Home KRYESORE “Në Shqipëri, femrat paguhen që të mbulohen kur dalin në rrugë”

“Në Shqipëri, femrat paguhen që të mbulohen kur dalin në rrugë”

Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, i cili u nis për në New York për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, para nisjes shprehu shqetësim e tij lidhur me radikalizmin islamik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kurz ka thënë se në Kosovë, Shqipëri e Bosnje e Hercegovinë, femrat po paguhen në mënyrë që të ecin rrugëve të mbuluara tërësisht.

“Në Shqipëri, Bosnje e Kosovë duhet të stopohet radikalizmi në rritje islamik. Ekziston një ndikim i fuqishëm fetar e ideologjik ndërsa femrat po paguhen në mënyrë që të dalin të mbuluara tërësisht nëpër rrugë”, ka thënë Kurz, raporton kleinezeitung.at.

Ministri austriak deklaroi se nuk guxon të humbet perspektiva evropiane për vendet nga Ballkani Perëndimor në momentin kur vëmendja është e kthyer drejt Brexitit dhe marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, transmeton Koha.net.

Me iniciativë të tij, në Misionin e Austrisë në Kombet e Bashkuara sonte do të organizohet takim i ministrave të jashtëm të shteteve nga Ballkani Perëndimor. Aty do të marrin pjesë ministrat nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia./360grade.al

Share: