Home KRYESORE Largimi i Omnix Group, një ditë e zezë për ekonominë

Largimi i Omnix Group, një ditë e zezë për ekonominë

Nga Klodian Tomorri

Ka një arsye të fortë se pse Italia është një vend me dy realitete të kundërta; e pasur dhe e zhvilluar në Veri, por e varfër dhe e prapambetur në Jug. Ajo është Mafia. Në gjysmën e poshtme të “Çizmes”, bizneset përballen me një dilemë të përhershme, të paguajnë para tek Lordët e Krimit ose të falimentojnë. Në një ambient të tillë, askush nuk do të investojë.

Rasti më tipik i pasojave shkatërruese që krimi ka lënë në ekonominë italiane është Kalabria. Dikur në zemër të perandorisë Romake dhe asaj Greke, Kalabria është nje thesar jo vetëm natyror, por edhe historik. Ajo ka mbi 500 kilometër plazhe të virgjëra, një klimë shumë të favorshme për bujqësi dhe potenciale të jashtëzakonshme ekonomike. Por pavarësisht kësaj, në terma monetarë, Kalabria është rajoni me i varfër i Italisë.

Impaktet e krimit në ekonomi mund të jenë të tmerrshme. Kalabria është shembulli i gjallë, që rrezikon të pasohet nga një tjetër, pak më shumë se 500 kilometër në verilindje.

Në Tiranë, Omnix Group një kompani e fuqishme ndërkombëtare njoftoi tërheqjen nga të gjitha investimet në Shqipëri për shkak se presidenti i degës lokale, biznesmeni, Fadi Mitri u dhunua barbarisht dhe u kërcënua me jetë. Deklarata, e cila përbën një ngjarje të paprecedentë shënon një triumf shkatërrues të botës së krimit mbi shtetin ligjor.

Largimi i Omnix i heq ekonomisë 450 milionë euro. Me detyrimin për ta larguar këtë kompani, Mafia gllabëroi automatikisht 4.5 për qind të Prodhimit Kombëtar. në çdo sens që ka vlerë, kjo është një kosto dramatike. Por dëmi real është disa herë më i madh. Në një vend ku mafia mund të dhunojë, përzerë apo asgjësojë investitorët strategjikë, kapitali është dënuar sakaq me vdekje.

Larry Summers, një nga ekonomistët më autoritarë të botëës, thotë se besimi është forma më e lirë dhe efikase e stimulit ekonomik. E anasjellta po ashtu është e vërtetë. Pasiguria është rruga më e shpejtë drejt mjerimit.

Sot është një ditë e zezë për ekonominë.

Share: