Home KRYESORE Incident diplomatik mes Ankarasë dhe Athinës

Incident diplomatik mes Ankarasë dhe Athinës

Tjetër incident diplomatik mes Ankarasë dhe Athinës. Turqia akuzon Greqinë se nuk ka bërë asgjë për të zbuluar personat që sulmuan ambasadën turke në Athinë pak ditë më parë. Sipas burimeve të televizionit grek “SKAI”, Turqia ka bërë një notë proteste se policia nuk ka ndërmarrë masa për ta parandaluar sulmin me bojë dhe sende të forta, por nuk ka bërë asgjë as për të vendosur autorët përpara drejtësisë.

Në notëprotestë vihet re toni strikt i ambasadorit turk ndaj autoriteteve greke, ku i kërkohet të tregohen më vigjilente në të ardhmen që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, ndërkohë që kërkohet edhe një ndjesë nga ministria e Jashtme greke dhe përpjekje më të mëdha për të arrestuar atentatorët.

Grupe anarshiste e kanë pasur gjithnjë shënjestër të tyre ambasadën turke në Athinë, por edhe konsullatat e vendit fqinj në qytete të tjera të Greqisë.

Marrëdhëniet e Greqisë dhe Turqisë janë acaruar këto javët e fundit pas 8 puçistët që zbarkuan në Greqi dhe kërkuan azil politik. Turqia i kërkoi me forcë Greqisë që t’i kthente mbrapsht 8 ushtarakët që akuzohen se ishin mes 40 komandove që sulmuan hotelin ku po pushonte presidenti Erdogan ditën e grushtit të shtetit, më 15 korrik. Por Greqia nuk e ka shqyrtuar ende kërkesën e ushtarakëve, të cilët e argumentojnë arratisjen e tyre nga Turqia me rrezikun që i kanoset për jetën. /360grade.al

Share: