Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, në ndjekje të ecurisë për miratimin e amendimeve të Ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të parashikuar për t’u shqyrtuar në seancën parlamentare të datës 22 shtator, rithekson me forcë qendrimin e tij në lidhje me këtë proces, të bërë me dije edhe në “Qendrimin Publik” të publikuar me 5 gusht 2016.
Nisur nga fakti se konsultimi, informimi dhe diskutimi i gjerë publik, janë pjesë e të ashtuquajturit “standard të gjithëpërfshirjes”, Koalicioni vë në dukje se ky standard, i vështirë për t’u zbatuar prej klasës politike, u arrit të imponohej prej qytetarëve shqiptarë përgjatë periudhës 2011-2013.
Kundërvënia qytetare për një pjesë të ligjit mbi importimin e mbetjeve u bë shkaktare për një nismë popullore për mbajtjen e një referendumi kombëtar për shfuqizimin e neneve që lejonin importin e mbetjeve.
Kjo kërkesë, e vetmja që prej vitit 1998, arriti të merrte miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të Gjykatës Kushtetuese dhe në fund edhe dekretimin e datës së mbajtjes së referendumit prej Presidentit të Republikës.
Ndjeshmëria e lartë qytetare dhe mbështetja e gjerë në dukje ndaj saj, bëri që opozita e atëhershme (mazhoranca e sotme) të përfshijë amendimin e ligjit dhe ndalimin e importit të mbetjeve në platformën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës.
Me fitoren e koalicionit opozitar, premtimi elektoral u mbajt dhe, që në ditët e para qeverisëse, në tetor 2013 u bënë amendimet e kërkuara në ligj, duke e bërë në vazhdim të paqendrushëm dhe pa objekt referendumin e shpallur për t’u zhvilluar më 22 dhjetor 2013.
Rreth tre vite pas përmbylljes pozitive dhe pas imponimit të të mbiquajturit “standard gjithëpërfshirës”, në një moment kulmor të ngërçit të imponuar politik, ligji për importin e mbetjeve ngrihet sërish si shqetësim për shkak të një nisme të depozituar në Kuvend më 30 qershor 2016 për ta amenduar atë, duke lejuar sërish importin.
Në relacionin e projektligjit, tre deputetët propozues deklarojnë se “akti i propozuar, nuk ka qene i parashikuar ne programin analitik te akteve te Ministrise se Mjedisit …” dhe, nga ana tjetër, se “Akti është hartuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Shoqatën e Ricikluesve në vend dhe me Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.
Ndonëse në reagimin zyrtar mohohet përfshirja e qeverisë në këtë nisëm, kjo nuk provon mungesën e vullnetit të saj për miratimin e amendimeve në fjalë. Përfshirja e Ministrisë së Mjedisit dhe e tre deputevë socialistë në hartimin e draftit, mënyra e ndjekur për t’a përfshirë në rendin e ditës të seancës parlamentare të datës 21.07.2016 dhe ecuria e mëpasme janë një provë më shumë për një vullnet politik për t’a miratuar atë.
Zhbërja në një hark kohor tre vjeçar e një akti që e njëjta qeveri e ka marrë, sidomos në raport me një referendum të anulluar tashmë, pavarësisht mangësive në legjislacionin që rregullon referendumet, përbën një amoralitet politik dhe elektoral.
Gjithashtu, përbën non sense logjik edhe të një sistemi demokratik, që legjislativi dhe ekzekutivi t’i bishtojnë nismave referendare duke i pranuar kërkesat në momentin e parë dhe për t’i shtyrë në një situatë të dytë ku nuk iu duhet të përballen me rezistencën qytetare.
Përsëritja në vijimësi e këtij mekanizmi sprove do të thyente edhe më ndjeshmërinë e reagimin qytetar, duke ulur akoma më shumë pritshmëritë dhe besimin e pakët të tyre jo vetëm ndaj politikës dhe institucioneve, por tashmë edhe ndaj vetë sistemit demokratik dhe mekanizmave që ai duhet të sigurojë.
Përpos kritikave që mund t’i bëhen përmbajtësisht ligjit, që janë në fakt domain i ekspertizës përkatëse, amendimet në fjalë sjellin në plan të parë edhe njëherë diskutimet dhe kritikat që u bënë shkak për nismën e konsultës referendare të vitit 2013, e cila nuk u konkludua, dhe ndaj të cilës u krye dhe u mor një zotim i qartë politik.
Edhe në rastin kur rrethana të reja do të impononin nevojën e rishikimit dhe të ripozicionimit politik, prapë në frymën e “standardit gjithëpërfshirës”, nevojitet një proces konsultimi i gjerë publik në përputhje jo vetëm me kuadrin standard ligjor, por edhe më shumë se aq.
Për sa më sipër, Koalicioni i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe veçanërisht mazhorancës qeverisëse që, për ruajtjen e moralit politik e elektoral ndaj qytetarëve votues, si edhe për specifikën subjektive të angazhimeve të mëherëshme të ndërmarra nga qeveria, të kërkojnë heqjen nga rendi i ditës të këtij amendimi në seancën e së enjtes, si dhe të kërkojnë domosdoshmërisht kryerjen paraprakisht, së paku, të një fushate informimi e konsultimi të gjerë në të gjithë vendin dhe njëkohësisht të shtrirë në kohë, në raport edhe me kohëzgjatjen e fushatës referendare të zhvilluar tre vjet më parë.
Nga ana tjetër, për shkak të specifikës objektive që mbart ligji në vetvete për një çështje madhore që ka të bëjë me të ardhmen e sigurisë mjedisore të vendit dhe brezave që vijnë, bëhet mëse i domosdoshëm një diskutim i gjerë në nivel ekspertize duke përfshirë gjerësisht grupet e ekspertëve, qarqet akademike, institucionet shtetërore dhe aktorët e tjerë të interesuar.
Për më tepër, stadi i ri institucional dhe i funksionalitetit të demokracisë shqiptare, pas pranimit politikisht dhe pas materializimit në legjislacionin shqiptar të “standardit të gjithëpërfshirjes”, do të kërkonte në mënyrë të natyrshme që një çështje e tille t’i shtrohej për miratim votuesit shqiptar nëpërmjet referendumit.