Home KRYESORE “Shëndetësia Publike, kurban i këtyre 25 viteve tranzicion”.

“Shëndetësia Publike, kurban i këtyre 25 viteve tranzicion”.

Nga Dr. Tritan Kalo*

Pa dashur të justifikoj askënd, sepse në fund të fundit “erratum humanum est” (“gabimi është njerëzor”), jam i detyruar si mjek, që më dhimbset bluza/manteli i bardhë të cilën mbaj mbi supe, si dhe 41 vitet e kaluara në mjedisin tonë mjekësor, fillimisht si student dhe me pas si profesionit i këtij mjedisi, të bëj komentin e mëposhtëm….

Në këtë kohë kakofonie kanabisore, në këtë kohë moszbatimesh të Ligjit të Dekriminalizimit apo të ashtuquajturës Reforme në (Pa)Drejtësi, duhet me patjetër larguar vëmendja nga problemet madhore ekzistencialiste të këtij populli:

1- pasiguria ose pamundësia për të pasur bukë në sofër tri herë në ditë;

2- frika për sigurinë e jetës;

3- frika për ardhmërinë e arsimimit e edukimit të fëmijëve;

4- pamundësia për të pasur një të ardhur të qëndrueshme nga mungesa e vendeve të punës;

5- harbutëria, cinizmi dhe aprofesionalizmi ulëritës i administratës shtetërore dhe e prijësve të tyre në çdo qelizë funksionale të saj;

6- papërgjegjshmëria dhe padurueshmëria për t’u ulur dhe dëgjuar problemet që shqetësojnë këdo në këtë vend dhe jo për të marrë opinione prej bythë lëpirësve kronikë të çdo qeverie; etj, etj.

Largimi më i mirë i vëmendjes është bërja e “kurbanit” të radhës, një kurban i cili gjendet më lehtë, perceptohet më lehtë nga publiku, si dhe i shitet atij edhe më lire.

“KURBANI” më i madh i këtyre 25 viteve tranzicion ishte, është dhe do te mbetet edhe për disa kohë Shëndetësia Publike. Me të janë bërë dhe vijojnë të bëhen eksperimente nga më të ndryshmet, por në asnjë çast nuk është ulur e biseduar seriozisht me grupet e interesit, për shqetësimet e tyre si dhe për mënyrën e rrugët që duhen ndjekur në zgjidhjen e tyre, sepse Shëndetësia jone Publike ka një çerekshekulli që lëngon, e pasojat e këtij lëngimi i vuan në radhë të parë qytetari i këtij vendi, meqënëse shtetarët e tij e kanë pasur dhe e kanë atë mundësi financiare për t’u kuruar si në institucionet më të mira shëndetësore private të vendit apo jashtë tij….

Por çfarë ka ndodhur me Shëndetësinë tonë Publike në këto 25 vite zhagitjesh “demon-grafike”???….

1- Për ta drejtuar atë janë caktuar të gjithë, përveç profesionisteve te aftë, menaxhuesve të aftë dhe idealistëve të përkorë të kësaj fushe esenciale për mbarëvajtjen e zhvillimin dhe ekzistencën e vetë kombit, të substraktit të saj njerëzor.

2- Për të përgatitur profesionalisht e cilësisht në një shkallë të admirueshme mjekët dhe teknicienët e ardhshëm, ruajtësit dhe kujdestarët e ardhshëm të këtij substrakti njerëzor, pak është vrarë mendja në cilësitë objektive të kurrikulave dhe në cilësitë profesionale të kurrikulzbatuesve. Me shqetësues është fakti se pak ose shumë pak punohet për integrimin e tyre sa më të shpejtë në profesion, duke i “ushtyr” ata të largohen përditë jashtë vendit, edhe pse ne kemi 2.5-3 herë më pak mjekë dhe infermierë, për të njëjtin numër banorësh në raport me vendet e Bashkimit Evropian.

3- Organizimi dhe shpërndarja racionale e dhënies së ndihmës shëndetësore, të shërbimit parësor kudo që ka banorë ky vend, kudo që ndihet e nevojshme ajo, është thembra e Akilit te këtij sistemi të rrënuar. 4- Qytetet dhe Spitalet Rajonale, pa folur për Qendrën e vetme terciare të Vendit, Qendrën Spitalore Universitare “Nene Tereza”, janë mbushur me mjekë të pafund në kurriz të mungesës së tyre aty ku ata më shumë nevojiten. Qytetet tona janë të tejmbushura me klinika të pafundme, kur reklamohet të ofrohet gjithçka, porse jam plotësisht i bindur se ajo që realizohet aty pak ose shumë pak e justifikon cilësisht reklamimin e shërbimeve që ofrohen.

5- Ndër vite, por sidomos vitet e fundit, ka një babëzi për marrje titujsh shkencore në kurriz të cilësisë shkencoro-profesionale sa shpejt do të vijë një ditë që në trupën e “shërbëtorëve” të Shëndetësisë do të ketë më shumë Doktor Shkencash e Profesorë, se sa mjekë të thjeshtë, të cilët janë ata që shërbejnë dhe përkujdesen për shëndetin e popullit në “linjën e parë të betejës për jetën”,

6- Në drejtimin e shërbimeve dhe të klinikave jo vetëm në QSUT, po kudo, në më të shumtën e rasteve janë po ato “monumente të shëndetësisë” të mbrojtura prej dhjetëra vitesh nga Partia/Partitë, nga meskinitetet, nga nepotizimi, nga kioskëzimi i tyre, nga mosdëshira për të bërë ndryshime rrënjësore në përmbajtje dhe jo në formë, sepse për forma e bojatisje, ja kalojmë në shumë raste edhe vetë “piktorit qeveridrejtues”.

7- Politikë bërja profesionale në fushat e ndryshme të Shëndetësisë Publike, me aq sa ajo lejohet të bëhet nga politikëbërësit politik të radhës, u “ka rëne për barrë” disa vetëve, edhe ato/ata “momumente politikbërëse” dhjetëra vjeçare, të cilët përveç meskinitetit për të ruajtur me çdo kusht dhe me çdo çmim atë kënaqësi opinionare dhe financiare të cilën ua jep ai vend pune, pak ose shumë pak janë në gjendje të justifikojnë ritmet e zhvillimeve të kohës si dhe kërkesat e saja në limite që ato/ata mbulojnë. Nuk dua të flas këtu për drejtimin e majës së piramidës drejtuese të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, ku gëlojnë aq pak mjekë sa të vjen turp ta quash të tillë, sepse nuk dëshiroj të heq nga koka edhe ato pak tru që më kane mbetur.

Shëndetësia jonë Publike jo vetëm po lëngon, por ajo qëllimtazi po konçensionohet, po deprofesionalizohet, po rrënohet në dobi të Sektorit jopublik, në dobi të Sektorit Privat, dhe jam 100% i bindur se ky Sektor Privat, i cili jo pak po “oksigjenohet financiarisht” sot nga fondet publikëdo të menaxhohet në të ardhmen e shpejtë, në mos edhe ka filluar nga vetë rrënuesit e Sistemit Publik, nga ata të cilët maramendshëm po pasurohen në kurriz të saj, duke e bërë “KURBAN” fëmijën që populli u ka vënë në dorë për t’u kujdesur e mbarërritur, Shëndetësinë tonë Publike…Ndjej neveri të paskajshëm për këtë sërë “qytetarësh”, që fatkeqësisht flasin të njëjtën gjuhë me mua dhe të gjithë popullin Shqiptar! /http://shendeti.com.al/

Autori eshte mjek infeksionist tek Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka bërë një analizë të gjendjes reale të shëndetësisë në vend, e cila, sipas tij, lëngon prej trajtimit mjeran nga politikbërësit mjeranë.

Share: