Nga Shaban Murati
Në vitin 1989 gazeta kryesore e KQ të PPSH “Zëri i Popullit” dhe propaganda shqiptare për jashte i bënë jehonë të madhe manifestimit botëror internacionalist me flamurin e marksizëm-leninizmit, që disa katundarë shqiptarë të PPSH kishin organizuar dhe drejtuar në Roskilde të Danimarkës, me financim të PPSH, me disa katudarë të lodhur danezë. Katundarët e KQ të PPSH e organizuan këtë manifestim internacionalist si pjesë e planit të madh të tyre dhe e platformës së tyre të re për një revolucion katundar marksist-leninist të udhëhequr në botë nga Shqipëria si mision i ri i madh për të shpëtuar komunizmin, që ishte fshehur vrimave të mijve në Europë. KQ i PPSH planifikoi manifestime të tilla internacionaliste në Hollandë, Spanjë, Kanada, etj. ku kishte gjetur grupe katundarësh, që nën nxitjen e hashashit kishin përqafuar marksizëm-leninizmin shqiptar. Katundarët e KQ të PPSH ishin frymëzuar shumë, që palaçoja më i madh i politikës së jashtëme në KQ të PPSH kishte arritur të blinte te disa katundarë të Meksikës Çmimin e Madh Botëror të Ushqimit, që KQ i PPSH e reklamoi me zhurmë si Çmimi Nobël i Ushqimit, që dëshmonte se Shqipëria ishte aq e pasur sa të luante rolin udhëheqës në revolucionin botëror katundar shqiptar të marksizëm-leninizmit. Katundarët e Meksikës, që i shitën Shqipërisë çmimin, nuk e dinin ku binte Shqipëria, e jo më të dinin që Shqipëria po ngordhte në prag të urisë dhe populli shqiptar po vuante në një regjim urie të racionimit ekzistencial të çdo lloj ushqimi.
Katundarët e KQ të PPSH kishin hartuar platformën e revolucionit botëror katundar shqiptar marksist- leninist të udhëhequr nga Shqipëria, që do të shpëtonte komunizmin europian nga vdekja. Ishte koha kur ishte rrëzuar muri komunist i Berlinit, populli rumun kishte ekzekutuar diktatorët komunistë Nikolae dhe Elena Çaushesku, ambasadat perëndimore në Çekosllovaki e Hungari kishin hapur dyert për vërshimin e dhjetra mijra vendasve, që donin t’ia mbathin nga “parajsa komuniste” dhe kur regjimet komuniste ishin shembur si kështjella me rërë në të gjitha vendet e Europës Lindore. Dyshja KGB-iste, që udhëhiqte KQ të PPSH, shpresonte se do të kishte ndihmën e nënës së tyre Rusi për të realizuar revolucionin e ri botëror katundar shqiptar. Dyshja KGB-iste, që drejtonte Shqipërinë, kishte marrë lavdërime të mëdha nga Moska, kur pesë vjet më rradhë kishte bllokuar dhe kishte prishur me qëllim lidhjet e marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë me Gjermaninë Perëndimore dhe me Italinë, duke bllokuar Shqipërinë që të hapej në Perëndim drejt Gjermanisë dhe Italisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Por dy rusofilët, që drejtonin KQ të PPSH, nuk e kuptuan dot kohën, që Rusia nuk dinte ku ishte vetë dhe perandoria e kuqe komuniste e Bashkimit Sovjetik kishte marrë rrrokopujën. Kremlini e dinte se ai vetë nuk e ndaloi dot shkatërrrimin e komunizmit në Europë e jo më ta ndalonte një katund i vogël me emrin Shqipëri.
Kandili i revolucionit botëror katundar shqiptar marksist-leninist u fik më shpejt se se u ndez. Edhe ata katundarë danezë e hollandezë, që bënin sikur ishin mallëngjyer me marksizëm- leninizmin shqiptar, ia mbathën nga shtetet komuniste si Kina, Kuba dhe Vietnami, e që i paguanin më mirë.
Kështu u fik kandili i revolucionit katundar botëror shqiptar të marksizëm-leninizmit, që ka mbetur ëndrra e plakur e disa katundarëve të plakur të politikës shqiptare, që dërdëllisin çdo ditë edhe pas 35 vitesh me plakat e tyre rreth vorbës së groshës për revolucionin katundar shqiptar.