Rriten frikshëm shifrat e viktima nga termeti apokaliptik që shkatërroi dhjetëra ndërtesa në Itali. Flitet në mediat vendase se në mesditë numri i viktimave shkoi në 63. Ndërsa vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shumta të shembura.
Në orët e para të mëngjesit, një termet i shoqëruar nga dy lëkundje të tjera, ka goditur Italinë Qendrore, ku për pasojë një qytet i tërë, ai i Amatrices është zhdukur duke u kthyer në rrënojë, nën të cilën ndodhen ende njerëz, të gjallë dhe të vdekur.
Qindra të tjerë janë plagosur apo zhdukur nën rrënoja pas tërmetit në rajonin e Lazios.
Lëkundja e parë, me magnitudë 6 e shkallës Rihter, ndodhi rreth orës 03:36 me epiqendër 2 km larg Accumoli (Rieti).
Pas lëkundjes së parë, janë ndjerë edhe dy të tjera, me mangitudë 5,1 dhe 5.4, me epiqendër 5 km larg Norcias.
“Qyteti nuk është më…”-ishte dëshmia e orëve të para nga kreu i bashkisë së Amatrices, qytetit që ka pësuar dëmet më të mëdha.
Po ashu, kryebashkiaku i qytetit të Acumolit Stefano Petrucci deklaroi se “qyteti është pothuajse i shkatërruar, godina e policisë, kishat, dhe shumë banesa janë rrafshuar.”
Në operacionin e shpëtimit u përfshine edhe forcat e ushtrisë italiane, pasi rrënojat e bënin të vështirë kalimin në rrugë.
Një bebe 9 muajshe eshte nxjerre e pajete nga rrenojat e baneses qe ia shkateroi termeti ne qender te di Arquata del Tronto. Ndërsa fatmirësisht, dy vëllezër 4 dhe 7 vjeç janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat, pasi gjyshja i futi poshtë krevatit sapo ndjeu lëkundjet e tërmetit. Fëmijët ndodheshin në shtëpinë e gjyshes, në Pescara del Tronto,
Tërmeti i fuqishëm shkatërroi edhe disa reparte të spitalit Grifoni në Amatrice, që ndodhet në dalje të qytetit. Autoritetet spitalore në provincën Rieti bënë apel për dhurim gjaku.
Mediat italiane raportuan se midis të plagosurve ndodheshin edhe pesë shqiptarë, që janë jashtë rrezikut për jetën. Kjo përkundër deklaratës së Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila pati njoftuar se nuk kishte të dhëna për shqiptarë të lënduar.
Teksa vijon aksioni i shpëtimit, njerëz të plagosur që vrapojnë në rrugë, gra që qajnë të gjakosura, për fatin e paditur të fëmijëve nën rrënoja, janë pjesë e pamjeve të tmerrshme që vijnë nga Italia.
Zona që u godit nga tërmeti në Itali është shumë pranë Aquilas që u shkatërrua nga një tërmet i fortë në 2009ën./ Opinion.al/ah