Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar se është drejtë e opozitës që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjatë një takimi me studentë të gazetarisë në ambientet e ambasadës amerikane, Lu tha gjithashtu se është e drejta e opozitës që të bojkotojë komisionin e reformës në drejtësi.
“Ne i kemi thënë lidershipit të PD që rrezikoni të ktheheni në një parti për të cilën shqiptarët besojnë se nuk e doni reformën në drejtësi”, ka nënvizuar ambasadori amerikan.
Po ashtu diplomati amerikan ka deklaruar se presidenti Nishani është shprehur se nuk i pëlqenin disa nene të ligjit të Vettingut, por gjithsesi ai nuk gjeti asnjë gjë antikushtetuese tek ky ligj.
Më tej, ambasadori amerikan i ka bërë thirrje politikës në Shqipëri të implementojë reformën në drejtësi.
“Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme. Do t’ju çojë në rrugën e integrimit në BE. Është një kohë e mirë të jetosh në Shqipëri. Duhet të jeni krenar me atë që vendi juaj ka bërë muajt e fundit”, tha ai./ora news/