Ndërkohë që ne ankohemi për “kaubojsin” që na e bënë peshqesh si përfaqësues të popullit, këta të tjerët janë dëshmia më e qartë se çfarë ndodh kur kryetarët e partive kthehen në pengmarrës të demokracisë që vendosin se kë duhet të zgjedhë populli në votim. Na e kanë mbushur Kuvendin me lloj lloj kllounësh, injorantësh, batakçinjsh dhe karagjozësh dhe prapë nuk ua bën syri tërr – as ndjejnë përgjegjësi dhe as kanë për të paguar pasojat e kësaj mynxyre. Ndërsa ka me qindra intelektualë, artistë, shkencëtarë, shkrimtarë, politologë, akademikë, përkthyes etj, që vërdallosen dhe torturohen për mbijetesë jashtë kësaj salle, sepse Rama, Meta dhe Basha i kanë zëvendësuar emrat e tyre me bandat e tyre personale të injorantëve që bëjnë ligje për ne, vendosin taksat që duhet të paguajmë ne dhe u japin drejtim parave që mblidhen prej nesh. Dhe më e bukura është që kjo treshe përgjegjëse për shkatërrimin e demokracisë tek ne, i jep vetes të drejtën që periodikisht të përpilojë kodin e ri zgjedhor, apo më mirë ta quajmë: formulën e re sesi të përjetësojnë veten në pushtet duke i bërë krahëmarrje demokracisë me anë të akrobacive ligjore që ata dhe lakejtë e tyre mediatikë i quajnë madje “reforma”.