Home KRYESORE Demokracia e vezëve

Demokracia e vezëve

Nga Artan Fuga

Unë nuk e di se cilët janë studentët dhe studentet që qëlluan me vezë kryeministrin. Nuk i njoh, se nuk mund t’i njohësh të gjithë. Bota studentore është e madhe dhe me të gjitha nuancat sociale, kulturore, ideologjike, etj. Dhe sa mirë që është e tillë. Bota e pacentralizuar është më mira. Mentalitetet diktatoriale janë të urrejtshme.

Unë nuk e di sesi u organizuan, kush i organizoi dhe cfarë gjendje shpirtore ata kishin kur bënë këtë veprim. Kjo është zgjedhja e tyre. Nuk dëshiroj t’i gjykoj se e urrej paternalizmin. Ata janë të rritur dhe i dinë vetë veprimet që bëjnë ose nuk bëjnë.

Unë nuk e di nëse qëllimi me vezë në mënyrë spontane si një akt i veçuar, kështu si shkrepje spontane në kokë, i shërben ose jo sensibilizimit efikas të botë studentore dhe të shoqërisë për gjendjen e arsimit të lartë dhe rinisë në përgjithësi. Por, nuk ma rrok imagjinata që shqiptarët të nisin t’i gjuajnë me vezë njeri tjetrit. Unë të kam inat, na një kokër vezë në kaptinë, ti më pe vëngërr na një koqe vezë në shpinë, ti nuk je dakord me mua, na edhe një vezë në surrat.

E dinë vetë studentët gjithësesi sepse janë qytetarë të përgjegjshëm për veprimet që bëjnë.

Unë nuk e di nëse studentët ose studentet pësuan dhunë gjatë transferimit në komisariat apo në mjediset e tij. Për këtë duhet të thonë fjalën e tyre avokatët e tyre, institucioni i avokatit të popullit, etj. Nëse kjo ka ndodhur përgjegjêsit duhet të mbajnë përgjegjësinë ligjore që parashikohet në të tilla raste. Nëse duhet kontribuar financiarisht për të marrë një avokat të mirë, unë jam gati të kontribuoj. Qysh sot.

Ajo që unë di dhe kam bindje të palëkundshme është se :

1. Ligji për arsimin e lartë është një kuadër juridik shumë i keq që e shkatërron edhe më keq se çfarë është formimin universitar të rinisë dhe arsimin e lartë dhe shkencën. Po, ai është vegël në duart e një lubie private që e bëri dhe e imponoi këtë ligj duke vendosur përfund pushtetin publik dhe vendosur thundrrën mbi universitetin publik.

2. Rinia universitare është e trishtuar, deprimuar dhe mërzitur nga fati që po i rezervojnë për arsimimim dhe punësim. Kushtet dhe perspektivat e saj janë të errta nëse nuk ndërmerren reformat e vërteta që janë larg dhe nuk shihen as me dylbi.

3. Zëri i rinisë studentore dhe i pedagogëve si edhe i këshillave profesorale gjatë hartimit të ligjit u injorua, u hodh në kosh, u fye me përbuzje nga instancat përkatëse dhe kjo nuk është demokraci, por hipokrizi. Veshi u bë shurdh dhe bota qytetare tërheq vëmendjen pastaj edhe me forma të tjera.

4. Se kjo gjendje që krijon ligji si edhe zhvillimet e ardhshme do të prodhojnë fatkeqësisht gjithmonë tensione sociale dhe ngjarje që vijnë pikërisht nga fakti se rinia studentore është e deprimuar, pa zë, nuk e pyet kush dhe në kushte të vëshira ekonomike dhe kulturore.
Sikurse i thashë zotit President të Republikës publikisht :
Rinia është e uritur zoti President! Zëri i rinisë studentore duhet dëgjuar dhe jo injoruar sikurse deri tani.

5. A ka foma të tjera veprimi demokratik për qytetarin, studentin, profesoratin? Unë mendoj se ka, shumë më të qytetëruara, efikase, të organizuara, masive, sesa demokracia e vezëve, që nuk e diskreditojnë por e bëjnë efikas kundërshtimin e pasojave negative që do të sjelli ky kuadër ligjor.

Share: