Home I pakategorizuar U prit me protesta në Selanik, Rama: Më shkaktojnë keqardhje, “Vorio Epiri”,...

U prit me protesta në Selanik, Rama: Më shkaktojnë keqardhje, “Vorio Epiri”, term i vdekur me kohë e me vakt

Kryeministri Edi Rama është pritur në Selanik me protesta nga nacionalistët grekë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tregoi se ka marrë edhe kërcënime, por shtoi se ndaj atyre që “mbajnë akoma gjallë ëndrrën e Vorio Epirit” mund të ndjejë vetëm keqardhje.

Teksa Greqisë i referohet në çdo fjali si fqinje dhe mike, Rama shtoi se ndaj grupit që e priti me protesta ka të njejtat konsiderata që ndan për ata që në Shqipëri që “ushqejnë ndjenja jomiqësore” ndaj shtetit helen.

“Në vijim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara, diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash, të gjalla të së shkuarës, janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes sime këtu për t’ju takuar ju. Me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epiri. Ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime të cilat mua shkaktojnë vetëm keqardhje. Njëlloj siç më shkakton keqardhje edhe çdo spazëm e kujtdo qoftë edhe në Shqipëri që ushqen ndjenja jomiqësore ndaj Greqisë fqinje dhe mike. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë edhe me vakt. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe të individëve të dalë boje e të dalë kohe… Kush e përdor akoma termin, kur flet për jugun e Shqipërisë, tregon vetëm dritshkurtësinë dhe paaftësinë e vet për të jetuar në shekullin e XXI. Këto janë fosile për gjynah, por nuk janë arsye që të ushqejmë brenda nesh ndjenja jomiqësore ndaj Greqisë.”

360grade.al

Share: