Kreu i opozitës, Lulzim Basha tha se është i gatshëm për krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me kontributin e të gjitha forcave politike parlamentare dhe jo parlamentare” u shpreh Lulzim Basha, që gjithashtu foli për zgjerimin e koalicionit të Partisë Demokratike përtej aleancës aktuale opozitare.
Edhe pse Basha nuk pranoi të flasë direkt për një bashkëpunim me LSI, ai falenderoi Ilir Metën për rolin konstruktiv që luajti për konsesusin politik për miratimin e reformës në drejtësi.
Basha shtoi se ishte i sigurtë që Edi Rama do të tentojë manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai tha se ka qe prej tre muajsh që e ka përfunduar paketën e propozimeve për reformën zgjedhore, por qeveria e Ramës po pengon numërimin elektronik.