Home KRYESORE Parcelat me kanabis në Vlorë, PD përplaset me policinë

Parcelat me kanabis në Vlorë, PD përplaset me policinë

PD publikoi sot disa pamje që sipas saj tregojnë parcela të mbjella me kanabis në luginën e Lumit të Vlorës. Sipas opozitës kjo është dëshmi e një biznesi kriminal kombëtar që drejtohet nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

“30 përqind e fitimit të çdo bime të mbjellë ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës. Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilajt e Tahirit kanë kontroll absolut mbi territorin.

Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha Habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA003GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre”, tha Sekretari për Aksionin Qytetar i PD-së, Ervin Salianji.

Ndërkohë pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Shtetit, duke marrë autorësinë e pamjeve të regjistruara me helikopter, por tha se ato pamje i përkasin një dosje hetimore për asgjësimin e bimëve narkotike.

Megjithatë policia nuk ka dhënë detaje të tjera për kohën se kur është kryer filmimi, asgjësimin e kanabisit apo kush ishin kultivuesit e tyre. Policia shtoi se ka nisur një hetim për efektivët që kanë nxjerrë këto pamje./LAPSI.AL/

Share: