Nga Redi Muci
Është për t’u habitur nga aftësia për të keqinformuar qëllimisht publikun e fytyrave ne në foto. Nga njëra anë është fytyra e ish-kryeministër që tok me veglat e tij të pështira të FRPD-së kërkon të fitojë kapital politik nga aksioni i studentëve të Lëvizjes Për Universitetin. Por pafytyrësia në këtë vend quhet karrierë e lavdishme politike. Madje edhe kur në protestën kundër armëve kimike e shporrëm nga sheshi, atë bashkë me androidin e keqprogramuar (Lulzim Basha) që drejton sot PD-në. Edhe kur pas çdo proteste që kemi bërë ka shkruar statuse ngazëllyese që mbylleshin me inicialet S.B, për të cilat përçdoherë na është dashur ta denoncojmë si nismëtarin e reformës që përmbushi ky “i gjati”. Edhe kur në protestën e fundit për lirimin e studentëve nga Drejtoria e Policisë, na dërgoi aty gjithë lakejtë e tij që buzëqeshnin si të menderosur.
Nga ana tjetër është fytyra e Meros “investigativ”. Investigimi për këtë “adhurues të atyre që luftojnë për idetë e tyre” nënkupton grumbullimin e një mali me broçkulla që ka për qëllim pikërisht keqinformimin, në shërbim të “idesë” së cilës adhuruesi në fjalë i është përkushtuar: Edi Ramës. Në dukje fillon të flasë për reformën në arsimin e lartë duke sulmuar (me të drejtë) kasaphanën e kohës së Saliut, por më pas lëshon një sofizëm të tipit “Nuk dua të hyj në debat për tarifat, por mendoj se ato kanë qenë më të shtrenjta duke blerë diploma”.
E kujt i intereson të krahasojë çmimin e blerjes informale të diplomave që bëhej deri dje, me çmimin e blerjes së formalizuar që propozon reforma?! Sipas M(j)eros, klientët (studentët) duhet të protestojnë për cilësinë e mallit që blejnë (mësimdhënia, standardet etj) dhe jo për çmimin me të cilin ky mall shitet. Në fund të fundit liria e tregut e do që nëse s’të pëlqen çmimi, mund të shkosh te kioska ngjitur. Sipas investiguesit që sigurisht s’ka lexuar asnjë rresht nga re(sh)forma, kërkesat për arsim publik falas janë utopike. Padyshim utopike sepse kërkohen nga një lëvizje studentore. Nëse do bëhej fjalë për babëzinë e pangishme të shpurrës që i shkon pas kryeministrit, ”˜sky is the limit’.