Nga Mentor Kikia
Sa herë vjen 8 dhjetori, fillon ajo gara mes “dhjetoristave” se kush ka dhënë më shumë kontribut për rrëzimin e diktaturës.
Historia nuk shkruhet në fb, por unë po përpiqem të risjell shkurtimisht ca fakte që tregojnë se ne nuk e shëmbem diktaturën dhe komunizmin, ne nuk e vendosëm dot demokracinë dhe ende tërhiqemi zvarrë në atë gjirizin që krijuam në 1990-1991.
11 Dhjetori, shanci i humbur i historisë!
Në 11 dhjetor, në ditën e tretë të protestave të studentëve, një delegacion i studentëve dhe pedagogëve, u takuan me Ramiz Alinë në Pallatin e Brigadave.
Ramiz Alia njoftoi:
“Sot kishte një mbledhje e Pleniumit të KQ të PPSH. Pleniumi shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi”:
1- Në qershor 1991 të mblidhet Kongresi i 10 i PPSH.
2- Në 26 dhjetor 1990 te mblidhet në Tiranë aktivi kombëtar i PPSH për të përcaktuar platformën elektorale të partisë dhe listën e kandidatëve për deputetë.
3-4…shkaktohen ca anëtarë të byrosë politike…
5- Eshtë në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe të pluralizmit lejimi i krijimit të organizatatve të pavarura politike në përputhje me ligjet në fuqi…..studentët shpërthejnë në duatrokitje.
….tani, ju keni të drejtë. Por kërkesat tuaja duhet të zgjidhen vetëm përmes dialogut dhe bisedimeve…”.
-Duam parti – thanë studentët
-Po po, parti. Shkoni dhe regjistrojeni në Ministrinë e Drejtësisë dhe hajde hyjmë në garë, ju me partinë tuaj ne me tonën…
Dhe kështu u vendos demokracia. Ramiz Alia ishte heroi dhe gjatë protestave shpërndahej vesh më vesh pëshpërima “Mos e shani Ramizin, vetëm Enverin”.
Komunistët bënë edhe diktaturtën, edhe demokracinë. Diktatura më e egër në Europë, ra me tri ditë protesta. “Cdo gjë do ta zgjidhim me dialog dhe mirkuptim” – u tha Ramizi studentëve. Po si rrëzohen diktaturat me dialog?
Shpejt e shpejt, diktatura jonë u transformua në demokraci. PPSH ishte e qartë, ajo kishte përcaktuar planin e zgjedhjeve dhe tranzicionin e saj, për të mos lënë pushtetin dhe për ti shpëtuar hakmarrjes së popullit dhe drejtësisë.
Ajo caktoi që në dhjetor ‘90 kandidatët për zgjedhjet e marsit 1991. Dhe në Mars 1991, ndodhi e paimagjinueshmja. Kur për herë të parë shqiptarëve iu dha e drejta e votës për të zgjedhur lirisht, ata votuan sërish diktaturën. Diktatori iu fundit komunist u bë presidenti i parë demokrat.
Dhe, ashtu siç kishte deklaruar Ramiz Alia në 11 dhjetor, në qershor 1991 u mblodh Kongresi i 10 i PPSH, ku Dritëro Agolli do të ishte kumbari i emrit të ri. Një parti që duhej nxjerrë jashtë ligjit, si përgjegjëse për kimet ndaj një populli të tërë, hyri në Pallatin e Kongreseve PPSH dhe doli PSSH. Në asnjë vend tjetër ish komunist, partitë komuniste nuk vijuan aktivitetin politik.
Komunizmi kishte falimentuar me kohë, ai kishte rënë. Vendi ishte në zinë e bukës. Ambasadat ishin hapur në korrik. Nuk kishte më asnjë vend komunist në Evropë. Blloku Komunist i Lindjes ishte shpërbërë. Ndërsa Bllokun e Tiranës udhëheqja e PPSH-së shikonte ëndrra të frikshme me Çausheskë që i pushkatonte populli.
Krerët e diktaturës ngritën skenarin që të shpëtonin kokën, partinë dhe pushtetin. Dhe ia dolën. Ata bënë një “rënie të kontrolluar”. Ata dërguan një komunist të drejtonte studentët dhe të krijonte PD-në, dhe përgatitën ndërrimin e lëkurës, nga një parti diktatoriale më një parti moderne.
Diktatura dhe kriminelët e saj nuk ikën, ata thjeshtë vijuan jetën politike. Ajo që pasoi ishte vijimi i dramës. PD nuk i hapi dosjet e Sigurimit. Kriminelët e Sigurimit të Shtetit nuk u dënuan. Ata u inkuadruan nëpër parti politike. Shumë prej tyre që do të duhej të ishin ose në burg, ose në rrugë, u futën në parlament, në radhët e PS dhe PD.
Mes PPSH(PSSH) dhe PD nisi lufta brenda llojit.
Lufta ende vazhdon…..dhe ne ende tërhiqemi zhvarrë në gjirizin tonë.
Ndërsa ne vazhdojmë të festojmë 8 dhjetorin, ditën kur rrëzuam diktaturën më të egër në Evropë.
Në fakt në 8 Dhjetor, në duhet të ndezim qirinj për të përkujtuar shancin që humbëm për të përmbysur realisht diktaturën dhe komunizmin, për tu ndarë prej tij, për të vënë një vijë të kuqe në histori, e për të nisur një epokë të re si shoqëritë e tjera të përparuara.