Shqiptarët festojnë këto 48 orë shenjtërimin Nënë Terezës, gruas me origjinë shqiptare më të njohur në botë dhe njërës prej ikonave të humanizmit bashkëkohor, zonjes qe pati një histori të dhimbshme me atdheun e saj. Një histori mohimi dhe refuzimi, që e tronditi thellë, por që ajo e kaloi me shpirtin e madh që e karakterizonte.
Më poshtë, po sjellim ne vemeneje te lexuesve te Perqasje.com, gjithë historinë e saj me diktatorin Hoxha dhe Shqiperinë komuniste.
***
Enver Hoxha kërkoi që raportimi i bisedës konfidenciale të Ministrit të Jashtëm Francez me ambasadorin shqiptar në Paris Javer Malo të dërgohej menjëherë në zyrën e tij një ditë të vitit 1968. Shefi i diplomacisë shqiptare i kishte bërë edhe një notë shoqëruese, në të cilën sqarohej se problemi për të cilin kryediplomati francez Maurice Couve de Murville i drejtohej ishte një problem me të cilin ambasadat shqiptare po përballeshin shpesh në dy vitet e fundit.
Ai e kishte zanafillën disa vjet më parë, kur Ambasada shqiptare në Romë kishte marrë një letër nga një murgeshë katolike me qendër në Kalkuta të Indisë, e quajtur Nënë Tereza. Themeluese e urdhrit që mbante emrin e saj, shumë e njohur në Europë, ajo kishte kërkuar t’i jepej leje nënës së saj gati 80-vjeçare që të vinte në Romë për kurim. Nënë Tereza sqaronte se qe larguar nga Shqipëria në vitin 1928 dhe se nëna Drane dhe motra Age jetonin në Shqipëri. Ajo nuk e kishte parë nënën asnjëherë që nga ikja 30 e ca vjet më parë. Kjo ishte edhe mundësia e fundit që ajo të kujdesej për të, ta shihte e t’i puthte duart përpara se të ikte nga kjo jetë. Letra qe nënshkruar edhe nga i vëllai, Lazër Bojaxhi, që jetonte në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i mbretit Zog i ikur që gjatë Luftës së Dytë Botërore.
E lindur në një familje shqiptare të Shkupit, Gonxhe Bojaxhi ishte transferuar bashkë me familjen në Shqipëri pas kalimit të Shkupit në Mbretërinë e re Serbo-Kroato-Sllovene. Ajo vetë kishte zgjedhur rrugën e Zotit. Qe dorëzuar murgeshë me emrin Motër Tereza dhe, pas një qëndrimi në Irlandë, ishte vendosur në Kalkuta të Indisë. I vëllai, Lazër Bojaxhi, pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, qe larguar drejt Italisë dhe ishte vendosur në Palermo ku jetonte i martuar prej vitesh.
Babai i Bojaxhinjve vdiq herët, por nëna Drane dhe motra Age vijuan të jetojnë në Shqipëri në kushte relativisht të vështira. Sa më shumë Nënë Tereza bëhej e njohur, aq më shumë ato e fshihnin afërsinë me të. Përpiqeshin të mos e përmendnin duke pasur frikë nga ndëshkimi i shtetit komunist që nuk e toleronte fenë. Në vitin 1959 nënë Tereza dhe vëllai Lazër u takuan në Romë. Takimi i tyre pas 31 vitesh ngërthente një peng: faktin që të dy bashkë kishin vite pa parë motrën dhe nënën që jetonin në Shqipëri. Prej më se dhjetë vjetësh Nënë Tereza nuk kishte pasur ndonjë letër prej tyre. Më së fundi ajo mori vesh se ato jetonin në Tiranë, porse u lejohej të shkruanin vetëm një herë në muaj, edhe pse të gjitha letrat kalonin në duart e një censure shtetërore që kontrollonte edhe hollësitë më të vogla. Biografë të shumtë të Nënë Terezës shkruajnë se ajo kishte dëshirë të zjarrtë të vizitonte Shqipërinë, madje për këtë fliste shpesh me miq të ngushtë. Por Shqipëria, në mënyrë të përsëritur ishte një tokë e ndaluar për të.
Në mes të viteve ’60 nëna Drane u rëndua dhe të dyja bashkë, nënë e motër, i kërkuan Lazrit që t’iu dërgonte disa barna që nuk gjendeshin në Shqipëri. Lazri mendoi se ardhja e nënës për një muaj në Itali ishte zgjidhja më e mirë. Ajo mund të vizitohej në një spital italian dhe ata, vëlla e motër, do të shihnin për herë të fundit në jetë nënën që i kish rritur me mjaft vështirësi. Të dy bashkë i nisën një kërkesë Ambasadës shqiptare në Romë, por për shumë kohë nuk morën përgjigje. Të njëjtin fat pati një letër e dytë dhe një kërkesë e bërë nga Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme Italiane me shtyrjen e Vatikanit. Menjëherë pas kësaj, Ambasadori shqiptar e thirri atë në një takim dhe i komunikoi se gruaja plakë nuk mund të largohej nga Shqipëria, sepse niveli i spitaleve ishte shumë i mirë, dhe se vajza dhe djali i saj që jetonin jashtë duhej ta kishin marrë parasysh mallin që kur u larguan nga Shqipëria dhe e braktisën nënën e tyre.
Me sa duket, rasti i Nënë Terezës, i bërë publik në media preku edhe shumë vetë. Në harkun e dy viteve pothuajse gjithë vendet që kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë i kërkonin Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme të bënte diçka: për plakën kërkohej vetëm një leje 30-ditore dhe kjo mund të jepej. Në mungesë të përgjigjes pozitive, Nënë Tereza tentoi atë që dukej më e vështira: kërkoi leje hyrjeje në Shqipëri për vetëm një javë, siç dëshmon një biografi i saj:
“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”. (1)
Kishte qenë ky objekti i bisedës konfidenciale që Ministri i Jashtëm Francez kishte bërë me Ambasadorin shqiptar në Paris, duke iu lutur që këtë bisedë t’ia përcillte, në formën e një kërkese, drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Por biseda e Ministrit të Jashtëm Francez kishte edhe disa detaje më shumë. Ajo i drejtohej privatisht Hoxhës dhe shënonte se për këtë çështje kishte shprehur interesim presidenti De Gol, si dhe ish-Gruaja e Parë e ShBA Zhaklinë Kenedi. Ata i luteshin Hoxhës që, në emër të humanizmit, të ndërhynte vetë për ta dhënë lejen speciale.
Hoxha duhet të jetë ndjerë keq. Pak orë më vonë ai thirri ministrin e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, i kërkoi më shumë të dhëna për një murgeshë të quajtur Nënë Tereza dhe sqaroi se, me gjasë, ajo ishte një agjente e rrezikshme. Ndër të tjera i kërkoi informacion për plakën dhe të bijën që jetonin në Shqipëri, si dhe gjithë njerëzit që hynin e dilnin te to.
Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës:
“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”. (2)
Më14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim:
“Gonxhe, të puth nanëlokja”. (3)
Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh:
“Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”. (3)
Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke. Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në gjallje.
Marrë nga libri “Enver Hoxha”