Home KRYESORE Afrimi Rama-Idrizi dhe llogaritë elektorale te 2017

Afrimi Rama-Idrizi dhe llogaritë elektorale te 2017

“Koalicioni Rama-Idrizi-etj (por pa PBDNJ-në, e cila nuk pranon të jetë në koalicion me PDIU-në) do të merrte 850 mijë vota; koalicioni Berisha-Basha-etj (plus PBDNJ-në) do të merrte 650 mijë vota; dhe LSI-ja 180 mijë vota. Përkthyer në mandate parlamentare, do të kishim këtë ndarje 70-56-14. Pra, as Rama e as Berisha nuk do të ishin në gjendje të krijonin qeverinë pa ndihmën e LSI-së…”

Nga Eduard Zaloshnja

Afrimi mes PS-së dhe PDIU-së, ose më mirë mes Ramës dhe Idrizit, ka qenë i dukshëm në muajt e fundit (Rama madje e theksoi në konferencën e shtypit virtual afrimin e PDIU-së në koalicionin qeverisës). Në kushtet kur në tregun politik qarkulloi ideja e një qeverie “teknike”, ky afrim ka patur synime afatshkurtra, sepse mund t’i siguronte Ramës 71 votat për të qëndruar në krye të qeverisë pa mbështetjen e LSI-së. Por ky afrim mund të ketë edhe synime afatgjata.

Edhe pse nuk ndodhi një divorc mes Ramës e Metës në verën e nxehtë politike që sapo kaluam, një i tillë mund të ndodhë në 1 prillin e ardhshëm,- siç ndodhi mes Berishës e Metës më 1 prill 2013. Për t’i paraprirë një ndodhie të tillë, Rama po i fuqizon pozitat e PDIU-së në administratën shtetërore, ndoshta me idenë se koalicioni Rama-Idrizi-etj mund t’i fitojë zgjedhjet e 2017-ës, edhe pas një largimi të mundshëm të LSI-së nga koalicioni.

Duke presupozuar se partitë do t’i ruajnë votat që morën më 2013, koalicioni Rama-Idrizi-etj (por pa PBDNJ-në, e cila nuk pranon të jetë në koalicion me PDIU-në) do të merrte 850 mijë vota; koalicioni Berisha-Basha-etj (plus PBDNJ-në) do të merrte 650 mijë vota; dhe LSI-ja 180 mijë vota. Përkthyer në mandate parlamentare, do të kishim këtë ndarje 70-56-14. Pra, as Rama e as Berisha nuk do të ishin në gjendje të krijonin qeverinë pa ndihmën e LSI-së.

Në skenarin e mësipërm u bë një presupozim i fortë – që partitë do t’i ruajnë votat që morën më 2013. Por në realitet, PS-ja dhe partitë e saj satellite mund të kenë rënie të pjesëmarrjes së votuesve të tyre, falë pakënaqësive ndaj qeverisjes. Ndërsa PDIU-ja mund të mos jetë në gjendje t’i transferojë të gjithë votat e saj nga “djathtas”, që ishin para 3 vjetësh, në “majtas” – deputeti i saj i Vlorës, për shembull, ka dhënë sinjale të forta se do t’i mbetet besnik elektoratit të tij “të djathtë”.

Nga ana tjetër, koalicioni Berisha-Basha-etj tregoi në zgjedhjet lokale se i ruajti votat e 2013-ës. Kështu, kandidatët për kryebashkiakë të këtij koalicioni morën 670 mijë vota, nga 650 mijë që kishin marrë partitë e këtij koalicioni më 2013 (kandidatët për këshilltarë morën më pak, por kjo është një histori tjetër, që ka më shumë ngjyra lokale se sa politike).

Këto llogari të përmbledhura elektorale tregojnë se një dalje më vete e LSI-së në zgjedhjet e 2017-ës (apo një riafrim i saj në koalicionin Berisha-Basha-etj) do t’ia vështirësonte shumë Ramës krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve, për të mos thënë se mund t’ia bëjë të pamundur…

Share: