Home KRYESORE Në Parajsën që të ofrohet vetëm në Tokën Tonë…

Në Parajsën që të ofrohet vetëm në Tokën Tonë…

Nga Altin Bamllari

Mbrëmë isha një xhiro në Parajsë. Jo ajo që mendoni ju, ka Parajsë edhe në Tokë. S’do ta besoni po t’ju them që Parajsa ishte këtu, në Shqipëri.

Nuk ka rëndësi nëse ishte ëndërr apo jo, unë e përjetova si një mrrekulli.

Që ta dini, isha bërë shok i ngushtë i një të madhi. Emrin nuk ia them se më prishet magjia e unë shpresoj të bëj një tjetër xhiro sot.

Nuk kam qenë ndonjëherë në Kopshtin e Edenit e as në Parajsën e Dantes, por që Parajsa ime ia kalon asaj të Komedisë Hyjnore, kjo as diskutohet.

Aty pas mesnate portat e parajsës mu hapën madhërishëm. Nuk u besoja syve që ato po shtyheshin nga doçka të njoma ministrash.

Ndërkohë që i madhi shoku im më shoqëronte për matanë, unë provova për herë të parë drithmat e kënaqësisë. Dyert nga pas u mbyllën me kërcëllimë dhe unë imitova të madhin duke pështyrë mbi surratin e një ministri.

Adrenalina sa s’po më shpërrthente dhe iu luta Zotit qe të mos më zgjojë. Por i madhi ma dëgjoi lutjen, u ngërdhesh e ma ktheu: “Këtu Zot jam unë dhe ti mund të flesh sa të duash.”

Ç’t’ju tregoj pastaj!

Përveç vajzave që s’ishin të virgjëra, gjithçka tjetër s’kish të krahasuar as me përshkrimet e teksteve fetare. Shtretër të qëndisur me ar, 3 milion shërbëtorë me gastare e ibrikë që na shërbenin verë, djelmosha të qethur e depiluar na recitonin poezi, gra symëdha të ruajtura si inxhi që na vinin vërdallë, Laver Bariu luante me klarinetë pjesë nga Bethoveni, Nard Ndoka primabalerinë në Teatrin Kombëtar, Inva Mula gatuante syltiash, Bashkia e Dibrës bordello, Ilir Meta hoxhë, doktori ëngjëll, në parlament pihej hashash.

Kërko ç’të duash më thoshte i madhi e unë ta plotësoj.

Po ja, i thashë, sikur t’i çonim një thes me miell hallës për të zënë petkat e dimrit, si thua?

Por ndërkohë që i madhi po hapte gojën, makina e plehërave të Erjonit më zgjoi e më flaku nga parajsa.

S’ka gjë. Sot unë do jem sërish atje. Thjesht po pres të vijë mesnata e të fle…

Share: