Home KRYESORE TË RINJTË ZHVILLOJNË NJË SEANCË INFORMUESE PËR REFORMËN NË DREJTËSI

TË RINJTË ZHVILLOJNË NJË SEANCË INFORMUESE PËR REFORMËN NË DREJTËSI

  • Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe Lidershipi i të Rinjve të Tiranës (LRT), në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve / CRCA Shqipëri ditën e Martë, datë 12 Korrik 2016 organizuan në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit një Seancë Informuese për Reformën në Drejtësi me kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi Z. Fatmir Xhafaj, si dhe me dy deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë Znj. Vasilika Hysi dhe Z. Pandeli Majko, të cilët kanë kontribuar në hartimin e Draft Reformës në Drejtësi.

    Qëllimi i kësaj seance ishte informimi i të rinjve, organizatave rinore të shoqërisë civile dhe jo vetëm, mbi Reformën në Drejtësi si dhe impaktin që kjo e fundit do të ketë në të ardhmen për çdo të ri dhe qytetar në mbarë vendin.

    Kjo seancë ishte një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë të cilët patën dëshirë për t’u informuar më tepër rreth procesit në të cilin ka kaluar hartimi i Reformës në Drejtësi. Gjithashtu shërbeu si një hapësirë për adresimin e çështjeve dhe pyetjeve për të cilat të rinjtë ende nuk kanë një përgjigje!

    Realizimi i kësaj seance erdhi si rezultat i ndjekjes në vijimësi dhe hap pas hapi të çdo:

    – diskutimi të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi të pasqyruar në media; – takimi të kryetarëve të grupeve parlamentare mes njëri-tjetrit, trupave diplomatikë si dhe me aktorë/përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë; – takimi mes kryetarit të Partisë Socialiste, njëkohësisht Kryeministër i Shqipërisë Z. Edi Rama me kryetarin e Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha; – takimi mes kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë Z. Ilir Meta me kryetarët e Partisë Socialiste dhe Demokratike; – takimi mes Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Z. Donald Lu, Ambasadores së Bashkimit Europian Znj. Romana Vlahutin me përfaqësues të disa prej partive politike më të mëdha në vend.

    Takime këto, të cilat kanë patur si qëllim draftimin e një reforme konsensuale në drejtësi, ku të gjitha palët politike të mund të kishin mundësinë e nevojshme për t’u përfshirë.

    te rinjte reforma1Pavarësisht zhvillimit të takimeve me përfaqësues dhe aktorë të sipërpërmendur, deri ditën e sotme nuk ishte organizuar asnjë takim apo seancë informuese me të rinj, përfaqësues të organizatave rinore të shoqërisë civile dhe jo vetëm, rreth “Reformës në Drejtësi”, si dhe impaktit që kjo e fundit do të ketë për të gjithë qytetarët dhe në veçanti për të rinjtë në mbarë vendin.

    Përgjatë seancës, mes të tjerash Z. Xhafaj tha: “Është diskutim shumë i rëndësishëm ky që bëhet sot me të rinjtë për reformën në drejtësi, sepse për 25 vite me rradhë shqiptarët nuk kanë mundur të shijojnë thelbin e shtetit dhe drejtësinë. Në vite ky pushtet është dobësuar gjithnjë e më shumë duke u shndërruar sot në më të korruptuarin, të varur e të komanduar nga partitë politike. Sistemi sot nuk është i aftë dhe kjo mungesë profesionalizmi nuk i jep integritet dhe forcë për t’u ndeshur me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

    te rinjte reforma2

    Si rrjedhojë e kësaj, këtij sistemi duhet t’i japim pavarësi!” Në fund të fjalës së tij, Z. Xhafa u shpreh se shoqëria dhe në veçanti të rinjtë duhet të jenë sa më të informuar rreth reformës në drejtësi, si dhe të luajnë një rol aktiv në miratimin e saj. Në përfundim të seancës, deputetët e komisionit të posacëm nxitën të rinjtë pjesëmarrës t’i drejtojnë grupit pyetje edhe në platformën online

    http://refromanedrejtesi.al/pyetje-dhe-pergjigje

Share: