pritet? Pritet një mënjanim i Vulin-it apo i Vuçiqit. Një pro perëndimor me vepra dhe një pro rus me vepra, nuk mund të qëndrojnë në krye të një vendi. Jo gjatë.

Hamendje, po, hamendje, por kur nuk ka informata të besueshme, nuk mbetet tjetër përpos të kërkohet e vërteta duke u bazuar me faktet që shihen.

Share: