Home KRYESORE Selia e Shenjtë shprehet e zhgënjyer, Shqipëria pa ambasador në Vatikan!

Selia e Shenjtë shprehet e zhgënjyer, Shqipëria pa ambasador në Vatikan!

Në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve me Vatikanin, Selia e Shenjtë shpreh zhgënjimin që përfaqësimi i Shqipërisë nuk është në nivelin e duhur diplomatik.

Përmes “Radio Vatikanit”, Selia e Shenjtë thekson se “Sot, në 25 vjetorin e marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është pa ambasador.

Ndërsa Nunci apostolik i Vatikanit pranë Republikës së Shqipërisë, imzot Ramiro Moliner Ingles posa e ka përfunduar misionin e tij diplomatik në Shqipëri (më 1 shtator 2016)”.

“Radio Vatikani” thekson se ambasador i fundit i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë ishte Rrok Logu, i cili e përfundoi mandatin diplomatik në 2013. Selia e Shenjtë vazhdon më tej duke deklaruar se kanali diplomatik është më i ngushtuar se kurrë në këtë përvjetor të vendosjes së marrëdhenieve.

“Besonim se kanali që Shqipëria e shumëvuajtur pati fatin ta rilidhë me Selinë Apostolike, duke pasur parasysh se Selia e Shenjtë nuk është vetëm Shteti i Qytetit të Vatikanit, do të zgjerohej aq, sa ta forconte edhe lidhjen e popullit shqiptar me mbarë botën perëndimore. Ndërsa ky kanal na duket më i ngushtuar se kurrë, në këtë përvjetor”. Në krye të Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan është Visar Zhiti, por në pozicionin e të ngarkuarit me punë.

Visar Zhiti nuk u dekretua nga Presidenti Nishani për ambasador në Selinë e Shenjtë, ndërsa u dërgua si i ngarkuar me punë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit u rivendosën më 22 Tetor të vitit 1991 pas përndjekjeve ndaj klerit katolik nga sundimi komunist. Të dielën e shkuar në Vatikan u shenjtërua Nënë Tereza në një ceremoni madhështore.

Share: