Home KRYESORE E drejta e pronësisë, e nëpërkëmbur ne Shqiperi, e thote Raporti i...

E drejta e pronësisë, e nëpërkëmbur ne Shqiperi, e thote Raporti i IPRI dhe FLE!

Nga Besart Kadia

Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe një nga vendet më të këqija në botë sa i përket respektimit të të drejtave të pronësisë. Raporti i IPRI që publikohet në Shqipëri nga Fondacioni për Liri Ekonomike na rendit në vendin e 113 në botë. Kadia: Asnjë reformë ekonomike nuk vlen nëse nuk përmirësojmë këtë indeks

Shqipëria mbetet sërish e fundit në rajon përsa i përket Indexit Ndërkombëtar i të Drejtave të Pronësisë (IPRI). Përsa i përket renditjes botërore Shqipëria ndodhet në vend të 113-të nga 128-të vende të botës dhe në vend të 18-të nga 19 vende të Europës Lindore. Shqipëria megjithëse me një rritje të lehtë prej 0.4 pikësh krahasuar me vitin 2015 mbetet poshtë nivelit më lartë të saj historik të cilën e ka patur në vitin 2012.

Indexi Ndërkombëtar i të Drejtave të Pronësisë (IPRI) është publikimi më i rëndësishëm i Aleancës së të Drejtave të Pronësisë  (PRA ) me bazë në Uashington DC. PRA është e përkushtuar në promovimin e të drejtave të pronësisë kudo në botë.  Indeksi IPRI 2016 përfshin 128 vende të botës dhe është rezultat i bashkëpunimit me 102 organizata të përfshira në hulumtim, zhvillim politikash apo në promovim të të drejtave të pronësisë në 70 vende  të botës.  Fondacioni për Liri Ekonomike si anëtare e Aleancës Botërore për të Drejtat e Pronësisë publikon rezultatet e raportit për Shqipërinë për vitin 2016. Drejtori Ekzekutiv i FLE Besart Kadia i tha “Mapo” se përmirësimi i këtij indeksi ishte më i rëndësishëm për ekonominë se sa çdo reformë tjetër e ndërmarrë prej qeverisjeve.

“Shqipëria është në udhëkryq  përsa i përket aftësisë së saj për të gjeneruar ritme të larta të rritjes ekonomike. Kjo e fundit është direkt e lidhur me lirinë e individëve dhe bizneseve për të gëzuar dhe zhvilluar pronën e tyre”, tha Kadia. Në këtë vit të dhjetë të publikimit ekonomia shqiptare mundet të krahasohet me vendet e tjera të botës përsa i përket një prej faktorëve kryesor që mundëson konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike: të drejtat e pronësisë. Rezultatet sipas indeksit nuk janë pozitive, sidomos sa i përket drejtësisë dhe sistemit gjyqësor. Pavarësia e gjyqësorit është një nga elementët më të dobët të Shqipërisë sipas gjetjeve të IPRI. Aty vendi ynë ka shënuar 2.7 nga 10 pikë të mundshme të indeksit dhe është renditur 110 në botë. Më keq se kaq Shqipëria është në mbrojtjen fizike të pronës, mundësisë së kreditimit dhe në mbrojtjen e pronës intelektuale. Në këto pika vendi ynë rankohet prej 116 deri në 121 duke lënë pas vetëm 7 vende të tjera. Indeksi i jep pikët më të mira stabilitetit politik, ku Shqipëria është më mirë se mesatarja e vendeve të rankuara e 42 nga 128 vende.

“Është dëmtuese për ekonominë vendase fakti që ne mbetemi në vend të 113-të në botë përsa i përket të drejtave të pronësisë ndërkohë që shtete të tjera si Maqedonia janë më konkurruese dhe ndodhen për shembull në vend të 68-të në botë”, tha Kadia.

Sipas tij “çdo reformë që ndërmarrim përsa i përket taksave apo shpenzimeve publike nuk mundet të krahasohen me reformat që duhet ndërmarr për të përmirësuar këtë indeks të përgatitur nga Profesor De Soto”.

Rëndësia e të drejtave të pronësisë është e lidhur ngushtë me vlerat dhe parimet e lirisë individuale. Gjithashtu zbatimi i një sistemi të fortë të të drejtave të pronësisë është një element kyç në nxitjen e rritjes ekonomike dhe në prosperitetin e shoqërisë. Indeksi është një barometër i nivelit të respektimit të të drejtave të pronësisë kudo në botë. “Ky indeks synon të shndërrohet në një udhërrëfyes të rëndësishëm për politikëbërësit dhe komunitetin e biznesit anembanë botës. Indeksi përbëhet nga tre indikatorë kryesor Mjedisi Politik dhe Ligjor (LP), të Drejtat e Pronës Fizike (PPR) si dhe të Drejtat e Pronësisë Intelektuale (IPR)”, thuhet në njoftimin për shtyp me të cilin FLE shpërndau dje rezultatet e indeksit.

Rezultatet dhe renditjet e IPRI 2016 janë të bazuara në të dhënat e marra nga burime zyrtare të bëra publike nga organizata të mirënjohura ndërkombëtare. Kjo do të thotë se shumica e të dhënave janë publikuar në formate dhe në shkallë të ndryshme krahasimore me njëra tjetrën. Si pasojë, shumica e të dhënave janë rishikuar dhe i indeksuar me peshë specifike me qëllim që ato të jenë të krahasueshme midis vendeve dhe brenda komponentëve dhe rezultateve të përgjithshme të Indeksit IPRI 2016.  Shkalla e përgjithshme e notave e IPRI shkon nga 0 në 10, ku 10 është vlera më e lartë për një Sistemin e të drejtave pronësore dhe 0 është vlera më e ulët (d.m.th. më negative). E njëjta logjikë interpretuese është aplikuar në të tre komponentët dhe në dhjetë artikujt e këtij indeksi.

Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të Rajonit

Tabela: Indeksi IPRI dhe Krahasimi me Rajonin
IPRI Mjedisi Politik dhe Ligjor Të drejtat e Pronësisë  Fizike Të drejtat e Pronësisë Intelektuale
Shqipëria 4 4.21 4.71 3.1
Serbia 4.02 4.34 4.56 3.18
Maqedonia 5.01 4.85 5.96 4.21
Mal i Zi 4.55 4.91 5.42 3.32
Bosnjë Herzegovinë 4.12 4.25 4.8 3.32
Mesatare Botërore 5.45 5.13 5.87 5.33

Indikatorët specifikë

  1. Mjedisi Politik dhe Ligjor nguron një analizë të fuqisë së institucioneve në një shtet për të qenë respektues të rregullave të lojës mes qytetarëve.
Mjedisi Politik dhe Ligjor
Rezultate Krahasim Botëror
Në tërësi
Mjedisi Politik dhe Ligjor
4.2 80 nga 128
Pavarësia e Gjyqësorit 2.7 110 nga 128
Shteti i së drejtës 4.3 84 nga 128
Stabiliteti Politik 5.9 42 nga 128
Kontrolli mbi korrupsionin 3.9 84 nga 128

 

  1. Të drejtat e Pronësisë Fizike
Të drejtat e Pronësisë  Fizike
Rezultati Krahasim Botëror
Në tërësi 4.7 114 nga 128
Mbrojtja e Pronës Fizike 3.4 119 nga 128
Regjistrimi i Pronës 9.3 53 nga 127
Aksesi në Kreditim 1.5 116 nga 128

 

  1. Të drejtat e pronësisë Intelektuale
Të drejtat e Pronësisë Intelektuale
Rezultati Renditje Botërore
Në tërësi 3.1 121 nga 128
Mbrojtja e të drejtave të Pronësisë 3.7 101 nga 128
Mbrojtja e Patentës
Mbrojtja e të drejtave të autorit 2.5 76 nga 104

 

Share: