Frymëmarrja e tokave të pushtuara
ngjizet me hirin e Hënës.
Lulet çelin mbi pellgje
të thëngjillta lotësh.
Shpresat treten
në humnerat e kohës,
bashkë me to, dhe gëzimi i së nesërmes.
Historia shkruhet me idealin e të shtypurve,
me triumfin e uzurpatorëve,
me vajin e dëshpëruar të nënave,
me gjakun e lutjeve të dëlira.
Kënga e dhembjes
thuret nga tingujt e eshtrave.
Ëndrrat priten
me gërshërët e vdekjes;
të njëjtat gërshërë
që kanë të gjithë diktatorët.
Të gjithë vampirët e lirisë
dhe urryesit e jetës.
Ato mbartin kutërbimin e Hiroshimës,
klithmat e Srebrenicës, plagët e Ballkanit,
makthet e Kosovës, errësirën e Holokaustit,
panikun e Ukrainës, lotët e pandalshëm të Gazës…
peshën e të gjitha marrëzive të përbindshme…
që nga vëllavrasja e Abelit –
gjer te përpëlitja e një zemre të pafajshme.
Dhe bota i ngjan një varri të hapur,
mbetur në mëshirën e Zotit…