Nga Arben Iliazi
VJESHTË DHE ASNJËHERË MËNGJES
Vjeshtë dhe asnjëherë mëngjes
Në cungjet e latuar të ullinjve
Të ngërdheshur
Dhe pa shprehje
Fantazma hyjnore
Zgavrash dhimbjendjellëse
Ku qëniet nën hare të çartur vibrojnë
Si humbëse të gjithpushtetshme.
Sy pulëbardhash
Në gjysmësferat e globit
Prelude mjegulle.
Përplasen pafuqitë!
Prometeu, i hutuar
Nuk di cfarë zjarri t’u japë njerëzve
Të shohin fytyrat
Vizatuar në grafit.
FRYN NJË ERË…
Në erë eukaliptesh rrëzohet humbja
Siluetat tona çlodhen mes barit të gjelbër
Te një rrokje shiu mbytet mbrëmja
Si urtësia në himnin turfullues të natës
Ngjyer në përflakjen e zemrës.
Ka nisur të pikojë limfë prej pranverës
Duart e mia lulëzojnë në kraharorin tënd të zbuluar
Ndërsa mbi faqen e lumenjve
Shëtit një kohë e dëshiruar…
I HUMBUR…
I humbur… në mes të oqeanit
Shoh në ëndërr një pasqyrë lumi
Ku era shplekset në erë
Kush do të na zgjojë nga gjumi
Ditën e madhe, nesër?
DITA…
Dita luhatet në një pjatë të përgjysmuar
Të mbetur nga një banket që kurrë nuk u shtrua
Imazh i zakonshëm, kontradiktor
Që dridhet e çel gjethe blu
Ekologji e saktë e formave
Dhe kaq pak eshtra
Si dhurata të heshtura të vdekjes sime
Në sytë e një çasti që buzët nuk e njohin.
I LARGOHEM VËSHTRIMIT TËND…
I largohem vështrimit tënd
Që hyrje e dalje s’ka
Meduzë që ngjitet nga thellësitë ujore
Krahëstolisur
Elegancë plot hir
Që më nguros
Në rrjedhje të pakohë
Pendimesh që flenë
Dhe erën tënde më rrëfejnë
Përgjatë detit
Mbi një dunë malli
Ku laureshat e kujtimit
Si krisje drite vezullojnë…
TESTAMENTI IM I THJESHTË
Në këtë botë të mbushur plot me zogj
parajse, që formojnë kurora në qiej
me ëndërra të tejdukshme trëndafilash,
kundërmime errësire,
mezi pres të fryjë
një fllad i lehtë mëshire
për fantazmat e njerëzve dhe të detit.
Mirënjohës ndaj gjithçkaje,
duke mbyllur gjithë mundimet pikëlluese
të ekzistencës sime
në fshehtësitë e padukshme,
lë pas mëkate, pendime
të digjen si konizma të heshtura
midis nesh
për t’u kujtuar njerëzve
sa të vonuar janë në meshë…