Nga Dom. Gjergji Meta
Llumi i mediokritetit kulturor në të cilin noton sot shoqëria jonë shqiptare është bijë bastarde dhe pasojë direkte e perversitetit të regjimit komunist shqiptar. Një nga mjetet mbi të cilat u ngrit dhe u fuqizua ai sistem zvetënues ishte shpifja dhe baltosja e çdokujt që vihej në shenjestër. Fletrrufetë që fillonin nga vitrinat e dyqaneve të kooperativave e deri te faqet e gazetave lokale e qëndrore kishin si synim, që duke ndikuar në opinion fillimisht, më pas të shkonin drejt eleminimit të kundërshtarit.
Me një përpikmëri mahnitëse kjo vazhdon dhe thithet sikur të jetë oksigjen në jetën publike shqiptare. Gjithkush mund të shpifë e të baltosë gjithkend. Në dy dekada e gjysëm liri çfarë nuk kemi dëgjuar.
Fatkeqësia më e madhe nuk është kur këtë e bëjnë xhaketa të vjetra apo krye të thinjura, por të rinj që notojnë në një mediokritet kulturor frikësues. Njerëz pa ideale, por që rendin si njërëz pa identitet pas partive, forumeve politike apo edhe fanatizmave fetare duke e veshur këtë gjë si një modus vivendi. Hapni rrjetet sociale apo portalet online e do të shikoni çfarë ndodh.
Shpifja dhe baltosja janë antikulturë! Ne nuk ia premë rrënjët qysh në fillim kësaj peme të qelbëzuar. Tani t’ia dëgjojmë kundërmimin …