Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima dhe ish-presidenti Rexhep Meidani kanë drekuar sot së bashku në një nga restorantet e njohura të Tiranës.
Dreka mes tyre vjen pikërisht kur koalicioni PS-LSI po kalon ditët më të vështira. Por edhe tre politikanët që janë takuar sot kanë një të përbashkët të madhe: Janë përplasur me kryeministrin Edi Rama.
Ndërkohë që dreka u zhvillua në një restorant të njohur të ish-Bllokut, që ky takim të bëhej qëllimisht publik në media. Nuk dihet ende kush ishte organizatori i takimit (sipas disa mediave ishte Ilir Meta), por dita e zgjedhur për takimin mes tyre erdhi pikërisht sot, kur gazeta e Kokëdhimës (“Shekulli”) pohonte zyrtarisht ndarjen mes Ramës dhe ish-deputetit të qarkut Vlorë.
Madje në fund të artikulli thuhej se “divergjencat politike e ideologjike mes Ramës e Kokëdhimës tani duket se do jenë të hapura dhe do të ushqejnë debatin politik jo vetëm brenda të majtës”. Pra, lufta mes tyre është e hapur zyrtarisht.
Ndërkohë që po sot qarkulloi lajmi se pritet një mbledhje e grupit parlamentar të PS-së, i cili do të shpërbëjë strukturën e Koço Kokëdhimës në Jug.
Nga ana tjetër, “Koha Jonë” në numrin e saj të djeshëm përmendte emrin e Rexhep Meidanit si kryeministër për një qeveri teknike të mundshme, i mirëpranuar nga palët. Duke mos harruar se Nikoll Lesi, botuesi i “Koha Jonë”, është afruar kohët e fundit mjaft me Ilir Metën.
Ndërsa përplasja mes Ramës dhe Metës për reformën në drejtësi është e freskët për të gjithë.
Në përfundim të drekës, Kokëdhima foli me tone diplomatike, por edhe duke i dhënë një mesazhe Edi Ramës. Ai tha se takimit nuk duhej t’i jepej ngjyrim politik, por theksoi se koalicioni PS-LSI ka probleme. “Takimi ynë ishte një takim mes miqsh. Koalicioni ka probleme, por mund të zgjidhen. Dy partitë do kenë aftësi t’i zgjidhin problemet që kanë midis tyre”, tha Kokëdhima. /Tirana Observer