Koço Kokëdhima nuk ka ndër mend të heqë dorë nga politika, edhe pse Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin pasi rezultoi se kishte përfituar fonde në kundërshtim me ligjin duke qenë deputet.
Kokëdhima, i cili ndodhet më pushime në jug të vendit, është shprehur se duke qenë anëtar i Partisë Socialiste do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në qershor 2017.
“Dua të jem më afër politikës dhe më afër qytetarëve. Do të rikandidoj sërish në zgjedhjet e vitit 2017”, – tha ai për ‘ABC Neës’.
Më pas, ish-deputeti i qarkut të Vlorës ka replikuar ndaj batutës së kryeministrit Rama, i cili në një aktivitet pak kohë më parë në Vuno tha se do të pleqëronte me të pikërisht në këtë fshat.
“Për këtë punën e pleqërimit, unë them se nuk do të pleqëroj as në Vuno dhe as në Gjirin e Lalëzit… Nuk kam ndër mend, por do të punoj deri në ditën e fundit të jetës”, – u shpreh KOkëdhima.
Marrëdhëniet mes Ramës dhe Kokëdhimës janë ftohur gjithnjë e më shumë pas heqjes së mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuse./shqip/