Home KRYESORE SHKODËR- SHPRESË- SHQIPNI

SHKODËR- SHPRESË- SHQIPNI

SHKODËR- Shshsh…andrra me sy hapë

Skicë- nga Blerte Kraja

Shkodra nuk ka nevojë për nji traktat dashnie, se asht dashnia vetë, as për nji ninullë, se i thonë djep për shumëçka, Shkodra, ndoshta ka nevojë për nji andërr, që të thohet me zâ të naltë e të bahet realitet, nji andërr që nuk shuhet me zbardhjen e dritës e kur gjumi të ka dalë, por që s’ka lidhje as me andrrat e fshehta në sirtar, që iu ngjajnë ma s’shumti komploteve, nji andërr ku qyteti të frymojë i plotë, në prosperitet për banorët e tij e ma gjanë.

Ku e shef Shkodrën ti mike, pas 10 vitesh? …po e shof brigjeve të Buenës të shtrime gjanë e gjatë, me nji ndërtimtari në harmoni me mjedisin, pa e damtue atë, por ndryshe nga dikur, atëherë kur Shkodra i largohej ujit, tash i asht afrue, asht zgjidhë problemi i përmbytjeve duke e thellue Buenën, duke i vue anash sqela, ku ankorohen anijet e merr jetë tregtia. Po ti me ç’ka merresh? Unë e kam shitë shpinë në Tiranë, kam ndërtue kët’varkë drunit e jetoj në të, në liqé. Lundroj nga të m’teket. Hipi në bordin e saj studentë të drejtësisë e juristë të rinj, njerëz që duen me mësue ma shumë për të drejtën apo që duan të aftësohen si avoketën të së drejtës tregtare ose me u marrë me kolizionet detare e liqenore e iu shpjegoj hollë e gjatë sesi duhet me veprue. E ketë e baj tek vozis Shkodër – VirPazar e kthim. Janë leksione të bukura, sejcili fiton diçka. Edhe unë fitoj nga nxanësit, nuk e kam për shpërblimin monetar, por kam marrë nga rinia, energjia e optimizmi i tyne. Teknologjia na ban që të jena online edhe me studentë në Japoni e gjetkë. Me tamam kanë ra kufinjtë, bota asht ma globale se kurrë.

E tash liqeni asht shtëpia e tanë ballkanasve. A e din se qysh se u ba rruga e re Zogej- Krajë asht popullue zona e Krajës sërish. Kranjanë, që kishin emigrue me breza në Stamboll, SHBA a Australi janë kthye te shpitë e të pareve i kanë ringritë shpiat dhe gjithçka ka nji gjallni tjetër. Ndigjohet kanga e zogjve, por dhe e zanat melodiozë të njerzve.

Ballkani u dukte sikur ishte në agjendat e moszhvillimit ekonomik. Ç’ka ndodhi që u lejue Shkodra me e marrë kët’ hov? Me lobim mik. Nganjiherë kompanitë multinacionale dinë me bindë edhe ma skeptikët. Na ditëm me gjetë kompaninë e duhun për me i dhanë zgjidhje portit n’Buenë dhe nji administrimi krejt tjetër të liqenit t’Shkodrës. Ashtu dalëngadalë u pranue, që Shkodra me pasë nji autonomi tjetër në administrim brenda Shqipnisë e kjo u pasqyrue n’Kushtetutë.

Shkodra i shpëtoi burokracisë e zvarritjes së procedurave nëpërmjet Tiranës. Gjithçka vendoset në një këshill të zgjanum qytetas e ndaj qyteti e krejt rajoni veriperëndimor me qendër Shkodrën ka marrë nji hov tjetër ekonomik. Ajo ç’ka m’çuditë asht që shumë të huej zgjedhin me jetue e me punue në Shkodër. Këtu nuk ka asgja të çuditshme, Shkodra qysh në gjysën e parë, të shekullit XIV ka pranue me nenin 1 «Mbi lirinë e të huajve për të ardhur e për t’u vendosur në qytetin tonë », të Statuteve të veta se : « Nëse ndokush do të dëshironte të vendosej në qytetin tonë, qoftë ky njeri i Mbretit apo i ndonjë fisniku, ai duhet t’i shërbejë vetëm Komunës sonë dhe askujt tjetër.

Qytetari ynë, apo sllavi ose arbëreshi, që do të përpiqeshin ta kapnin e ta bënin atë pronë të tyre, do të detyroheshin t’i paguanin 50 perperë mbretit, ndërsa robin duhet ta lënë të lirë. Çdo qytetar i Komunës sonë duhet ta mbrojë atë me çdo kusht. » E tash Shkodra asht zona e mundësive për tregti, teknologji, arsim, atraksion turistik e ndaj gjithsejcili ndjehet mirë. Por ne e kena edhe nji sekret, i shkodranizojmë, gjithësejcili që vjen e jeton në Shkodër mbivendos mbi identitetin e vet të shtetit të origjinës, identitetin shkodran, mesa duket asht nji identitet i fortë e që kur ti i përmbush tana cilësinat të thërrasin pa frikë : « Artist ». Ajo asht vajzë artiste apo ai asht djalë artist. Ky asht titulli ma i naltë, që qyteti ia blaton bijve të vet ma të mirë.

Këtu pashë Antonion, industrialistin padovan. Ai ka hapë nji punishte moderne, siç e kishte në Padova, pasi punëtorinë i ka tanë në Shkodër. Eh Antonio pëlqen me jetue këtej, diku afër Shirokës, se asht ajri i mirë.
I shof të lulëzueme dhe të gjallnueme tana shpiat private në Shkodër. Po qyteti ka nxjerrë nji rregullore, që nuk do të ketë shpia të pabanueme, pra shpiat o do të banohen ma shumë se gjysmën e vitit nga i zoti, ose duhet t’i jepen dikujt në përdorim. Kështu qyteti ka evitue me hedhë beton të panevojshëm për banim. Toka asht nji burim natyror i kufizuem, ne s’kena plan me ba tokë artificiale, pra nji përdorim eficient i ndërtimeve ekzistuese na ka ba, që të kena ma shumë tokë për përdorim bujqësor, për argëtim e sport.

E në fakt nji turizëm interesant po zhvillohet në Shkodër, nëpër shpiat tradicionale të saj. Turistët po preferojnë turet nëpër shpiat e Shkodrës ku vizitojnë arkitekturën tradicionale shkodrane, oborret plot lule e dru frutorë, si dhe shijojnë gatimet tradicionale të Shkodrës, duke hangër tavë krapi nën hije t’manit, tuj e shoqnue me nji gotë venë shpiet. Asht shumë bukur dhe ka shumë kërkesë për ture të tilla në zemër të qytetarisë shkodrane.

Po tash? Shkodra ndihmon edhe zonat e tjera për nji tregti dhe ekonomi ma të mirë. Asht e lidhun fort me Gjakovën e qytetet e tjera të Kosovës, me Malin e Zi, ka udhëtime ditore Shkodër- Durrës, Shkodër- Tivar, Shkodër- Rijeka. A e din tana kampionatet rinore të notit, kanotazhit, të ciklizmit për Ballkanin zhvillohen në liqé ose rrotull liqenit të Shkodrës. E kjo ekonomi e lidhun ka vue nji paqe në kët’zonë. Nuk flitet ma për luftë, t’rinjtë e Ballkanit shkollohen mirë e duen t’jetojnë mirë në tokat e të parve. Shkodra asht e hapun me tanë, si gjithmonë këtu gjen: malazezë, boshnjakë, serbë, maqedonas. Shkodra asht e tanve.

Hej, mos na trego përralla t’bukura. Zgjohuuuu! Jam krejt e zgjueme, po e jetoj andrrën. Ja njitash po bahem gati për teatrin poetik të artistes tonë të madhe Justina Aliaj “Mall për vendlindjen”. Shikjo, të thashë asht nji andërr me zâ t’naltë, që ka fillue me u ba realitet. Njerzit janë zgjue, nuk duen me emigrue, por po bajnë përpjekje titanike, duke luftue me politikën arkaike, që ka ndalë zhvillimin, që ta ndryshojnë realitetin. Shkodra ka fillue me u zgjue dhe me u ringritë nga pak.

LULE FUSHET

Poezi nga Blerte Kraja

Nji tubë me lule fushet
T’i vuna n’tavolinë,
E erën e tokës
e të bimëve,
cicërimat e zogjve,
vetë natyrën
t’i solla në nji…

Ti
meriton ma shumë,
ndoshta,
tanë botën,
po nganjiherë,
bota asht e mbledhun te ti.

Shënim i autores: vjet u organizua konkursi i krijimeve letrare n’ gegnisht. Modestisht konkurova me dy krijime: me nji skice dhe me nji poezi. Po i postoj ketu, ma shume e nxitun per mire, nga nji bisede virtuale me nji shkrimtar tonin, me te cilin folem e sterfolem per kthimet e rikthimet ne qytetin e origjines…Lexim t’ kandshem:-)

Share: