Prezenca dhe Sekretariati i OSBE-së mbështesin autoritetet shqiptare për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive financiare të paligjshme
Nga 4 deri më 7 nëntor 2024, prokurorë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit zhvilluan një vizitë studimore, në Itali, të fokusuar tek aspektet operacionale të hetimeve financiare. Vizita u kurua nga Drejtoria Hetimore Antimafia dhe u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, eksperti i sigurisë i Policisë së Shtetit italian dhe eksperti i Guardia di Finanza-s nga ambasada italiane në Tiranë, si edhe nga Shërbimi Italian për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor. Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së dhe Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale në Sekretariatin e OSBE-së kontribuuan në organizimin e vizitës.
Objektivi kryesor i vizitës ishte mbështetja për Policinë e Shtetit shqiptar dhe Prokurorinë e Posaçme të SPAK-ut në luftën kundër pastrimit të parave të kapitalit të fituar në mënyrë të paligjshme dhe zbatimi i masave për rikuperimin e aseteve me synim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar transnacional.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar delegacionit, drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia, Gjeneral-Komandant i Guardia di Finanza Michele Carbone, nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla në forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe identifikimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.
Vizita konfirmoi efektivitetin e veprimeve për të luftuar krimin e organizuar në kuadër të bashkëpunimit midis dy shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.
Vizita ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetja për agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”. Ajo u zhvillua edhe në lidhje dhe me mbështetjen e projektit rajonal të OSBE-së “Forcimi i përpjekjeve për rikuperimin e aseteve në rajonin e OSBE-së”, i cili financohet nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.